Kryeministri Berisha në Durrës: Ne nisim fushatën e qytetarit , me qytetarin dhe për qytetarin!
-Këtë fushatë e kam për ju, ndaj dhe kam vendosur , që shpifjeve të tyre tu përgjigjemi me rrugë për ju, sharjeve të tyre tu përgjigjemi me shkolla për fëmijët tuaj, akuzave të tyre, tu përgjigjemi me investime publike në mënyrë që të lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetën tuaj.
-Le tu dërgojmë një përshëndetje vëllazërore, të përzemërt të gjithë komisionerëve të të gjitha forcave politike. Ti ftoj që të bëjnë këtë proces, procesin më të besueshëm më të mirë, që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët. Tu shpreh besimin tim të plotë se pavarësisht nga dallimet partiake, ata do të jenë gardian të vërtet të ligjit dhe të interesave tuaja.
Kryeministri Berisha ka qenë sot i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Glauki, në qytetin e Durrësit, një investim që kap vlerën e 120 milion lekësh.
Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të Durrësit, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj unaze, e cila theksoi ai, ka të gjitha parametrat e një bulevardi të vërtetë.
Duke theksuar se kjo fushatë do të jetë fushata për qytetarin, kryeministri garantoi se në këtë mandate do të marrë zgjidhje përfundimtare problem i ujit të pijshëm ku një linjë e re po vendoset nga Fushë-Kuqja në Durrës, ndërkohë që një tjetër ujësjellës do të ndërtohet në Skuran, të cilët do të furnizojnë me ujë të pijshëm 24 orë.
Kryeministri tha gjithashtu se një projekt tjetër i rëndësishëm është rruga e Kallmit, një rrugë madhështore, me ndriçim, me trotuare, e cila do të ece drejt Bishtit të Pallës dhe do të bëjë të gjithë zonën disponibël, për qytetin tuaj.
Duke folur për zgjedhjet vendore të 8 majit, kryeministri tha se “Në këtë fushatë si në çdo fushatë tjetër, ne do të qëndrojmë në politikën, në alternativën e vlerave. Ne nisim fushatën e qytetarit , me qytetarin dhe për qytetarin dhe aleancën e kemi quajtur “Aleanca për Qytetarin”, sepse ne nuk mund të kemi, interesa të tjera përveç interesave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, sepse ne nuk mund të kemi vlera të tjera, veçse atyre që ndajmë me ju, sepse ne, nuk mund të kemi kulturë tjetër, veçse besimit tek njëri- tjetri, besimit tek vlerat e përbashkëta, tek familja, tek komuniteti, tek qyteti, tek komuna, tek Shqipëria”.
Kryeministri theksoi se 8 maji, do të jetë një ditë fitoreje e thellë. “Le ta shndërrojmë ne këtë fushatë në fushatën e debatit të madh për interesat tona. Le të ndërtojmë ne sëbashku në këtë periudhë projektet e Shqipërisë, vend i zhvilluar, le të ndërtojmë ne projektet e Durrësit, Shijakut, Ishmit, Krujës, Fushë-Krujës, mbarë Shqipërisë”, tha ai.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit,
Zoti Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve,
Zotërinj deputetë,
Zotërinj qeveritarë vendor,
Së pari ju përshëndes vëllazërisht, shpreh kënaqësinë e madhe që inaugurojmë sëbashku këtë unazë të mrekullueshme të qytetit të Durrësit. Unazë, e cila ka të gjitha parametrat e një bulevardi të vërtetë. Ka dy kalime me nga dy korsi, trotuare të gjëra, ndriçimin dhe të gjitha anekset që duhet të ketë një bulevard i denjë për këtë qytet, mijëra e mijëra vjeçare.
Qytetarë dhe qytetare të Durrësit
Në këto vite, në qytetin tuaj , në qarkun tuaj, ne kemi ndërtuar 283 kilometra rrugë, keni ndërtuar 52 shkolla, 98 ambulanca, 103 sisteme ujësjellës dhe kanalizime, së shpejti përfundojmë terminalin më modern të pasagjerëve të portit të Durrësit.
Universiteti i Durrësit, është shndërruar në një nga universitetet prestigjioze të vendit, por mbi të gjitha Durrësi këto katër vite, ka pritur miq dhe vizitorë, më shumë se në të gjitha kohërat . Emri i tij është shkruar për mirë në të gjitha revistat, gazetat e botës, për turizmin. Qytetarët e tij dhe shërbimet e këtij qyteti, janë bërë të njohura në mbarë botën.
Qytetarë dhe qytetare të Durrësit
Jam sot këtu ,për t’ju dhënë ju fjalën, se ne fushatat i bazojmë në vlera. I bazojmë në premtime, i bazojmë në interesa. Në këtë fushatë si në çdo fushatë tjetër, ne do të qëndrojmë në politikën, në alternativën e vlerave. Ne nisim fushatën e qytetarit , me qytetarin dhe për qytetarin dhe aleancën e kemi quajtur “Aleanca për Qytetarin”, sepse ne nuk mund të kemi, interesa të tjera përveç interesave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, sepse ne nuk mund të kemi vlera të tjera, veçse atyre që ndajmë me ju, sepse ne, nuk mund të kemi kulturë tjetër, veçse besimit tek njëri- tjetri, besimit tek vlerat e përbashkëta, tek familja, tek komuniteti, tek qyteti, tek komuna, tek Shqipëria.
Kundërshtarët tanë premtojnë se do të vazhdojnë alternativën e bllokimin, alternativën e nihilizmit, ju bëj thirrje, ndiqini kur flasin dhe do të konstatoni se nga buzët e tyre, dalin vetëm mohime, nga goja e tyre dalin vetëm mashtrime. Ata betohen se do ta bëjnë politike këtë betejë. Ne ju themi atyre se ne këtë betejë e kemi për vlerat, e kemi për interesat e qytetarëve shqiptare, e kemi për fëmijët e tyre, por sa për politikë, dua ti them shokut Rama, prit 2013 se do të dëshmojmë dhe njëherë se cili je.
Do të rikthejmë edhe një herë 2009, do të rikujtoj 2005, mos u ngut. Këtë fushatë e kam për ju, ndaj dhe kam vendosur , që shpifjeve të tyre tu përgjigjemi me rrugë për ju, sharjeve të tyre tu përgjigjemi me shkolla për fëmijët tuaj, akuzave të tyre, tu përgjigjemi me investime publike në mënyrë që të lehtësojmë gjithnjë e më shumë jetën tuaj.
Këtu në Durrës, sërish ka probleme dhe një nga problemet e qytetit është ujësjellësi. Unë ju garantoj ju se ky mandat, do të jetë mandati i zgjidhjes përfundimtare i problemit të ujit për qytetin tuaj, sepse linja e re u ujit të pijshme, po vendoset nga Fushë-Kuqja në Durrës, se në Skuran do të fillojë ndërtimi i ujësjellësit tjetër, që do të vijë po drejt Durrësit dhe se e gjithë zona juaj, do të ketë ujë 24 orë.
Një projekt tjetër i rëndësishëm është rruga e Kallmit. Zoti ju ka dhënë ju, vijën bregdetare më të bukur të Adriatikut, ndaj dhe ne siç jemi shtrirë drejt jugut, do të ndërtojmë një rrugë madhështore, me ndriçim, me trotuare, e cila do të ece drejt Bisht të Pallës dhe do të bëjë të gjithë zonën disponibël, për qytetin tuaj.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit
Këto zgjedhje i kemi edhe në 20 vjetorin e përmbysjes së shtatoreve të gjalla dhe busteve të diktaturës, përmbysjes së diktaturës komuniste.
Këto 20 vjet, ne sëbashku, me dhimbje, me mundime, me sakrifica,i kemi dëshmuar njëri- tjetrit dhe mbarë botës, se ne shqiptarë mund të ecim më shpejt se kushdo tjetër në rrugën e lirisë. 20 vjet më parë, ne renditeshim në 3 ose 4 kombet më të mjera, më të varfra të planetit, sot pas 20 vitesh në këtë vend, këto qytetarë, janë të vendosura në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Vetëm në 5 vitet fundit në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër , u mbi dyfishuan rrogat e arsimtarëve, rrogat e mjekëve, e infermierëve, dhe në tërësi rrogat e administratës , u mbi dyfishuan të gjitha pensionet minimale. U vendos në qytet pensioni mbi 100 dollarë dhe sot nuk ka pensionist me të ardhura pensionale nën 112 dollarë.
Këto ditë qeveria u fali një borxh 270 mijë familjeve shqiptare në nevojë, prej 380 milion dollarë dhe këto janë të gjitha të merituara, sepse janë lumenjtë e djersës e përkushtimit tuaj, të fëmijëve tuaj në Shqipëri dhe kudo në botë, të cilat bënë që ne të ndryshojmë me kaq shpejtësi.
Këto 20 vite, ne që ishim vendi më i izoluar i planetit, arritëm të anëtarësohemi në NATO. Këto 20 vite arritëm të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme , me teknologjinë më moderne siç ishin zgjedhjet e 2009, të cilat zyrtarët më të lartë ndërkombëtar do të deklaronin se u bë numërimi më i saktë që mund të bëhet në botë. Këto 20 vite ne që jetonim të rrethuar me tela me gjemba ia dolëm me reforma të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Kjo është politika që në ndjekim, kjo është politika vlerave e interesave të gjithsecilit , përballë saj është politika e bllokimit, e mashtrimit e trillimit, politika e dyshimit.
Me lejoni t’ju rrëfej një gjë personale. E kam ndier veten të lënduar, të fyer më shumë se askund, kur në mbledhje dhe takime të rëndësishme, miqtë e mi më rrëfenin se kreu i Partisë Socialiste, u kishte thënë atyre se Berisha mi ka korruptuar komisionerët. Le tu dërgojmë një përshëndetje vëllazërore, të përzemërt të gjithë komisionerëve të të gjitha forcave politike. Ti ftoj që të bëjnë këtë proces procesin më të besueshëm më të mirë, që ka njohur Shqipëri dhe shqiptarët. Tu shpreh besimin tim të plotë se pavarësisht nga dallimet partiake, do të jenë gardian të vërtet të ligjit dhe të interesave tuaja. Se në prani e vëzhguesve nga e mbarë bota, komisionerë demokrat, socialistë dhe të të gjitha forcave politike do të dëshmojnë moralin e tyre, do faktojnë se ata nuk blihen, nuk shiten, nuk korruptohen, por as që nuk mund të viktimizohen nga dyshimi , sepse të shprehësh dyshim ndaj komisionerëve të tu do të thotë se ke dyshim tek vetja jote.
Ndaj dhe le të punojmë sëbashku për 8 majin, një ditë fitoreje të thellë. Le ta shndërrojmë ne këtë fushatë në fushatën e debatit të madh për interesat tona. Le të ndërtojmë ne sëbashku në këtë periudhë projektet e Shqipërisë, vend i zhvilluar, le të ndërtojmë ne projektet e Durrësit, Shijakut, Ishmit, Krujës, Fushë-Krujës, mbarë Shqipërisë. Projekte, të cilat bëjnë që ju të ndiheni qytetarë Europiane kudo që jetoni. Në lagjet e Durrësit apo në fshatrat e Ishmit, në çdo vend unë ju garantoj ju , garantoj qytetarët shqiptarë, se kjo është fushata e hartimit të projekteve më të shkëlqyera që ka njohur Shqipëria. Kjo është fushata në të cilën ne do të ndërtojmë projektin e zhvillimit përfundimtarë të Durrësit, lagjeve të tij, fshatrave të tij, bashkive dhe komunave të mbarë Shqipërisë.
Fitore!
18/03/2011