Rekrutohet ushtar me forcë, në koma 18-vjeçari që u hodh nga kamioni ushtarak
Mësohet se drejtuesit e repartit ushtarak të Bunavisë janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë aksidentin e rëndë. Jo vetëm kaq, por ata kanë vendosur se, nëse do të mbijetojë, 18-vjeçari Izmir Gjoka do të procedohet penalisht për veprën e “Dezertimit”
Një i ri nga qyteti i Kukësit, që është rekrutuar me forcë ushtar, ndodhet në gjendje kritike, pasi në tentativë për t’u arratisur është shtypur nga ana e kamionit ushtarak. Izmir Gjoka, 18 vjeç, është aksidentuar katër ditë më parë në repartin ushtarak të Bunavisë, ndërsa drejtuesit e këtij reparti e kanë mbajtur të fshehtë ngjarjen e rëndë. Ai është sjellë gjatë ditës në Spitalin Ushtarak, ndërsa punonjësit e këtij spitali thanë se ai është në koma dhe po lufton me vdekjen. Reparti ushtarak i Bunavisë është kthyer në një ferr të vërtetë për të rinjtë, të cilët, pasi rekrutohen me forcë dhe pa paralajmërim, madje dhe pa lajmëruar familjarët e tyre, dërgohen në këtë repart. Vetëm pak ditë më parë, në këtë repart janë dërguar mbi 120 rekrutë të rinj me forcë.
Ngjarja
Izmir Gjoka prej katër ditësh po lufton me vdekjen, teksa ndodhet në koma. I riu nga Kukësi, gjatë tentativës për t’i shpëtuar detyrimit ushtarak, duke qenë se e kishin rekrutuar me forcë, është hedhur nga kamioni ushtarak, me të cilin po transportohej në repartin ushtarak të Bunavisë. Mësohet se 18-vjeçari është hedhur nga automjeti në kohën që ky i fundit ka qenë në ecje dhe për pasojë është shtypur në pjesën e kokës, duke marrë kështu plagë të rënda. Pas ngjarjes së rëndë, e cila ka ndodhur katër ditë më parë, i riu është transportuar në spitalin rajonal të Vlorës, ku dhe është mjekuar. Por, duke qenë se gjendja e tij nuk është përmirësuar, punonjësit e spitalit të Vlorës e kanë dërguar dje atë në Spitalin Ushtarak. Sipas punonjësve të spitalit, i riu nga Kukësi ka pësuar çarje të kafkës dhe tashmë ndodhet në gjendje kritike për jetën. Këta të fundit bënë të ditur se shanset e tij për të mbijetuar janë të pakta, pasi plagët e shumta kanë bërë që 18-vjeçari të hyjë në koma. Ndërkohë, drejtues të repartit ushtarak të Bunavisë, në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja, dhe drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, mësohet se nuk kanë dhënë shpjegime për këtë rast. Madje, këta të fundit kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë atë. Jo vetëm kaq, po ata kanë vendosur se, nëse do të mbijetojë, 18-vjeçari Izmir Gjoka do të procedohet penalisht për veprën e “Dezertimit”. Mësohet se Izmir Gjoka nga Kukësi ishte pjesë e kontingjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me dhunë ditët e fundit për të plotësuar numrin e rekrutëve që do të kryenin shërbimin ushtarak të detyruar. Ai u dërgua 4 ditë më parë në Bunavi, për kryerjen e stërvitjes bazë që bëhet në këtë repart, përpara shpërndarjes në pika e reparte të ndryshme të vendit. Sipas familjarëve të të riut, ai është marrë rekrutuar dhunshëm nga ana e oficerëve të Policisë Ushtarake, edhe pse nuk kishte dëshirë të kryente shërbimin e detyruar ushtarak. Këta të fundit bënë pikërisht shtetin përgjegjës për ngjarjen e rëndë, pasi, si pasojë e dhunës së ushtruar nga oficerët e policisë, i afërmi i tyre tentoi dezertimin, gjë që mund edhe t’i kushtojë jetën.
Rekrutimi me forcë
Prej disa ditësh, Policia Ushtarake, në bashkëpunim me policinë e rendit, pasi kanë konkluduar dhe me degët ushtarake të rekrutëve në disa qytete të Shqipërisë, kanë ndërmarrë një aksion të gjerë për të mbushur radhët me ushtarë në sezonin e grumbullimit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mësohet se këta të fundit rekrutojnë me forcë të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe dërgohen në Bunavi për kryerjen e stërvitjes bazë, me qëllim pastaj shpërndarjen në gjithë repartet ushtarake të vendit. Të rinjtë janë nga të gjitha qytetet e vendit. Stërvitja në brigadën e stërvitjes bazë në Bunavi zgjat 9 javë dhe pas kësaj ushtarët shpërndahen drejt reparteve të tjera në vend. Por, mënyra e rekrutimit me forcë të ushtarëve ka sjellë reagimin e ashpër të familjarëve të këtyre të fundit, të cilët ditën e diel madje kanë kryer një protestë para repartit të Bunavisë. Kjo pasi, sipas tyre, përveçse oficerët e Policisë Ushtarake ua marrin fëmijët me dhunë, nuk i lajmërojnë se ku i kanë çuar. Të afërm dhe prindër të rekrutëve të rinj pohojnë se u kanë marrë fëmijët pa u bërë me dije një adresë të tyre. “Flitet se ushtria jonë do të ketë ndryshime, flitet se kemi hyrë në NATO. Nuk besoj se këto janë standardet që kërkon NATO. Edhe në kohën e Turqisë, nuk veprohej kështu”, - thotë një prej prindërve, të cilit i kanë marrë djalin ushtar me anë të forcës dhe duke mos i treguar vendin se ku e kishin çuar. Një situatë e tillë pranë repartit të Bunavisë u krijua edhe në muajin janar, ku shumë prindër akuzuan ushtarakët se po vepronin në mënyra primitive, akuza këto që u hodhën poshtë nga drejtues të kësaj baze. Aktualisht në këtë repart ndodhen 1200 ushtarë, në një kohë që 350 i janë shtuar vetëm përgjatë kësaj jave.