E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha përshëndeti 60 vjetorin e krijimit të UNICEF-it gjatë një takimi koktej, organizuar në ambientet e hotel Sheraton. Kryeministri vlerësoi punën dhe ko

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha përshëndeti 60 vjetorin e krijimit të UNICEF-it gjatë një takimi koktej, organizuar në ambientet e hotel Sheraton.

Kryeministri vlerësoi punën dhe kontributin e UNICEF-it në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, duke siguruar për intensifikimin e partneritetit dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe UNICEF-it në dobi të fëmijëve. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

"Dëshiroj t'ju përshëndes dhe t'i uroj organizatës suaj 60 vjetorin e themelimit, t'ju uroj për trashëgiminë e shkëlqyer që UNICEF ka krijuar në këto 60 vjet si një avokat i të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre në të katër anët e planetit dhe në Shqipëri.

Një mirënjohje të thellë dua t'i shpreh kësaj organizate për punën tejet të çmuar që ka bërë gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Në një partneritet të shkëlqyer me qeveritë, shoqatat joqeveritare dhe komunitetin e biznesit, UNICEF ia ka dalë të realizojë programe të rëndësishme në Shqipëri si mbrojtja e shëndetit të fëmijëve nëpërmjet vaksinave, hartimi i ligjeve shumë të rëndësishme për mbrojtjen e të dretave të tyre, hartimi i strategjisë kombëtre për të drejtat e fëmijëve, krijimi e njësisë së kujdesit dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe në shumë aspekte të tjera.

Dua të siguroj të gjithë punonjësit e UNICEF-it në Shqipëri se qeveria vlerëson shumë kontributin e tyre dhe është e gatshme të intensifikojë partneritetin dhe bashkëpunimin në interes të fëmijëve tanë.

Shfrytëzoj rastin për të përshëndetur përzemërsisht mesazherët e sotëm. Ata sollën këtu mesazhe shumë të sinqerta, të qarta si kristali dhe të rëndësishme për vendin. Përshëndes, gjithashtu, të gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo ku janë në Shqipëri dhe t'i siguroj se qeveria nuk do të kursejë asgjë për t'u garantuar atyre një mjedis të qetë dhe të sigurtë, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre si të drejtat më të ndjeshme të një shoqërie, të bëjë çdo përpjekje për të mbrojtur dhe zhvillojë shëndetin e tyre, të mbrojë mjedisin në të cilin jetojnë në mënyrë që ata të rriten në mjedisin që meritojnë dhe të modernizojmë sistemin e edukimit të tyre. Në këtë kontekst, të luftojmë me tolerancë zero analfabetizmin, të krijojmë mundësi reale brenda një kohë të shkurtër që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9 vjeçare të vazhdojë shkollën e mesme, të mbajmë plotësisht të hapura dyert e universiteteve për ta dhe të bëjmë çdo përpjekje që sa më shpejt të realizojmë programin "Shqipëria në moshën e internetit", që në fakt do të thotë Shqipëria në moshën e tyre, si dhe të bëjmë çdo përpjekje që ata të punësohen në vendin e tyre. Energjia dhe projekti i tyre për Shqipërinë janë vendimtare për fatin e qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërinë.

Edhe një herë përshendetje të përzemërta për mesazhet e shkëlqyera që përcollët sot para nesh dhe para mbrarë Shqipërisë. Gëzuar festën."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›