Kryeministri takon drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, pjesëmarrës në Forumin e Davosit

- Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon
Kryeministri Berisha, i cili është dhe personaliteti i vetëm nga rajoni i Ballkanit, i ftuar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit, gjatë punimeve të këtij Forumi u takua dhe bisedoi edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në projektin "Një OKB" për reformimin e kësaj Organizate. Zoti Ban Ki Moon ka mirëpritur ftesën e Kryeministrit Berisha për të vizituar vendin tonë.
Kryeministri Berisha u takua dhe me Presidentin e Bankës Qendrore Europiane Jean-Claude Trishe, i cili përgëzoi Kryeministrin për përparimin e Shqipërisë në zhvillimin e ekonomisë, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin social të qëndrueshëm.
Kryeministri Berisha pati një takim edhe me ambasadorin e SHBA-së në OKB Khalilzad, i cili së shpejti do të vizitojë Shqipërinë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e Bankës Botërore Robert Zoellig, i cili ka vlerësuar lart ritmet me të cilat po ecën zhvillimi i Shqipërisë, duke u ndalur veçanërisht në reformat fiskale dhe luftën e pandërprerë kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha siguroi Presidentin Zoellig për zgjerimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore, si dhe për vazhdimin me vendosmëri të reformave dhe zbatimin e tyre.
Në vazhdim të bisedës me Princin e kurorës së Bahreinit Al Khalifa, Kryeministri Berisha zhvilloi sot edhe një takim me Presidentin e Oborrit të tij, Sheikun Al Khalifa. Ndër të tjera, ata u ndalën në mundësitë e investimeve të Bahreinit në Shqipëri në fushën e turizmit, atë energjetike dhe në fusha të tjera të ekonomisë.
Kryeministri Berisha u takua sot në Davos edhe me kryeministrin e Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, i cili e përgëzoi kryeministrin Berisha për progresin e gjithanshëm të Shqipërisë dhe arritjen e një stabiliteti ekonomik. Kryeministri danez Rasmussen i tha Kryeministrit Berisha se ne pranvere do te vizitojë Shqipërinë.