E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e dytë të parlamentit austriak, zotin Fritz Neugebauer

Kryeministri Berisha prit sot në një takim Presidentin e dytë të parlamentit austriak, zotin Fritz Neugebauer

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e Presidentit të dytë të Parlamentit austriak zotit Neugebauer, si një kontribut të rëndësishëm, në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera dhe miqësore midis të dy vendeve e popujve.

Presidenti i dytë i parlamentit austriak, zoti Neugebauer e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i shprehur atij kënaqësinë e veçantë që ndodhet prej dy ditësh në kryeqytetin e një vendi  dhe populli mik të Austrisë dhe popullit austriak.

Në takim u vlerësuan niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike, si dhe bashkëpunimi i zgjeruar dhe intensiv që kanë ndërtuar të dy vendet, gjatë viteve të fundit, në të gjithë fushat, në veçanti  në fushën ekonomike, shkëmbimeve tregtare, investimeve të rëndësishme austriake në Shqipëri, në fushën e teknologjisë së informacionit, por edhe në fusha të tjera, si arsim, shëndetësi, ruajtjes së rendit, etj.

Kryeministri Berisha i shprehu mikut austriak mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve për mbështetjen  e vazhdueshme, në të gjitha fushat dhe për ndihmën e çmuar, në shumë sektorë të rëndësishëm. Duke theksuar se Austria është investitori i tretë më i madh në Shqipëri, kryeministri vlerësoi se projektet austriake përbëjnë, nga projektet më të rëndësishme dhe më serioze të realizuar me sukses të plotë në vendin tonë, si psh projekti i regjistrit kombëtar elektronik të gjendjes civile, për të cilin kryeministri u shpreh veçanërisht mirënjohës.

Zoti Neugebauer i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Austrisë dhe të qeverisë austriake ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillimin dhe modernizmin  e mëtejshëm të vendit dhe ne veçanti për integrimin sa më të shpejte në BE. Në këtë kontekst presidenti  vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në të gjitha fushat gjatë 5 viteve të fundit, të cilat bënë të mundur anëtarësimin në NATO, liberalizmin e vizave dhe ecjen përpara drejt BE.

Presidenti i dytë i parlamentit austriak, zoti Neugebauer e konsideroi shumë të rëndësishëm përqendrimin e të gjithë energjive për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit 2011, për të cilat kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar që ato të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


18/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›