Kryeministri Berisha iu përgjigj sot, në një konferencë për shtyp, interesimit të gazetarëve lidhur me zgjedhjet. Gjatë konferencës, Kryeministri bëri këto komente: Pyetje: Z
Kryeministri Berisha iu përgjigj sot, në një konferencë për shtyp, interesimit të gazetarëve lidhur me zgjedhjet. Gjatë konferencës, Kryeministri bëri këto komente:
Pyetje: Zoti Kryeministër, ju u shprehët se gjatë takimeve që keni patur me personalitete të huaja, ata kanë kërkuar respektimin e afateve kushtetuese, ndërkohë që sot përfaqësuesi i ambasadës gjermane ne Tiranë, në një takim konsultativ, u shpreh se nëse mes forcave politike do të kishte një marrëveshje për shtyrjen e datës së zgjedhjeve edhe ata do të ishin dakort me këtë gjë. Cili është komenti juaj?
Kryeministri Berisha: Unë po ju them atë çfarë është shprehur në zyrën time se, asnjë përfaqësues ndërkombëtar nuk ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Të gjithë ata që kanë parashtruar çështjen, në raste të caktuara, e kanë parashtruar si kërkesë të Partisë Socialiste, ndërse në raste të tjera kanë kërkuar se si qëndron problemi. Sapo janë njohur me përcaktimin kushtetues 3 vjeçar të mandateve të zgjedhjeve vendore, pa përjashtim, që të gjithë, janë shprehur se nuk mund t'i jepet Kushtetutës fuqi prapavepruese.
Bashkimi Europian, në mënyrë të përsëritur, Parlamenti - dhe jo vetëm Parlamenti, por edhe përfaqësues të Komisionit, sikundër e konfirmoi edhe Komisioneri Olli Rehn - janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve në afatet kushtetuese. Asnjë faktor ndërkombëtar nuk ka kërkuar këtë, as gjashtë muaj para, as dy muaj para, as tre muaj para. Por, Kryetari i PS do të bënte mirë t'u thoshte shqiptarëve kush i kërkoi atij në korrik të shtyhej data e zgjedhjeve, kush i kërkoi atij në gusht të shtyhej data e zgjedhjeve. Kush janë ata?. Në shumë raste, unë nuk e kam bërë publike as qëndrimin e tyre. Të thuash se dikush po thotë se zgjedhjet duhet të bëhen në afate kushtetuese, kjo nuk përbën as lajm, sepse afatet nuk mund të diskutohen.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a mund të garantohen standardet në zgjedhje, edhe pa opozitën?
Kryeministri Berisha: Ata që mendojnë se me pjesëmarrjen, ose mospjesëmarrjen e tyre, garantojnë apo dëmtojnë standardet, dua t'u rikujtoj se janë vëzhguesit ata që vlerësojnë keto standarde. Por, të mendosh të përdorësh mospjesëmarrjen për të dëmtuar procesin, atëherë kjo është një gjë që lexohet lehtë.
Pyetje. Zoti Kryeministër, disa nga aleatët tuaj janë shprehur në favor të shtyrjes së afatit të zgjedhjeve, duke deklaruar se, që nga sot procesi zgjedhor i 20 janarit ka hyrë në ditën e parë të dështimit. Ndërkohë, në anën tjetër, kemi zgjedhësit lokalë të së majtës, të cilët nuk i janë përgjigjur një udhëzimi të Ministrisë së Brendëshme, për të filluar nga puna për përgatitjen e listave. A mund ta lini sadopak të hapur mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve në këto kushte?
Kryeministri Berisha: Partia Demokratike, në të gjitha qëndrimet e saj, ka bërë dhe bën të qartë se nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn, nuk ka negociuar dhe nuk negocion, për diçka që ligjet dhe kushtetuta e vendit nuk ia njohin këtë të drejtë asaj. Mendoj se respektimi i kushtetuetshmërisë është absolutisht një nga shtyllat më themelore të një sistemi demokratik. Por, socialistët mendojnë se Sali Berisha, në rastin kur u intereson atyre, duhet ta respektojë Kushtetutën, pra nuk duhet t'ia bllokojë - dhe kanë të drejtë - derën "Aldo Bares" në KLD, apo Don Sollakut në prokurori". Këtë Berisha nuk e ka bërë, sepse, këtu, para jush dhe para shqiptarëve, ka deklaruar se shkarkimi i tij është kompetencë kushtetuese e Presidentit dhe se çdo veprim tjetër do të ishte prekje e kushtetuetshmërisë së vendit, çdo veprim tjetër do të ishte një dëm shumë i madh, serioz, më i madh se sa ky që bën Don Sallaku në krye të prokurorisë, në qoftë se do të ndërrmerrej. Kur diskutohet për mandatet, të cilat janë shumë më rigoroze, kur kërkohej për t'i shtyrë në tetor mandatet, sipas tyre, Berisha mund ta bënte këtë. Po ju them se nuk kam gjetur një njeri, brenda dhe jashtë këtij vendi, që ka sensin e ligjit, që më ka thënë se kjo mund të bëhet. Kam takuar të gjithë spektrin politik europian dhe perëndimore. Por jo, kjo çështje është e Kushtetutës dhe nuk është e imja.
Pra ne duhet të mësohemi, edhe kur na intereson, edhe kur nuk na intereson, të respetojmë kushtetuetshmërinë e vendit. Ne nuk kemi asnjë punë me datën e zgjedhjeve. Ju jeni dëshmitar që kam deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se do të respektoj çdo datë që do të dekretojë Presidenti i Republikës. Unë mund t'ju thosha ju se nuk do të respektoj asnjë datë jokushtetuese që do të dekretojë Presidenti i Republikës. Por nuk ua kam thënë këtë, përkundrazi kam thënë se do të respektoj çdo datë. Pse e kam thënë këtë? Sepse mandati është kushtetues, Presidenti është kushtetues, dekreti i tij është kushtetues.
Unë nuk mund të bëj interpretimin e Kushtetutës. Kam qenë jashtëzakonisht i sinqertë në çdo gjë, me ju dhe me shqiptarët. Nëse Presidenti i dekretonte zgjedhjet në Tetor, unë sërish do të pranoja. E kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se, në çdo datë që do të dekretojë Presidenti ne do të marrim pjesë në zgjedhje dhe nuk do ta komentojmë atë. Kjo pasi atij ia jep Kushtetuta të drejtën, jo mua, jo partive, as Kryeministrit. Kushtetuta e detyron Kryeministrin të zbatojë dekretet dhe të verë financat e duhura në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të forcave politike, etj. për zgjedhjet.
Pyetje: Z. Kryeministër a do dë ishit dakort me mundësinë për një datë të dytë zgjedhjesh në ato zona të vendit ku, për shkak të motit të keq, nuk mund të realizohen zgjedhje?.
Kryeministri Berisha: Dua të them diçka. Ky vend ka shumë mungesa, por një nga gjërat më të çmuara të tij është fakti se ka ligje. Kushtetuta e vendit, për fat të mirë, nuk ia jep as Qeverisë, as Partisë Demokratike, apo as Partisë Socialiste, administrimin e zgjedhjeve. Menaxhimin dhe udhëheqjen e procesit zgjedhor ia jep KQZ-së dhe ky komision është institucion kushtetues. Edhhe njëherë, po ju them se të gjitha vendimet e këtij komisioni do të zbatohen. Tashmë unë jam lojtar, jam një nga aktorët në këtë proces dhe kam më tepër se të tjerët vetëm detyrimet buxhetore, apo detyrimin për caktimin e numrit të forcave të rendit që do të angazhohen, etj. Por asgjë me tepër. Është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që merr të gjitha vendimet, siç ka marrë gjatë këtyre vitieve, për përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë a në një tjetër. Pra, kjo nuk është puna jonë .
Problemi nuk është në faktin nëse unë jam apo nuk jam dakort për këtë gjë. Rëndësi ka që unë të zbatoj ligjet dhe vendimet që janë detyrimi im. Të jeni të sigurt, që njeriu i parë i interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve në tetor, isha unë. Sepse përgjatë kësaj kohe do të vazhdoja me kryerjen e reformave e të tjera nisma. Por kjo çështje nuk varet nga unë, kjo i nënshtrohet ligjeve të vendit. E kundërta është shumë keq dhe, të vendosësh Kushtetutën nën karrige është e pamundur.
Pyetje: Z. Kryeministër, jemi përballë një fakti të kryer që, për shkak të mosarritjes së një konsensusi, nuk u arrit të bëhej një reformë elektorale. Baza aktuale ofron shumë pak mundësi, sepse po të marrim afatet për ngritjen e komisiove zgjedhore, ato janë tashmë të tejkaluara. A ju shqetëson ky fakt, sepse ju u shprehët se cënimi i ligjeve i cënon standardet e zgjedhjeve. Po ashtu, duke llogaritur tashmë mospjesëmarrjen e opozitës, ka një pengesë të madhe edhe në ngritjen e komisioneve zonale, apo të qendrave të votimit, pasi ligji ua njeh pikërisht përfaqësuesve të opozitës parlamentare pjesëmarrjen në to. Pra, a jeni i shqetësuar për këtë vakum ligjor?
Kryeministri Berisha: Në të gjitha rastet, ftesa ime për partitë opozitare është të marrin pjesë në zgjedhje dhe sërish i ftoj të marrin pjesë në zgjedhje. Përsa i përket kuadrit ligjor, dua të theksoj edhe njëherë se, në kërkesat e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale, raporti bazë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005, ka vetëm një nen dhe ky nen iu referohet listave. Nuk ka asnjë nen tjetër. Megjithatë, po të keni ndjekur rezolutën e PS, vihet re se atje thuhet se marrëveshja e Gushtit nuk kishte lidhje me reformën zgjedhore. Unë e besoj plotësisht, ndonëse u cudita për këtë. Unë e besoj se, në të vërtetë, përveç kërkesës për listat, asnjë nga kërkesat që ekzistojnë në atë marrëveshje nuk janë kërkesa të OSBE/ODIHR-it. Por unë sërish e marr atë si një paketë për reformën zgjedhore. Deklarova këtu se, edhe sot, jemi të gatshëm të votojmë çdo amendament që ka lidhje me këtë marrëveshje dhe ta votojmë për të hyrë në fuqi menjëherë. Por, dje, zoti Rama deklaroi se ajo marrëveshje nuk ka pasur të bëjë me reformën zgjedhore. Ndërkohë, unë kam menduar se ka patur të bëjë me reformen, sepse opozita e kërkoi këtë për t'u ndier më e sigurt në këto zgjedhje dhe kjo është normale. Nga ana tjeter, çdo veprim nuk është i yni. Unë kam detyrë të zbatoj kërkesat ligjore për partinë time dhe për qeverinë. Për çështje të tjera është KQZ që merr vendime, që bën interpretimin e situatës dhe jo qeveria.
Pyetje: Gjithsesi zoti Kryeministër, a mendoni se brenda këtij afati 40 ditor të mbetur, mund të realizohen standardet e duhura për këto zgjedhje?
Kryeministri Berisha: Absolutisht po Besoj plotësisht në këtë gjë. Pse unë kam këtë besim? Ka një problem, ka një trashëgimi nga zgjedhjet e vitit 2005 dhe kjo trashëgimi ështe lista e zgjedhjeve. Kjo listë nuk është e certifikuar nga unë, as e hartuar nga unë, kjo listë është e çertifikuar nga OSBE dhe ODIHR, i i cili ka kërkuar me shkrim që kjo të vendoset në bazën e listës së zgjedhjeve lokale.Çfarë do të bëhej me të, hiqen personat e vdekur dhe shtohen ata që janë në moshën e votimit. Por, a mund të mendoni ju se, nëse kjo listë nuk do të përbënte një standard të pranueshëm, OSBE/ODIHR do të nguronte t'i thoshte Shqipërisë se kjo listë nuk mund të përdoret?!
Janë disa momente shumë të rëndësishme që ne duhet t'ua qartësojmë qytetarëve. Kjo listë është përcaktuar si dokument bazë për votimin e zgjedhjeve të vitit 2007, pas përditësimit të saj. Ku përditësohet kjo listë? Në 90 përqind të kryeqytetit ajo rishikohet nga minibashkitë e qeverisura nga socialistët, po ashtu në 2/3 e Shqipërisë ku qeverisja vendore kryesohet nga socialistët.
Atëherë çfarë u mungon standardeve? Zoti Kryetar i Partisë Socialiste ka ngritur çështjen e çertifikatave. Por kush i firmos çertifikatat? Certifikatat ne Tiranë, në 90 përqind të tyre, i firmosin minibashkitë e Partisë Socialiste. Ndërsa dje zoti kryetar thoshte se nuk kam të bëj me çertifikatat, por me këtë çështje kanë të bëjnë minibashkitë. Sigurisht, sepse kryetari i partisë, por as kryetari i bashkisë, nuk firmos për këto gjëra, por janë minibashkitë që i ka kandiduar Partia Socialiste. Dhe nuk ka asnjë ankesë nga ne për ta. Në 2/3 e vendit çertifikatat janë të lëshuara po nga zyrtarë të Partisë Socialiste.
Po ashtu, para një viti e gjysmë kam qenë unë që kam ngritur problemin e çertifikatave me vëzhguesit. Absolutisht në fillim më thanë se e ke gabim. Më tej, bënë kontrollin e tyre dhe thanë se vërtet ka një problem serioz me to. Kjo sepse këta zotërinjtë dhanë mijëra çertifikata pa kodin e zyrës së gjendjes civile të zonës. Atëherë, për të mos krijuar më probleme, u përcaktuan rregullat.
Unë propozoj që asnjë qytetar të mos lejohet të votojë në qendrën e tij të votimit me një çertifikatë që nuk ka kodin e zyrës së gjendjes civile, në të cilën ndodhet qendra e votimit. Asgjë nuk është më e sigurt se kjo, sepse ai kod është i rregjistruar në rregjistër dhe minibashkitë janë me drejtim socialist. Kjo është e vërteta. Këto standarde që kërkon opozita kanë vetëm një emërues të përbashkët, që unë, Sali Berisha, Kryetar i PD-së, të vendos t'i le zonë të lirë zotit Edvin Rama, Tiranën. Por unë këtë nuk mund ta vendos kurrsesi këtë, sepse kjo është gjëja më e pakonceptueshme në një vend demokratik, pluralist, me pozitë dhe opozitë. Ju të jeni të sigurt se, në rast se unë vendos për këtë, zotëria e tij do të thotë se këto janë standardet më të shkëlqyera të planetit, se kemi bërë listat më të mira se asnjëherë tjetër, se asnjë certifikatë nuk është dhënë në kundërshtim me rregullat. Por unë këtë nuk e bëj dot, nuk e kam këtë target. Ky është një parim i imi fondamental.
Pyetje: Jemi në vitin e dytë të një krize energjitike, ndërsa për vitin e parë jua akuzuat paraardhësin për këtë krizë, kush do ta mbajë përgjegjësinë në këtë rast?
Kryeministri Berisha: Për sa i përket çështjes së energjisë, ky vit, para të gjithë shqiptarëve, them se ka qenë viti që kanë marrë më shumë energji se në të gjithë kohen, që nga vitet 60 e deri më sot. Kjo është e vërteta pa asnjë lloj diskutimi. Viti u shoqërua nga një thatësirë, të cilën disa duan të thonë se nuk e kanë parë Alpet e Europës prej 1200 vjetësh. Unë nuk i kam këto statistika, por evidente është se kjo është një nga thatësirat më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë, gjë e cila, ka krijuar vështirësi serioze në tregun energjitik europian. Unë mund t'u them se ka dhe kompani të cilat nuk kanë arritur të respektojnë kontratën me ne, në kushtet e kësaj thatësire shumë të madhe.
Unë jam i vetëdijshëm për mungesat e mëdha, por ajo për të cilën dua t'u siguroj, është se, në mënyrë absolute, nuk do të ketë krizë si ajo e vitit që shkoi. Dua t'u siguroj se, në rast se modelimi i praktikës së sivjetshme u bë mbi thatësirën e vjetshme dhe nuk u parashikua një thatësirë e tillë, kjo thatësirë e sivjetshme do të bëhet një e dhënë kryesore në softin e ardhshëm. Në rast se firmat kontratuese do të mund të përgjigjeshin, situata do të ishte shumë më e ndryshme. Po nuk mund të themi se këtë gjë ata e kanë bërë me qëllim. Kemi ndaluar tërësisht, gjatë gjithë vitit, ndërprerjen e energjisë për të pakësuar humbjen, siç është bërë për 8 vjet rresht dhe nuk do të kthehet më kjo praktikë. Mbi eksperiencën e kësaj thatësire që ndodhi, do të përpunohet qëndrimi, jo vetëm për vitin e ardhshëm, por edhe për vitet në vazhdim, sepse ka vetëm një rrugëzgjdhje. Kjo rrugëzgjidhje është kalkulimi i importit që nevojitet dhe unë mendoj se importi është i domosdoshëm. Qeveria do të importojë energji, pavarësisht nga çmimi. Për ne, furnizimi me energji do të jetë përparësi absolute. Por ndodh që krijohen edhe rrethana të paparashikuara.