Kryeministri Berisha jep një intervistë për gazetën, Wall Street Journal

Kryeministri Berisha dha sot një intervistë për zv/Drejtorin e Zyrës së Gazetës Wall Street Journal për Europën Juglindore dhe Veriore , z. Marc Champion.
Në këtë intervistë gazetari Champion shfaqi interesin e tij lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës , situatën në rajon, potencialet e Shqipërisë si dhe integrimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO.
Në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës, shpallja e së cilës do të bëhet në një kohë të shpejtë, sigurisht do të ketë një reagim jo të mirë të Serbisë. Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se vendet e rajonit do të reagojnë mirë, pasi e dinë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë për stabilitetin e rajonit.
Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia do të ketë gjithashtu një efekt pozitiv edhe për shkakun se do të çojë në një zgjidhje të shpejtë të tranzicionit nacionalist në Serbi, duke shtuar se sa më shpejt të shpallet pavarësia në Kosovë aq më shpejt Serbia do të lërë pas të shkuarën e saj të hidhur dhe do të shohë drejt një të ardhmeje integruese në Europë.
Në lidhje me insinuatat e “Shqipërisë së Madhe”, Kryeministri Berisha theksoi se kur ra Muri i Berlinit shumë gjermanë nga Gjermania Lindore kaluan në Gjermaninë Perëndimore dhe nuk dëshironin të ktheheshin në vendin e tyre, ndërsa kur u deportuan kosovarët gjatë luftës në Kosovë dhe erdhën në Shqipëri ata pas një jave u kthyen në vendin e tyre. Kryeministri Berisha nënvizoi se që në vitin 1991 ka parë vetëm një ide të kosovarëve për një shtet të tyre dhe absolutisht jo idenë e Shqipërisë së Madhe.
Përsa i përket mundësisë që të ketë dhunë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ai nuk e përjashton mundësinë që Beogradi të manipulojë disa grupe të caktuara serbe, por shtoi se autoritetet e huaja që janë në Kosovë i kanë idetë shumë të qarta dhe do të sigurojnë paqen dhe stabilitetin e kosovarëve dhe pakicave serbe që jetojnë në Kosovë.
Kryeministri Berisha foli gjithashtu gjatë intervistës për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin theksoi se procesi po ecën me ritme shumë të mira edhe si pasojë e reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare në shumë fusha.
Kryeministri nënvizoi se më përparësi kanë lufta kundër krimit të organizuar, për të cilën qeveria që nga ardhja në pushtet i ka shpallur zero tolerance, duke evidentuar faktin se Shqipëria ka një nga indekset më të ulëta të krimeve në Europë. Megjithë bumin turistik që ka pasur Shqipëria në këto vite, me një rritje 74 % në dy vitet e fundit, vijoi Kryeministri Berisha, nuk është shënuar asnjë incident me turistët.
Gjithashtu, vijoi Kryeministri Berisha, një rol të rëndësishëm në këtë proces, ka luajtur lufta që ka ndërmarrë qeveria shqiptare kundër korrupsionit, i cili dikur ishte kthyer në sistem. Ne, tha Kryeministri, kemi ndërtuar standarde të reja për administratën publike që nuk lejojnë përdorimin e parave publike për qëllime personale dhe kemi nxjerrë administratën tonë jashtë konflitkit të interesave. Kështu shpenzimet operative nga 3 % kanë shkuar në 2.1 % të GDP-së.
Kryeministri vuri në dukje se projektet e suksesshme të Programit Millenium Challenge siç është prokurorimi elektronik, taksat online, doganat online si dhe projekti one-stop-shop, kanë ndikuar në uljen e korrupsionit.
Shqipëria, vlerësoi më tej Kryeministri Berisha po ecën mirë në procesin për anëtarësimin në BE si pasojë e reformave dhe revolucionin në sistemin e saj fiskal me uljen e taksave, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha vlerësoi se në këtë drejtim shkojnë edhe nisma të tjera si ‘Shqipëria 1 euro’ etj që kanë për rrjedhojë rritjen e eksporteve me 26 %, rritjen ekonomike 6 % dhe që ka një tendencë pozitive. Shqipëria gjithashtu ka pasuri të mëdha natyrore, për të cilat qeveria po punon për shfrytëzimin e tyre, me një bregdet prej 400 km një pjesë e madhe e tij ende e pashfytëzuar, pasuri hidrike të mëdha, për të cilat qeveria po punon për shfrytëzimin e tyre nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve të reja në kaskada, duke qenë se Shqipëria është edhe vendi me lartësinë më të madhe në pendencë në Europë. Qeveria po punon gjithashtu edhe për balancimin e energjisë hidrike me burime të tjera alternative.
Me shumë interes në Shqipëri është industria e çimentos, potenciale të mëdha vedi ynë ka edhe në minerale, nënvizoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se për zbulimin e mineraleve po përgatitet një masterplan nga kompani të mëdha, të cilat po kryejnë studime. Në këtë fushë Kryeministri vlerësoi se Shqipëria është e pasur në krom, në nikel, në hekur dhe në baokside, duke shtuar se rezervat në nikel mendohet të jetë akoma më të mëdha se sa ato të kromit, për të cilat Shqipëria renditet e treta në botë.
Përsa i përket anëtarësimit në NATO, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryeministri vlerësoi se qytetarët shqiptarë mbështesin në masën 94 % anëtarësimin në NATO duke shtuar se Shqipëria është e pranishme me trupat e saj në operacione të ndryshme paqëruajtëse në Bosnje, Afganistan dhe Irak dhe po përgatitet të dërgojë trupa edhe në Darfur.
Duke e vënë theksin në dyfishimin e buxhetit për ushtrinë dhe krijimin e një ushtrie të vogël, por moderne Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria do të jetë vërtetë një forcë e rëndësishme në bashkësinë e NATOs, e cila nuk është vetëm një forcë politiko-ushtarake, por edhe një shtysë për ekonominë shqiptare në të ardhmen.