Kryeministri Berisha takohet me banorë të qytetit të Lezhës

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve në këtë takim, Kryeministri u shpreh:
“Zonja Kryetare e Kuvendit,
Zotërinj ministra,
Zoti kryetar i bashkisë,
Të dashur qytetar dhe qytetarë të Lezhës,
Zonja dhe zotërinj,
Kam ardhur sot tek ju për t'ju uruar dhe një herë 3 prillin, ditën e madhe të historisë sonë kombëtare, të rikthimit tonë në familjen e kombeve që ne u përkasim, ditën në të cilën pas shekujsh, më ekzakt ditën pas vitit 1468, ditë që mbylli sytë në këtë qytet heroi, prijësi legjendar i shqiptarëve Skënderbeu, ne rikthehemi në familjen e kombeve që u përkasim.
Vij që t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju përshëndes për mbështetjen jashtëzakonisht të madhe që ju i dhatë reformave që ndryshuan Shqipërinë. Këto reforma mbi të gjitha ndryshuan faqen, ndryshuan imazhin, paraqitjen dhe emrin e këtij vendi në Europë dhe në botë.
Qeveria shqiptare dhe institucionet e këtij vendi në përpjekje të mëdha, por të qëndrueshme ia dolën që ta shndërrojnë Shqipërinë nga një vend i krimit të organizuar më të rrezikshëm në Europë, vend në të cilin fshatra, qytete e krahina të tëra dominoheshin nga bandat kriminale, në një vend me treguesit e kriminalitetit më të ulët në Europë dhe ndër më të sigurtit në rajon dhe Europë. Tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ishte premtimi ynë. Ne e kemi mbajtur fjalën tonë dhe i kemi faktuar të gjithë qytetarëve europiane dhe vendeve mike se shoqëria jonë nuk mposhtet nga krimi, përkundrazi është një shoqëri me një moral të pastër dhe të kthjellët, një shoqëri që nuk e ka krimin si hije të përditshme të tij, por e kundërta është e vërtetë.
Me realizimin e reformave të thella, ne ia dolëm të nënshkruajmë marrëveshjen e Stabilizimit-Asociimit me Bashkimin Europian. Ne ia dolëm të zbatojmë kërkesat e kësaj Marrëveshjeje me seriozitetin më të madh. Ne i faktuam partnerëve tanë se jemi partnerë seriozë dhe se projekti i integrimit në NATO dhe BE janë për ne projektet më të mëdha të këtij shekulli.
Imazhi i Shqipërisë ndryshoi, siguria e Shqipërisë ndryshoi, ndaj ajo u vizitua më 10 qershor të vitit që shkoi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Ë. Bush.
Shqipëria u bë një aleat i besueshëm, Shqipëria u bë një mik me vlerë dhe një aleat me emër të mirë dhe këto ishin arsyet përse Presidenti Bush do të sillte në Tiranë dy mesazhe historike për Shqipërinë dhe shqiptarët: Shqipëria në NATO dhe pavarësia e Kosovës. Sot, shqiptarëve në të gjithë gjeneratat që vijnë do t'u jehojnë për jetë fjalën e tij: "Koha është tani". Nuk e tha këtë nga Shtëpia e Bardhë, por e tha nga zyra e Kryeministrit shqiptar.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Lezhës,
Sot, pas dy vjetësh, Shqipëria është tjetër, është një Shqipëri me një imazh shumë më të mirë. Në rrugën dhe përpjekjet e përbashkëta, ne ia dolëm që më 3 prill të marrim një pasaportë të re, pasaportën e sigurisë për lirinë tonë individuale dhe kombëtare. Ne u lidhëm me Aleancën më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur, Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ftesa për anëtarësim në NATO ishte rezultat i përpjekjeve më të mëdha dhe mbinjerëzorë që kanë bërë shqiptarët në këto 16 vite, besnikërisë dhe bashkëpunimit luajal që kanë dëshmuar ndaj aleancës së Atlantikut të Veriut. Por gjithashtu përcaktuese në këtë ftesë ishte reformat e thella të ndërmarra në tre ditët e fundit, para marrjes së ftesës.
E përmenda pak më parë luftën kundër kriminalitetit, por po kaq e madhe ka qenë lufta lundër korrupsionit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Lezhës,
Ju ftoj në emër të interesit tuaj më të mirë që të mos pranoni që gjethet t'ju pengojnë të shikoni trungjet. Mos harroni se dy vjet e gjysmë më parë, kur ne erdhëm në pushtet, ministrat, zëvendësministrat, zyrtarë të lartë, kishin vendosur anembanë monopolet e tyre private. Sot, mund të them se ka sërish të korruptuar, por nuk ka zyrtarë me monopole siç kishte dy vjet më parë.
Në verën e vitin 2005, vizitova Vurgun, në Delvinë dhe fermerët e zonës më thanë se kishin 20 mijë kuintal misër që i kalbej, sepse ministri sillte anijet me misër gjenetik dhe e shiste me 18 lekë kilogramin, në një kohë kur ata me këtë çmim falimentonin. Kur i vizitova sërish verën e kaluar, këta fermerë më thanë se e shisnin misrin me 22 lekë kilogramin dhe se nuk kishin më bllokim të tregut. Po kështu, një tjetër zyrtar kishte naftën e kështu me radhë.
Unë ju garantoj se sa të jetë në pushtet Sali Berisha nuk do të ketë më zyrtarë dhe qeveritarë monopolistë. Ju bëj thirrje që të mos harroni se tre vjet më parë, kur erdhëm në pushtet administrata publike notonte në shpërdorim. Vetëm në bileta të klasit të parë, në ahengje dhe në pushime shpenzoheshin mbi 100 milionë euro nga taksat tuaja. Por shikojini shpenzimet e mia. Unë udhëtoj më shumë se paraardhësit e mi, por shpenzoj 50 për qind më pak se ata dhe ju siguroj se ju përfaqësoj me dinjitet, se strehohem në hotele dinjitoze dhe sillem si një Kryeministër normal dhe kështu me radhë. Unë udhëtoj më shumë se paraardhësit e mi, sepse i kam dyert më të hapura. Aq sa më besoni ju, më beson edhe bota.
Pra, ne vendosëm disa kritere, me të cilat paratë publike nuk mund të përdoren për qëllime personale dhe në këtë mënyrë kemi vendosur shpenzimet operative ndër më të ulëtat në Evropë dhe në botë.
Kur ne erdhëm në pushtet, tre vjet me parë, gjetëm një administratë të fryrë. Por, një administratë e fryrë është e lidhur shumë ngushtë me korrupsionin. Nëse do të shtosh korrupsionin, shto administratën.
Ne e ulëm me 30 % numrin e punonjësve të administratës, ulëm me 24 % portofolet dhe me 16 % numrin e punonjësve të shërbimit civil. Pra, krijuam administratën më të vogël për frymë në Evropë. Ne sot shpenzojmë për administratën rreth 50 % më pak se mesatarja e vendeve të tjera në Evropë.
Dy vjet më parë, para se unë të vija në pushtet, rreth 40 përqind e dosjeve të prokurimeve publike nuk i jepeshin kompanive private, por autoritetet kontraktuese i jepnin sipas dëshirës.
Sot, të gjitha prokurimet publike bëhen në mënyrë elektronike dhe të gjitha dokumentet mund të tërhiqen nga kushdo nëpërmjet internetit. Ne po shkojmë drejt instalimit përfundimtar të sistemit elektronik, në të cilin askush nuk e njeh ofertuesin dhe askush nuk e njeh vlerësuesin. Kjo është një nga reformat më transparente. Tre vjet më parë rreth 70 përqind e prokurimeve publike ishin të drejtpërdrejta, ndërsa në vitin 2007, sipas një raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë, kjo qeveri nuk ka bërë asnjë prokurim të drejtpërdrejtë.
Unë nuk e mohoj që ende ka korrupsion. Unë i kam ende të freskëta në memorie pamjet e atyre të rinjve dhe të rejave, që në verën e vitin 2005 trokisnin në dyert e universiteteve dhe u kërkoheshin para për t’u pranuar në to. Më kujtohet një i ri nga qyteti i Lezhës, i cili më kishte bërë mbi 200 mesazhe dhe më kërkonte të regjistrohej në universitet. Por, unë kisha vetëm një përgjigje; jam Kryeministër dhe nuk mund të ndërhyj në këtë proces. Unë pata kënaqësinë që ai djalë e mësoi këtë proces dhe herën tjetër konkuroi me dinjitet. Sot, ai sot ndjek një fakultet shumë të mirë.
Unë ju garantoj se që nga dita që kam marrë këtë post e deri më sot, në asnjë rast, Kryeministri i vendit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit apo kushdo tjetër nuk kanë arritur të fusin në universitetet e Shqipërisë asnjë student që nuk ka qenë sipas rregullave.
Sot sërish ka korrupsion, por më lejoni t’ju informoj se kur unë erdha në pushtet gjeta zyrtarë që ishin anëtar në pesë, dhjetë apo njëzet borde. Sot, nuk ka zyrtarë që të jetë në më shumë se në tre borde. Sot nuk ka drejtorë që të marrin më shumë sesa rroga e një sekretari të përgjithshëm në një ministri. Sot, nuk ka anëtar bordi që merr më shumë sesa shuma e caktuar.
Ne kemi kursyer rreth 20 përqind të fondit të pagave në një kohë kur po dyfishohen pagat e arsimtarëve, po dyfishohen pagat infermierëve dhe po shkojnë drejt dyfishimit të pagave në sektorë të tjerë. Paratë tuaja nuk janë shpërdoruar por po përdoren sipas ligjit. Në rast se ndalemi në ato që ne kemi bërë, unë do t’ju faktoj se është bërë jashtëzakonisht shumë. Por në këtë betejë fitorja më e madhe do të vijë vetëm kur të bëhemi të gjithë të sëbashku.
Një raport ndërkombëtar informoi se në Shqipëri, vetëm nga doganat dhe tatimet përfundonin në xhepat e zyrtarëve të doganave, tatimeve dhe kontrabandistëve mbi 4 miliardë dollarë. Ne ndërmorëm një reformë të thellë në këto institucione dhe bëmë uljen më drastike të taksave.
Në qoftë se më parë për 200 lekë fitim të merreshin 25 lekë, sot të merren vetëm 10 lekë. Në qoftë se në të ardhurat personale për 100 lekë të merreshin 23, sot të merren vetëm 10 lekë. Në rast se biznesit të vogël i merreshin 3, sot merret vetëm 1.5. Në rast se për sigurimet shoqërore merreshin 42 përqind, sot i merren 30 përqind.
Të dashur miq,
Ne, në këto tre vjet kemi krijuar një buxhet të dytë në Parlamentin shqiptar dhe ky buxhet është rezultat i luftës kundër korrupsionit. Më gjithë këtë ulje të taksave, në qofte se tre vjet më parë ne vilnim 22 lekë për 100 lekë prodhim, këtë vit do të jetë 28 lekë për 100 lekë prodhim apo 1.2 miliardë dollarë më shumë se një viti më parë.
Të gjitha këto janë para që ne i nxorrëm nga lufta kundër korrupsionit. Unë vij këtu nga Shëngjini, dhe kam kënaqësinë t’ju informoj se në rrethin tuaj investimet e tre viteve të marra së bashku, janë gjashtë herë më të mëdha se tre vite më parë.
Vetëm kundër përmbytjeve janë investuar 355 milionë lekë. Në shkolla, në rikonstruksion dhe ndërtimin e 26 objekteve arsimore, janë investuar rreth 526 milionë lekë. Në sektorin e shëndetësisë janë investuar 75 milionë lekë. Për ndërtimin e ujësjellësave janë investuar 455 milionë lekë. Për kanalizimet e ujërave të zeza dhe impiantin e pastrimit të ujërave janë investuar rreth 568 milionë lekë. Në infrastrukturën rrugore dhe portin e Shëngjinit janë investuar 885 milionë lekë, ndërsa në fushën e bujqësisë janë investuar 430 milionë lekë.
Pra, këto janë investime që janë bërë në zonën e Lezhës dhe janë gjashtë herë më të larta se tre vjet më parë. Kur po vija këtu, dikush më tha se po ti shohesh këta dalin të privilegjuar. Unë them se ju nuk jeni të privilegjuar. Fundjavën e kaluar unë isha në Sarandë dhe vetëm në rrugët kombëtare të Sarandës dhe Delvinës qeveria po investon rreth 120 milionë euro për 150 kilometra rrugë.
Kjo është lufta kundër korrupsionit. Unë ju bëj thirrje, ju dhe të gjithë shqiptarëve, që të bëheni pjesë e kësaj lufte. Sa më shumë të luftojmë këtë kancer, aq më lart do të ngjitemi ne. Kemi një mijë e një arsye për t’i besuar ligjit, kemi një mijë e një arësye për t’i besuar pastërtisë morale, ndaj duhet të luftojmë së bashku.
Këtë vit ne do të investojmë në rrugët e Shqipërisë, nga Valbona në Konispol, rreth 89 miliardë lekë apo 1.1 miliardë dollarë, kundrejt investimit maksimal, vetëm 11 miliardë lekë, që është bërë në vitin 2004. Pra, ne investojmë tetë herë më shumë. Dhe, këto të ardhura i nxorëm nga përballja me korrupsionin. Ne kemi bërë dhe do ta bëjmë punën tonë, por ju ftoj ta bëjmë atë së bashku.
Tre vjet më parë, kur erdhëm në pushtet, çmimet e referencës mbaheshin në sirtar dhe i nxirreshin biznesmenëve sikur të ishin materiale sekrete. Ato përcaktoheshin aq sa të donte doganieri, ndërsa sot është e kundërta. Çmimet e referencës botohen tre muaj më parë dhe doganat shkojnë drejt tarifave zero. Megjithatë, të ardhurat janë rritur me 22 përqind. Pra, ne kemi bërë një betejë të suksesshme kundër korrupsionit, por kemi nevojë për ndihmën tuaj.
Ne jemi një shoqëri e bazuar në familje dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme. Të paktë janë prindërit që sakrifikojnë më shumë për fëmijët sesa sakrifikojmë ne. Por, investimi më kapital që bëjmë ne për fëmijët tanë është lufta kundër korrupsionit, që fëmijët tanë ta kenë të ardhmen të sigurt.
Ne lidhemi sot me NATO-n, në Aleancën e vendeve më të fuqishme të botës. Ju e dëgjuar fjalën e Presidentit Bush në sheshin e Shën Markut në Zagreb; tani e tutje kushdo që do të guxojë të prekë lirinë tuaj, do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin e Shqipërisë, sepse ky vend nuk ka ndryshuar kurrë më shumë në histori sesa këto tre vjet, nuk ka ndryshuar kurrë për më mirë sesa në këto tre vjet dhe kurrë nuk ka patur kokën më lartë se këto tre vjet."