E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën mbarëkombëtare për shëndetin publik, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në mjediset e hotel Tirana International. T

Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën mbarëkombëtare për shëndetin publik, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në mjediset e hotel Tirana International. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i shëndetësisë Maksim Cikuli, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, drejtues të fushës së mjekësisë, mjekë, specialistë të fushës e të ftuar të tjerë.

Kryeministri Berisha siguroi të pranishmit se qeveria qëndron fuqishëm në mbështetje të aktivitetit të punonjësve të shëndetit publik, në mënyrë që ata të përmbushin plotësisht misionin e tyre fisnik në mbrojtje te shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Kryeministri i kërkoi ministrit të shëndetësisë që të rishikohet legjislacioni në këtë fushë dhe t'i krijohen këtij sektori të gjitha lehtësitë në trajtimin e punonjësve, si dhe të gjitha fuqitë ligjore që ata meritojnë. Këta punonjës, tha Kryeministri, duhet të trajtohen në mënyrë të atillë që të jenë të motivuar për të përmbushur misionin e tyre nga Konispoli deri në Tropojë.

Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri këto komente:

"Është nder i veçantë për mua t'u përshëndes shumë përzemërsisht, ju, punonjësve të shëndetit publik, që i jeni përkushtuar misionit më fisnik, më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, ruajtjes, mbrojtjes, zhvillimit të shëndetit të qytetarëve shqiptarë, nga të sapolindurit, deri në moshën e tretë.

Ky mission, i bazuar në një doktrinë multidimensionale, në një doktrinë ndërdisiplinore, përbën padyshim misionin më të rëndësishëm, natyrisht edhe më të vështirin e misioneve të tjera. Punonjësit e shëndetit publik japin një ndihmesë të jashtëzakonshme në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Janë ata që me programet e tyre, me punën dhe zbatimin e këtyre programeve, parandalojnë dhjetëra e dhjetëra sëmundje të ndryshme, të cilat do t'u kushtonin shoqërisë dhe qytetarëve jetë dhe mundime të mëdha. Janë këta punonjës të cilët përballen nga mëngjesi deri në darkë, 24 orë në 24 orë, me agresorët e shëndetit publik të të gjitha natyrave, jo vetëm viral dhe mikrobial, por fatëkeqësisht shoqëror, administrativë dhe të të gjitha llojeve. Janë punonjësit e shëndetit publik të cilët përballen me agresionin mjedisor ndaj shëndetit të qytetarëve.

Dua t'ju siguroj se, në të gjitha rastet, qeveria dhe Kryeministri qëndron dhe do të qëndrojë fuqishëm prapa jush. Ju nuk duhet të tërhiqeni nga asgjë dhe para asgjëje në misionin tuaj fisnik. Ju nuk duhet të përkuleni para asnjë presioni, cilido qoftë ai, për të përmbushur misionin tuaj të madh ndaj fëmijëve, të rinjve, të rejave, burrave dhe grave, të moshuarve të Shqipërisë.

Çdo ditë ka një apel më të fuqishëm, çdo ditë e më e madhe bëhet thirrja ndaj jush për të mbrojtur dhe zhvilluar shëndetin e qytetarëve. Transformimi i ekonomisë së planifikuar me ekonominë e tregut, largimi nga teknologjitë e vjetra ishin një shans i madh për vendin, ishin një shans i vërtetë për qytetarët, për të jetuar në një mjedis shumë më të shëndetshëm. A ndodh kjo? Jo, nuk po ndodh, sepse ndotës të tjerë kanë zëvendësuar ndotësit e vjetër dhe kanë bërë që qytetet tona, në mënyrën më të pamerituar, të jenë ndër më të ndoturat. Përveç Elbasanit, edhe Tirana ka një ndotje të madhe. Kjo është e vërteta. Shumë e shumë vite më parë udhëtoja në Qafë Kërrabë me një mikun tim të huaj. Qyteti ishte i mbuluar në tym. Hymë në qytet dhe ndërsa pinim një kafe, brenda në të gjetëm edhe hi. Kur nuk kishte erë, binte hiri i kombinatit. Miku im më tha se ky qytet ishte qyteti i dytë në botë më i ndotur që kishte parë deri më sot.

Tani kombinati nuk është më atje, por është te sheshi Skënderbej. Pjesa e Tiranës brenda unazës është nga më të ndoturat. Dy janë ndotësit kryesorë; karburantet me të cilat realisht po punohet dhe do të punohet. Dhe në këtë drejtim unë ju garantoj se qeveria do të përmbushë detyrimet e saj, se ka kthyer ngarkesa të tëra dhe do të vazhdojë të kthejë, sikundër do të konsiderojë të ndalojë tregëtimin brenda vendit tërësisht të naftës së prodhuar në Shqipëri, si një ndotës madhor, Por nga ana tjetër janë ndërtimi i rrugëve dhe pallateve, ku vihet re një papërgjegjshmëri totale që zhyt në zhul dhe pluhur qytetin, që e bën të ngjashëm me qytetet e baltës, në një kohë kur nuk është i tillë. Kjo ndodh sepse nuk imponohet asnjë nga standardet për të të mbrojtur shëndetin.

Ndaj unë ju bëj thirrje ju dhe i kërkoj ministrit të shëndetësisë të rishqyrtojmë të gjithë legjislacionin, ku punëtori i shëndetit publik të ketë fjalën e fundit më të fuqishme ndaj cilitdo zyrtar apo jo zyrtar që merr përsipër të dëmtojë shëndetin e të tjerëve. Le ta rishqyrtojmë këtë legjislacion, le ta shqyrtojmë me themel qëndrimin ndaj punëtorëve të shëndetit publik, sepse është e vërtetë që ka një gjysmë braktisje të kësaj detyre të rëndësishme në shumë qytete dhe qyteza të vendit. Atëherë ne duhet të studiojmë me shpejtësi të madhe shkaqet. Punonjësit e shëndetit publik duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe ne të mos përdorim vetëm ato format e shtimit të përqindjes së vështirësisë apo të tjera të tilla, por këta punonjës të trajtohen në mënyrë të atillë që të jenë të motivuar për të përmbushur misionin e tyre nga Konispoli deri në Tropojë. Sepse këta punonjës janë jetikë, jo vetëm për shëndetësinë, por për mbarë shoqërinë shqiptare.

Unë dua të përshëndes punën që bën Instituti i Shëndetit Publik, të përgëzoj nismat e rëndësishme të këtij instituti për kualifikimin e punonjësve të shëndetit publik. Sikundër, dua ta siguroj drejtorin e këtij Instituti dhe të gjithë punonjësit se, qeveria është e vendosur ta mbështesë fuqimisht këtë Institut dhe kërkon prej tij vendosmëri të plotë që të mbrojë standardet në të gjitha fushat.

Ne jemi një vend i varfër, por unë ju garantoj se mundësitë tona për të mbrojtur shëndetin janë shumë herë më të mëdha nga këto të cilat ne dëshmojmë sot, janë të gjithanshme, janë financiare, janë njerëzore. Ndaj duhet një këndvështrim i ri. Uroj që kjo konferencë të shërbejë si një veprimtari për të zhvendosur në një nivel të ri, në një pjedestal të ri, punën, veprimtarinë e Institutit dhe të të gjithë punonjësve të shëndetit publik në mbarë vendin.

Unë ju siguroj se mendimet tuaja, propozimet tuaja, qeveria i mirëpret dhe është e vendosur t'i shndërrojë ato në norma ligjore dhe nënligjore, në mënyrë që misioni juaj të përmbushet sa më mirë.

Pak kohë më parë kaluam ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në mjediset publike. Ndjeja keqardhje kur diskutohej se cila polici ta zbatonte atë. Le ta zbatojnë këtë ligj punonjësit e shëndetit publik, me dorë të hekurt, sepse ata më shumë se kushdo tjetër e dinë dhe e kanë të qartë se çfarë armiku i egër është për shëndetin e njeriut nikotina dhe nënproduktet e saj. Ata mund t'i bëjnë këtij armiku të shëndetit betejën më të fuqishme, sepse kanë vetëdijen e plotë se sa e dobishme është kjo për qytetarët, për fëmijët, për familjarët, për shoqërinë në tërësi.

Ndaj, edhe njëherë zoti ministër, le t'i referohemi legjislacionit shqiptar dhe t'i japim këtij sektori të gjitha fuqitë ligjore që ai meriton. Në këtë sektor punojnë mjekë, biologë, kimistë, inxhinierë, specialistë të zhvillimit të qëndrueshëm, specialistë të mjedisit, pra ekspertë të të gjitha fushave. Le t'u krijojmë këtyre punonjësve të gjitha mundësitë dhe mbështetjen dhe unë kam bindje të plotë se ne do të mund të nisim të shkruajmë një kapitull të ri të domosdoshëm në mbrojtjen, zhvillimin, konsolidimin e shëndetit publik, si faktori më i çmuar për çdo njëri, për çdo qytetar, për shoqërinë në tërësi.

Edhe njëherë, dua t'ju përshëndes për organizimin e kësaj konference, përshëndes ju, të gjithë përfaqësuesit që kanë ardhur nga Kosova dhe dua të shpreh bindjen se ju dispononi të gjithë aftësitë dhe mundësitë që t'i dilni për zot këtij problemi madhor, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të kenë një shëndet më të mbrojtur, më të sigurt dhe të ecin drejt zhvillimit, promovimit të tij. Faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›