E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Vlorë: Më 28 qershor të bashkohemi për të çuar shqiptarët drejt fatit të tyre, drejt destinacionit evropian

Mbrëmjen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorë të qytetit të Vlorës.  Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Përshëndetje vëllazërore nga Gjirokastra, Saranda, Peshkona, Kukësi, Tropoja, Tirana, Kruja dhe mbarë Shqipëria. Ju uroj gëzuar fitoren!

Në mbarë Shqipërinë po vërshon i papërmbajtur uragani i fitore sonë, uragani i lirisë, uragani i fitores evropiane të vlonjatëve, të Vlorës evropiane dhe të Shqipërisë evropiane. 28 qershori po vjen. Më 28 qershor shqiptarët do të votojnë më të bashkuar se kurrë për të shndërruar në realitet ëndrrën e tyre evropiane, për të bërë që së shpejti në atë vend të shenjtë, në atë shtyllë të flamurit tonë kombëtar, krahas tij, të ngrihet flamuri i Evropës së bashku me flamurin e NATO-s.

 Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

28 qershori është dita e firmosjes për shndërrimin në realitet të projektit më të bukur, të ëndrrës më fisnike, të idesë më të madhe për Vlorën dhe Shqipërinë. Vlora evropiane është Vlora e imagjinatës së të rinjve të saj, e ëndrrës së qytetarëve të saj, është Vlora metropoli i fuqishëm rajonit, është Vlora e infrastrukturës më moderne në çdo skaj të saj, në çdo fshat të saj, në çdo vend të saj. Vlora evropiane është Vlora e rrjetit rrugor evropian, është Vlora e portit gjigand në Adriatik dhe në Mesdhe, është Vlora metropoli turistik në Ballkan, është Vlora e qytetarëve me 24 orë ujë në ditë kudo që ndodhen, është Vlora e qytetarëve me rrogat dhe pensionet më të larta se ato të qytetarëve të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është Vlora e universitetit më modern, është Vlora e shërbimit shëndetësor më cilësor. 

Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

Le t’u bëjmë ne thirrje të gjithë vlonjateve dhe vlonjatëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, që të bashkohen me ne në ëndrrën tonë të përbashkët, në ëndrrën tonë evropiane. Bashkohuni me ne, sepse ne bëmë që flamuri i NATO-s, i aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur të valëvitet gjithnjë më krenar krahas flamurit tonë kombëtar. Bashkohuni me ne, sepse ne me mund dhe djersë, të bashkuar dhe me përkushtim do të bëjmë që në flamurin e Evropës të shtohet dhe ylli i Shqipërisë.

Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

Këto katër vite, Vlora u shndërrua në epiqendrën e investimeve më të mëdha në Shqipëri. Në këtë rreth janë ndërtuar apo po ndërtohen mbi 150 kilometra rrugë kombëtare dhe autostrada, si dhe mbi 100 kilometra të tjera rrugë rurale apo rrugë dytësore. Vlora ka sot sistemin e saj energjetik më modern, më të ri dhe më të fuqishëm. Vlora ka sot potencialin e saj të madh turistik dhe më të mirë së kurë për t’ua servirur evropianëve dhe mbarë botës. Vlora është në prag të zhvillimeve të mëdha historike. Investimet që nisin së shpejti në Vlorë tejkalojnë vlerën mbi 2 miliardë euro. Porti do të jetë vepra më e madhe publike e këtij rrethi. Porti dhe korridori i kombit do të lartësojnë Vlorën, do të lartësojnë Shqipërinë, do të zhvillojnë Vlorën dhe Shqipërinë me shumë se çdo gjë tjetër.

28-ta po vjen, ndaj le të bashkohemi. Ne garantojmë çdo socialist të Vlorës, çdo qytetar të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë se ne mbajmë premtimet tona, se vota së bashku me ne është votë për integrimin evropian, është votë për pensionet dhe rrogat e larta, është votë për infrastrukturën më moderne, është votë për të veshur Vlorën nga Konispoli në Mifol me ullishtat më të bukura dhe më të mëdha. Unë u premtoj fermerëve të Vlorës se qeveria ime do të financojë çdo rrënjë ulliri, pa asnjë kufizim, që ata do të mbjellin për veten e tyre, do të financojmë çdo rrënjë agrume, pa asnjë kufizim, që ata do të mbjellin në fermat e tyre, do të subvencionime naftën dhe inputet për sipërfaqet e mbjella. U premtoj se do financojmë agrobiznesin, marketingun. I garantoj se do të kenë pensione të barabarta me qytetin dhe se toka e tyre do të vendoset nën ujë kudo që të jetë.

Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

Me 28 qershor të marrim të gjithë pjesë në votime, të çojmë tek kutitë e votimit frymën, shpirtin e fitores që buron nga zemrat tuaja, që shkëlqen në sytë tuaj, që ndriçon në fytyrat tuaja. Të bashkohemi ne të gjithë shqiptarët në këtë votim historik, në këtë akt madhor që do të çojë Shqipërinë dhe shqiptarët drejt fatit të tyre, drejt destinacionit evropian.

Më 28 qershor të gjithë le të votojmë 10-ën. 10-a jeni ju qytetarët e Vlorës, 10-a është kombi, është ky shesh, sheshi i Flamurit, 10-a janë fëmijët tuaj të mrekullueshëm, familjet tuaja të shkëlqyera, 10-a është Vlora juaj e përjetshme, 10-a është Shqipëria blu, 10-ë është Partia Demokratike, 10-ë është Evropa blu që mesi pret Vlorën dhe Shqipërinë blu për të hequr vizat në vitin e parë të mandatit tonë të dytë, është Evropa blu që pret Vlorën metropol të madh të Shqipërisë dhe rajonit, që pret Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike, vendin e zhvillimit më të shpejtë.

Qytetare dhe qytetarë të Vlorës,

Më 26 qershor të gjithë së bashku në sheshin “Skënderbe” të festojmë fitoren tonë të madhe, fitoren e merituar.

Rroftë Vlora!

Rrofshi ju!

Rroftë Shqipëria!”


23/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›