Kryeministri Berisha takon Presidentin e Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, z. Tachi Yamada

Në vijim të takimeve, në Davos të Zvicrës, ku po zhvillon punimet Forumi Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Fondacionit "Bill & Melinda Gates" z. Tachi Yamada.
Ky është një nga fondacionet më me influencë dhe më të pasurit në të gjithë botën.
Pasi e njohu Presidentin Yamada me zhvillimet në Shqipëri dhe me progresin në realizimin e reformave nga qeveria shqiptare, Kryeministri Berisha e ftoi atë të dërgojë në vendin tonë një mision të këtij fondacioni, me qëllim ndihmën dhe mbështetjen e arsimit shqiptar.
"Ne jemi të interesuar veçanërisht në aspektin e ndihmës nga Fondacioni Juaj për bibliotekën dixhitale, e cila është e domosdoshme për studiuesit shqiptarë" u shpreh Kryeministri Berisha.
Presidenti Yamada dhe Kryeministri Berisha biseduan gjithashtu edhe për ndihmën e çmuar që ky fondacion mund të ofrojë për politikat shëndetësore në çrrënjosjen e tuberkulozit dhe veçanërisht në vaksinimin kundër kësaj sëmundjeje dhe shumë të tjerave që cënojnë shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Presidenti i Fondacionit, “Bill & Melinda Gates”, pasi e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik, politik e social të saj, u shpreh se do të vizitojë vendin tonë në një kohë sa më të afërt.
Presidenti Yamada e siguroi Kryeministrin Berisha se do të shqyrtojë përhapjen dhe zbatimin e këtyre programeve sociale dhe shëndetësore në Shqipëri.