E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet në ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat

-       Kryeministri Berisha i ka bërë sot thirrje banorëve në zonat e përmbytura të nën Shkodrës të evakuohen. Kryeministri është shprehur se asgjë nuk mund të krahasohet me jetën dhe duhet të largojnë fëmijët, të moshuarit dhe gratë
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet e bëra në ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat, investim i qeverisë shqiptare, me vlerë 1 milionë dollarë dhe gjatësi nga 1.1 kilometër në të dy anët e lumit.
Kryeministri Berisha e përgëzoi firmën për punën e bërë për ndërtimin e argjinaturave, të cilat janë jashtëzakonisht efikase. “Argjinaturat e ndërtuara janë jashtëzakonisht efikase dhe për këtë keni përgëzime. Natyrisht, emergjenca duhet rritur për të qenë gati në çdo moment, sepse priten mote dhe këto janë punët e perëndisë, ndërsa punët tona janë këto këtu. E ka thënë dhe e thotë: “ndihmo veten, të të ndihmoj”. Ndaj, ne duhet të bëjmë çdo gjë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se kjo këtu është zonë e siguruar, por prapë në Fushë Kuqe dhe Tale duhet përqendrim. “E vërteta është se problemet e ndryshimit të klimës sjellin gjëra shumë të paparashikuara dhe dallga e fuqishme nuk ka goditur vetëm Tale, por ka goditur në të gjithë bregdetin, kështu që duhet të jeni gjithnjë të mobilizuar”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha e vlerësoi si shumë të mirë menaxhimin e deri tanishëm të situatës, por theksoi se ky mund të jetë vetëm fillimi i një moti që mund të vazhdojë gjatë dhe nuk ka parashikim. “Deri tani është bërë një menaxhim shumë i mirë, por ky mund të jetë vetëm fillimi i një moti që mund të vazhdojë gjatë dhe nuk ka parashikim. Në qoftë se ka ndonjë gjë për të cilat mund të thuhet se çmenden, ato janë lumenj e maleve. Në momente të caktuara prurjet e tyre qindrafishohen. Nga përrenj të parëndësishëm, ata shndërrohen në lumenj të frikshëm me prurjet e tyre. Megjithatë kjo pjesë është e siguruar shumë mirë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha i’u përgjigj interesit të medias:
Zoti Kryeministër, a mendoni se ka zona të rrezikuara?
Kryeministri Berisha: Eventualisht, problemet më kryesore janë në zonën e nën Shkodrës. Atje është ekosistemi ujor më mahnitës. Pavarësisht nga moti, në kufirin që është Liqeni i Shkodrës është lumi i Bunës, është lumi Drin, është deti dhe ndërveprimi i tyre mund të bëhet problematik. Për shembull, dallga që goditi Talen, e cila mori përpara bunkerët dhe pritat e çimentos sikur të mos ishin asgjë, ka goditur edhe në Velipojë, ka fryrë edhe Bunën atë ditë. Së dyti, është kaskada e lumit Drini. Së treti, janë lumenjtë Drin dhe Gjadër.
Pra, është një zonë tmerrësisht e bollshme në ujëra. Për shembull, lumi Gjadër është krejt i parëndësishëm, por sot është mjaft i fuqishëm dhe krahas derdhjeve që bëhen nga Komani dhe Vau i Dejës, tani janë dhe derdhjet e Gjadrit dhe të Kirit. Me një fjalë nuk mund të themi se jemi jashtë rrezikut, por ajo që mund të themi është se ky rrezik po menaxhohet me një eficencë të madhe.
Ka një problem me banorët, të cilët nuk pranojnë të largohen nga shtëpitë, por unë do të shkoj përsëri atje. Unë e kuptoj se dhembja për shtëpinë është e jashtëzakonshme, por asgjë nuk mund të krahasohet me jetën. Fëmijët, të moshuarit dhe gratë duhet t’i largojnë. Burrat nuk mund t’i barazojnë ata me veten e tyre. Le t’i marrin e t’i sistemojnë diku dhe në çdo familje le të rrijë nga një burrë. Ne do të çojmë ushqime. Ne e kemi të gjithë sistemin e nevojshëm të varkave për t’i furnizuar.
Zoti Berisha, përpara kësaj situate të krijuar tani mendoni se është situata është menaxhuar mirë më parë, sepse ka zëra që kanë kërkuar edhe hetim?
Kryeministri Berisha: Opozita, pasi i dolën avujt e Sharm El Sheik-ut dhe Burj Al Arabia, u kujtua dje të kritikojë. Një gjë është e sigurt, se në origjinë të këtij problemi është Komani. Liqeni i Komanit ka një specifikë, nuk është liqen i madh dhe nuk ka ku të hapet, përveç se të përmbytë veprën e prodhimit të Fierzës. Origjina është një rritje e jashtëzakonshme e lumenjve të Alpeve, lumit të Valbonës, lumit të Currajt dhe lumenjve të tjerë, prurjet e të cilëve arritën në 1450 m3/s. Liqeni i Komanit është një liqen i cili maksimumin e ka 176 m3/s dhe nuk mund të shkojë më shumë, sepse kërcënon dhe Fierzën. Kurse eficenca po zbriti nën 170 m3/s i bie. Pra, pati një vërshim shumë të madh të lumenjve të Alpeve. E vërteta është se Fierza atë ditë Fierza u mbyll për të mos shtuar ujera në Koman, por prurjet ishin shumë të mëdha nga lumenjtë e Alpeve dhe këto bënë që të hapet tuneli i Komanit, i Vaut të Dejës, kurse këto 2-3 ditë është derdhur edhe nga Fierza. Derdhja është bërë për përkujdesje, sepse ka një rregullore që në mote të mëdha këto hidrocentralet duhet të shkarkohen. Vetëm Vau i Dejës ka kapacitete shkarkuese mbi 6000 m3/s. Kjo është e parashikuar, nuk ka rrugë tjetër. Po ashtu dhe Komanit nuk ke ç’ti bësh, është i ngushtë dhe duhet të shkarkohet.
Sipas informacioneve tuaja, Fierza dhe Komani gjatë muajit dhjetor janë menaxhuar mirë?
Kryeministri Berisha: Sipas informacioneve të mia, gjatë dhjetorit, Komani është mbajtur në nivele fare të ulëta. Ky është informacioni që kam. Ka një praktikë se si duhet t’a menaxhosh, por Komani dhe Vau i Dejës kanë qenë në nivele të ulëta, ndërsa uji është depozituar në Fierzë. Sigurisht, uji depozitohet, sepse mund të ketë ftohjet të thella. Nuk mund të përsëriten më situatat e mungesës së energjisë. Këtë t’a harrojë kushdo, sepse do të bëhet çdo gjë që vendi të ketë energji. Shifrat janë, kush do të shkojë t’i marrë. Mesa di ato publikohen çdo ditë dhe le të shkojnë t’i marrin e të shohin nivelet. Nivelet kanë qenë fare të ulëta. Madje, do të thosha se për mua kanë qenë më të ulëta seç duhet. Por, kjo është detyre e specialistëve dhe jo e imja. 05/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›