Vrasja e 2 policëve, shkon në gjykatë “Afrim Hasani”, dosja e plotë
Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se ajo ka përfunduar hetimet ndaj Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy efektivave të Policisë Rrugore në qytetin e Kukësit dhe po dje, dosja shkoi në gjykatë.
Më poshtë vijon me shkurtime kërkesa për gjykim:
Mbi bazë vendngjarjeje, më dt 24.03.2009, Prokuroria për Krime të Rënda, Tiranë ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të shtetasit Afrim Avdi Hasani, i dt. 08.11.1975, lindur në fshatin Petkaj komuna Malzi, Kukës e banues në Shënmri, komuna Malzi Kukës, i dyshuar se ka vrarë në krye të detyrës dy punonjësit e policisë së qarkut Kukës, konkretisht shtetasit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga nenet 79 germa “c” dhe “ç”, dhe 278/2 të K. Penal.
Nga rrethanat hetimore të çështjes provohet se dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, kanë qenë me detyrë Inspektorë Policie në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Kukës, vend-shërbim patrullë policie në aksin rrugor nacional Kukës-Tiranë. Hetimi ka provuar se i pandehuri Afrim Hasani i vitlindjes 1975 ka qenë me banim në fshatin Petkaj Shënmri komuna Malzi, Kukës. Është provuar se i pandehuri Afrim Hasani ka qenë i pa punë dhe që nga fundi i viti 2007, ku kishte qenë emigrant ekonomik në Finlandë, nuk kishte emigruar më jashtë shtetit, por jetonte në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj së bashku me gruan, Alketa Hasani, dy vajzat 4 dhe 2 vjeçe, nënën tij, Nurije Hasani, dhe babin e tij, Avdi Hasani. Gjatë periudhës që kishte qëndruar në Shqipëri i pandehuri Hasani është proceduar nga autoritetet gjyqësore të rrethit Kukës për veprën penale të “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, ku dhe është dënuar në vitin 2008 nga gjykata e rrethit gjyqësor, Kukës me 4 muaj burg. Nga provat e grumbulluara u arrit të provohej se më dt. 16.03.2009 në qendër të fshatit Shënmri, Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja ka hyrë me forcë shtetasi Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. Pikërisht në këtë moment shtetasja Adriana Brinja ka komunikuar me efektivat e policisë që ndodheshin në fshatin Shënmri, konkretisht policët Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi duke iu kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Afrimi kishte shkaktuar në lokalin e saj. Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila, kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë për të bllokuar automjetin, me të cilin lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Rreth orës 15 e 15 minuta, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip Benz Mercedes D 240 ngjyrë e kuqe me targë KR 3778 A, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit nga punonjësit e policisë është konstatuar se në timon të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia. Pasi kanë ndaluar makinën, menjëherë punonjësit e policisë iu kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit. Në këtë moment i pandehuri Afrim Hasani është konfliktuar me punonjësit e policisë veçanërisht me policin Shkëlzen Dobrusha, konflikt që në fillim ka nisur me fjalë e më pas është shoqëruar me zënka deri në përdorimin e dhunës fizike në mënyrë të ndërsjellë mes policëve dhe të pandehurit Afrim Hasani. Pas këtij konflikti me policët i pandehuri Afrim Hasani së bashku me shoqëruesit e tij në makinë është larguar nga vendi ku është konfliktuar më punonjësit e policisë duke lënë në rrugë makinën në të cilën ishte si pasagjer. Tre punonjësit e policisë menjëherë kanë njoftuar sallën operative të Drejtorisë së Policisë së qarkut Kukës, ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forca policore. Menjëherë është shoqëruar për në polici shtetasi Mentor Hila së bashku me mjetin e tij tip Benz me targë KR 3778 A dhe është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Zamir Avdia, Genc Avdia dhe Afrim Hasani. Pas kontrollit të banesës është bërë shoqërimi për në komisariat i shtetasve Zamir Avdia dhe Genc Avdia, ndërsa i pandehuri Afrim Hasani nuk është bërë e mundur të gjendej, pasi i është fshehur policisë. Pikërisht në lidhje me këtë ngjarje punonjësit e policisë Ramadan Hila, Shkëlzen Dobrusha kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të “Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, kallëzim i cili është regjistruar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Kukës si procedimi penal nr. 59. viti 2009 në ngarkim të të pandehurit Afrim Hasani, i dyshuar se ka kryer veprat penale të parashikuara nga neni 236/2 i K. Penal. Meqenëse në harkun kohor prej 4 orësh i pandehuri Hasani dyshohej se ka kryer veprat penale të “Shkatërrimit të pronës” dhe “Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë”, më dt 18.03.2009 është vendosur të bashkohej procedimi penal nr. 58 (procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases Adriana Brinja), me procedimin penal nr. 59, ku të dy procedimet janë hetuar si procedimi penal nr. 59 për veprat penale të parashikuar nga nenet 150 dhe 236/2 të K. Penal në ngarkim të pandehurit Afrim Hasani. Në lidhje me këtë ngjarje prokuroria e rrethit gjyqësor, Kukës në bazë të deklarimeve të shtetases Adriana Brinja ka regjistruar më dt 18.03.2009 procedimin penal nr. 58 për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës”, vepër penale e parashikuar si krim nga neni 150 i K. Penal në ngarkim të shtetasit Afrim Hasani. Vlen për t’u përmendur se në lidhje me procedimin penal nr. 58, më dt 24.03.2009 nga ana e ekspertit Mersin Halilaj është kryer akti i ekspertimit Vlerësues nr. 3 i dëmeve të shkaktuara në lokalin e shtetases Adriana Brinja si rrjedhojë e veprimeve të dhunshme të ushtruara nga i pandehuri Afrim Hasani. Nga ekspertimi vlerësues nr. 3, dt. 24.03.2009 është konkluduar se në lokalin e shtetases Lumturi Brinja është shkaktuar një dëm, i cili kap vlerën 6240 lekë të reja. Duke u nisur nga vlera e dëmit të shkaktuar për këtë fakt kriminal i pandehuri Afrim Hasani nuk mund të akuzohej për veprën penale të shkatërrimit të pronës, pasi vlera e dëmit të shkaktuar nuk kapte minimumin e përcaktuar nga dispozita për t’u akuzuar ky person për veprën penale të parashikuar nga neni 150 i K. Penal (minimumi 20.000 lekë të reja për subjekte private). Mbi këtë bazë, më dt. 04.04.2009, organi procedues ka pushuar hetimet për veprën penale të shkatërrimit të pronës së shtetases Adriana Brinja, bazuar në nenin 328/1, germa “b” të K. Pr. Penale.
Në lidhje me rrethanat e ngjarjes organi procedues arsyeton se ka qenë pikërisht ngjarje e dt. 16.03.2009 ndodhur në qendër të fshatit Shënmri, konflikti i krijuar me punonjësit e policisë dhe kallëzimi i bërë nga punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila në prokurori, motivi i vetëm që ka shtyrë të pandehurin Afrim Hasani të kryente aktin kriminal të dt. 23.03.2009.
Siç deklaron vetë i pandehuri Afrim Hasani në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit të arrestuar, se më dt. 18.03.2009 ai ka mësuar nga Zamir Avdia se policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila kanë bërë kallëzim ndaj tij për veprën penale të parashikuar nga neni 236/2 i K. Penal. Kjo ka qenë dhe arsyeja që policia ka shkuar për kontroll në banesë e tij më dt. 16.03.2009, e për këtë fakt ai ka vendosur të hakmerret ndaj dy efektivave të policisë duke i vrarë ata. Pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip AK me nr. 14214879, të cilin, siç deklaron dhe vetë, e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e dt. 23.03.2009 me këtë armë i pandehuri Afrim Hasani ka qëlluar në fillim në shenjë hakmarrjeje ndaj makinës së shtetasit Mentor Hasani, me të cilën lëvizte më dt. 16.03.2009 duke dëmtuar makinën veçanërisht në kofano, parafango dhe në pjesët anësorë të xhamave. Nga akti i ekspertimit tekniko-vlerësues dt. 28.03.2009, mbajtur nga eksperti Haxhi Visha. ing mekanik përcaktohet se në automjetin tip Benz Mercedes seria 240 D ngjyre e kuqe me targë KR 3778 A është shkaktuar një dëm që kap vlerën 29.000 lekë të reja. Kjo ka qenë dhe arsyeja që organi procedues e ka akuzuar të pandehurin Afrim Hasani për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës” parashikuar nga neni 150 i K. Penal.
Rreth orës 20 e 30 -21 të dt 23.03.2009 duke ditur lëvizjet e punonjësve të policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, me të cilët ishte konfliktuar një javë me parë, i pandehuri Afrim Hasani me armë automatike ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka hapur zjarr në drejtim të dy punonjësve të policisë, konkretisht dy shtetasve, të cilët e kishin kallëzuar në prokurori si autor të ngjarjes së dt. 16.03.2009. duke i lënë që të dy të vdekur në vend me plumba në kokë. Menjëherë pasi ka kryer një krim të tillë, i pandehuri Afrim Hasani është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka telefonuar të afërmit e tij për t’iu treguar ngjarjen. Kështu, nga telefoni i tij celular, telefon i regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, Alketa Hasani, ai ka telefonuar vjehrrin e tij (dëshmitarin Skënder Dervishi), të cilit i ka thënë se “kam vrarë dy policë, ik e merr vajzën dhe amanet dy vajzat e mia, pasi do të vras veten.” Më pas i pandehuri ka kryer telefonatë me motrën e tij, Nazmije Popa, së cilës i ka komunikuar të njëjtin fakt duke i thënë që “të njoftonte vëllezërit të ruheshin nga gjakmarrja dhe amanet fëmijët”. Pasi ka komunikuar dhe me bashkëshorten e tij, Alketa, së cilës i ka treguar për ngjarjen, i pandehuri Afrim Hasani ka fikur telefonin dhe së bashku me armën e krimit është larguar në drejtim të fundit të fshatit të tij, ku ka shkuar dhe është strehuar në banesën e shtetasit Miftar Miftari, e cila ka qenë një banesë e pabanuar, vend ku është arrestuar në flagrancë më dt. 24.03.2009, ora 12 së bashku me armën e krimit.