Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha informoi se po vazhdojnë me intensitet përgatitjet për zgjedhjet lokale. Kryeministri shprehu edhe
Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha informoi se po vazhdojnë me intensitet përgatitjet për zgjedhjet lokale. Kryeministri shprehu edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo përpjekje për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Dëshiroj t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'u informoj, së pari, se përgatitjet e gjithanshme për zgjedhjet vendore vazhdojne me intensitet. Është konkluduar një koalicion i spektrit të djathtë prej 10 forcash politike, më i gjeri që vendi ka njohur në 15 vitet e fundit.
Së dyti, ka një fluks të admirueshëm kandidaturash nga baza, ku për këtë koalicion po kandidojnë forca, intelektualë me përkatësi partiake dhe jopartiake, nga shoqëria civile dhe bota akademike, më shumë se ndonjëherë më parë.
Por, siç po deklaron rëndom, kreu i PS-së ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje. Duhet t'ju informoj se, veçanërisht ditët e fundit, rreth 4 ditë më parë, ai deklaroi se do hyjmë në zgjedhje me kushtin që ose do të fitonte ai, ose zgjedhjet do të ishin të manipuluara. Më pas mori disa sinjale të reja, të cilat e treguan atë të pashpresë. Ai përpiqet të bindë bashkëpunëtorët e tij, duke u thënë se ata nuk humbasin asgjë nga mospjesëmarrja në këto zjedhje, vetëm se dëmtojnë Berishën dhe qeverinë. Kjo është absolutisht motoja që jehon në të gjitha takimet e tyre. Mund t'u them me përgjegjësi të plotë se përveç njeriut me tabelë të zezë, njeri tjetër në atë parti, nuk e do fitoren e tij. Një grup i tyre e bën këtë se mendon se në këtë mënyrë do t'i japë duart më shpejt atij dhe do t'ia marrin partinë. Të tjerë mendojnë se në këtë mënyrë kryetari "de fakto" do të kthehet në skenë më lehtë. Por këto janë kalkulimet e tyre.
Unë, edhe njëherë, dua të zotohem se, bashkarisht jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, të zbatojmë ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi. Ky zotëri, pasi kapi kreun e Partisë Socialiste, me një skenar nga më primitivët në historinë e një vendi, mendoi se listat janë çengeli për ta zvarritur Shqipërinë, për të tërhequr zvarrë të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Pasi dështoi në bllokimin me bori e bilbila të Marrëveshjes së Stabilizim Asoocimit, tani mendon të bllokojë liberalizimin e vizave dhe mendon se për këtë do të fajësohet Berisha dhe qeveria e tij.
Qëndrimi ynë është zbatimi me rigorozitet i kushtetueshmërisë së vendit. Ne ndihemi shërbëtorë dhe jo demonë që të zvarrisim vendin. Ne nuk mund të konceptojmë kurrë, nuk e kemi konceptuar edhe kur ishim në opozitë, se ne mund të tërhiqnim vendin dhe shoqërinë shqiptare zvarrë, vetëm për faktin e të qenit drejtues i një force politike.
Këto zgjedhje nuk janë kongrese partish, nuk janë zgjedhje partiake. Këto zgjedhje janë të shoqerisë shqiptare dhe ajo meriton të ketë një vlerësim maksimal, meriton të nderohet, sepse, në datën 3 korrik, u ngrit mbi dhjetra pengesa dhe provoi rotacionin e pushtetit. Këtë rotacion e pranuan politikanë të të gjithë spektrit, ata që ishin në opozitë dhe ata që ishin në qeveri. Pavarësisht se çfarë kishin me njëri-tjetrin, asnjëri nuk mori përsipër të tërheqë zvarrë vendin e vet. Ky zotëri, ju siguroj se do të përballet me pasojat më serioze dhe askush në Shqipëri nuk do të paguajë një çmim më të shtrenjtë. Natyrisht ai nuk paguan se ikën në Paris. Ai ka gati valixhet, por kjo gjë mbetet një njollë turpi në histori. Ai është një lake pushteti, i rritur dhe i mbrujtur në një familje nomenklature me konceptin e fitimit me të pavlerë dhe inferioritetit të gjithë shoqërisë. Ky është koncepti i nomenklaturës së vjetër. Sapo u përmbys diktatura, ai u largua në Paris dhe jetoi kanaleve, ndërsa tani ka bërë para të pafundme dhe jeton hoteleve.
Ne do të procedojmë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën. Ne do të zhvillojmë një fushatë qytetare, ne do t'u përmbahemi rregullave të vendit. Ai mendon se dëmton vendin, por më shumë se çdo gjë tjetër, dëmton veten e tij.
Shqiptarët po votojnë me listat e tij. 90 përqind e listave hartohen nga punonjësit e tij, por ai e di se nuk mund të bëjë, në 2006, atë që bëri me listat, në 2003. E di se nuk mund të përdorë ‘serial killer' dhe dashnorët e tij, për të rrëmbyer në mesnatë kutitë e votimit. E di se nuk mjaftojnë më as lidhjet e krimit, as lidhjet e trupit për të prishur zgjedhjet. Ai e mendon veten si Zeusi që mund ta tërheqë rrëshqanthi vendin. Zgjedhja është e tij. Unë i bëra një letër, i thashë se ke bërë një zgjedhje fatale.
Ne zotohemi për një fushatë të lirë, të ndershme, ku qytetarët të zgjedhin dhe të lenë mbrapa një debat primitiv për zgjedhjet, sepse asnjë komb i qytetëruar nuk bën më debat për zgjedhjet. U mendua se shqiptarët treguan se 3 korriku, pavarësisht të metat që kishte, por me produktin që prodhoi, me qëndrimin që politikanët mbajtën ndaj këtij verdikti, u arkivua një kapitull i trishtuar. Por duke ngritur çështjen e listave, Kryetari i PS-së thotë ose të më zgjatet mandati aq sa e dua unë, ose listat nuk ua lëshoj nga dora. Tani që e kupton se punonjësit kanë ndër mend të bëjne detyrën e shtetit, u thotë bashkëpunëtorëve, që të mos marrim pjesë në zgjedhje, se kështu dëmtohet Berisha dhe qeveria. Por është vendi, në rradhë të parë, që ai kërkon të dëmtojë.
Unë dua t'u siguroj qytetarëve gjithçka do të zhvillohet me qetësi dhe civilitet, se besimi ynë më i madh është maturia dhe pjekuria e tyre, ndërgjegja e tyre qytetare se vota nuk është e imja, nuk e është e Kryeministrit, nuk është e kryetarit të partisë, por vota është zemra e lirisë, se qytetarët kanë një kulturë elektorale të fituar në këto pesë vjet dhe se do të flasin me votën e tyre.
Unë i garantoj se çdo votë do të numërohet, çdo votë do të vleresohet dhe se ne para këtij bojkoti do t'i bëjmë të gjitha përpjekjet që askush të mos mundet të abuzojë me asnjë votë në asnjë qendër votimi në të katër anët e vendit. Dhe në këtë mënyrë qytetarët nuk mund të lejojnë që askush, kryeministër, president, kryetar partie qoftë, t'i tërheqë ata rrëshqanthi vetëm për karriken e tij, vetëm për interesat e tij personale."