ISHP siguron: Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me gripin e derrave
Organizata Botërore e Shëndetit ka dhënë alarmin për përhapjen e gripit të derrave në gjithë botën, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë është përpjekur të ulë panikun. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, deklaroi dje se shqiptarët nuk duhet të shqetësohen për situatën e krijuar, pasi deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë të dyshuar me gripin e derrave. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë shprehet se situata nuk është aq e qetë sa shprehet ministria, pasi gripi mund të përhapet shumë lehtë.
“Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me gripin e derrave”, - bëri të ditur dje zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Iavanaj, i cili tha se në Shqipëri nuk ka vend për panik lidhur me gripin e derrave. “Ne po ndjekim me vëmendje situatën, por theksoj se qytetarët duhet të kuptojnë se nuk ka nevojë për panik”, - vijoi numri dy i Shëndetësisë, pas një takimi mes zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në një komunikatë për shtyp, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se është duke monitoruar situatën. “Jemi në kontakte të vazhdueshme me OBSH, me rrjetin e rregullores ndërkombëtare sanitare, me institucionet të shëndetit publik evropiane dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtare të gripit”, - thuhet në komunikatën e ministrisë. Sipas kësaj të fundit, në bazë të rekomandimeve të OBSH, të gjitha institucionet e specializuara kanë rritur nivelin e vigjilencës në lidhje me evidentimin e të dyshuarve. E ndërsa Ministria e Shëndetësisë shprehet se situata është e qetë dhe nuk duhet të ketë vend për panik, Instituti i Shëndetit Publik shprehet se ka vend për t’u shqetësuar, pasi në gjithë botën ekziston mundësia e përhapjes së epidemisë së gripit të shpendëve. “Është një situatë e rrezikshme. OBSH e konsideron si një situatë me impakt serioz në shëndetin publik dhe është një ngjarje jo e zakonshme. Këtyre rregullave u përmbahemi edhe ne për shkallën e vigjilencës”, - deklaroi Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik. Kjo e fundit tha se gripi njihet si gripi i derrave, por në fakt ai ka marrë përmasa humane, pasi përhapet nga njeriu te njeriu. Gripi i derrave ka shenja të njëjta si grip i zakonshëm; temperaturë të menjëhershme, dhembje fyti, dobësi dhe diare. Sipas specialistëve, gripi i derrave është një virus i ri, i kombinuar me gjene të virusit të derrave A/H1N1, i pa hasur herë tjetër në botë dhe që prek moshën e të rriturve. Specialistët thonë se për këtë virus nuk ka vaksinë për njerëzit, por vetëm për derrat, pasi mjekimet me antivirale kanë dalë të suksesshme. Nga ana tjetër, specialistët thonë se ky virus nuk merret nga konsumi i mishit të derrit.
Gripi i derrave mbërrin në Evropë, bota mbërthehet nga frika
Ndërsa po rriten shqetësimet ndërkombëtare rreth shpërthimit të gripit të derrave në Meksikë, është konfirmuar rasti i parë në Evropë.
Autoritetet spanjolle thonë se një burrë që ishte kthyer nga Meksika ishte infektuar me këtë virus.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për shëndetësi, Androulla Vasilou, ka udhëzuar evropianët që të mos udhëtojnë në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara ku janë paraqitur rastet.
Presidenti Barack Obama ka thënë se shpërthimi i rasteve është shqetësues, por se nuk ka nevojë për alarm.
Autoritetet në Meksikë thonë se më shumë se 100 kanë vdekur nga kjo sëmundje.
Presidenti Felipe Calderon ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa miliona banorë të kryeqytetit, Meksiko, dëgjuan këshillën e autoriteteve dhe qëndruan në shtëpi gjatë fundjavës.
Zyrtarët thonë se 1614 vetë janë prekur nga ky virus, ndonëse shumë prej tyre tashmë janë mirë.
Rrugët e Meksikos kanë qenë të braktisura gjatë gjithë fundjavës. Kishat i mbyllën dyert në përputhje me urdhrin e qeverisë që ndalon grumbullimet e mëdha të njerëzve në publik.
Një ndeshje futbolli u luajt pa tifozë në shkallët e stadiumit.
Me gjithë thirrjen e presidentit për të mos u panikuar, kryetari i bashkisë së Meksikos dha një mesazh alarmues.
Ai tha se kryeqyteti ndodhej në një moment kritik dhe se po shihte mundësinë që të mbyllte transportin publik si masë tjetër parandaluese.
Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se natyra e këtij virusi po ndryshonte me shpejtësi dhe ai mund të merrte një formë më të rrezikshme.
Gripi ngjan me virusin apokaliptik të vitit 1918, përhapet edhe më shpejt
Mjeku i njohur amerikan i sëmundjeve infektive, Robert Webster, thotë se nga këndvështrimi shkencor është e vështirë t'i shmangesh krahasimit të këtij gripi të derrave me atë të gripit spanjoll të vitit 1918. Dr. Robert Webster ka ndihmuar qeverinë britanike në krijimin e strategjisë për t'u përballur me rrezikun e mundshëm nga gripi i shpendëve para pesë viteve dhe tani ai është drejtor i njërës prej qendrave shkencore për studimin e gripeve në Shtetet e Bashkuara.
“Unë vërtet jam mjaft i brengosur sa i përket kësaj situate dhe ky virus duket qartë se kalon shumë lehtë nga një person te tjetri dhe është mjaft i ndryshëm prej virusit H5N1, me të cilin kemi punuar prej kohësh.”
Sa dimë ne rreth këtij virusi që ndodhet në qendër të kësaj situate alarmuese?
Nuk kemi informacion sa duhet, dimë shumë pak. Virusi ka qenë në radarin tonë vetëm për një kohë shumë të shkurtër. Kemi kuptuar se ai ekziston vetëm të enjten e kaluar. Virusi ka qenë në Meksikë që nga marsi i këtij viti dhe unë jam i befasuar se si nuk e kemi kapur më herët.
A dimë tani për shembull se ai kalon nga një njeri te tjetri, pra do të thotë se ka marrë formë njerëzore dhe nuk mund të merret vetëm nga derrat?
Po, ndonëse ende nuk ka hollësi të plota rreth të infektuarve, e dimë se personat e infektuar nuk kanë patur kurrfarë kontakti me derra. Ata janë kthyer nga Meksika në SHBA dhe thonë se në Meksikë nuk kanë patur kurrfarë kontakti me derra. Gjithashtu, ka patur disa kalime të virusit mes anëtarëve të një familjeje. Pra, janë infektime nga një njeri te tjetri dhe virusi po sillet si një virus që kalon lehtë i stilit të gripit.
Kjo është pra edhe arsyeja pse ai po përhapet nëpër botë?
Kjo është arsyeja pse ai lëviz kaq shpejt nëpër botë.
Duket e pazakonshme në shumë prej këtyre rasteve që të infektuarit duket të jenë të moshës së re që mund të imagjinohet se janë të fuqishëm dhe të shëndetshëm dhe jo domosdoshmërisht ata në moshë të mitur dhe të moshuar.
Është e frikshme se sa i ngjashëm ky virus është me atë të vitit 1918, që njihej si gripi i derrave apo gripi spanjoll. Sidomos në mënyrën se si po ka efekt mbi të rinjtë.
Është shqetësuese se si ju po e bëni lidhjen me të ashtuquajturën gripi spanjoll i vitit 1918, i cili pati shkaktuar vdekjen, sipas disa shifrave, të rreth 50 milionë njerëzve.
Ndoshta është pak i shpejtuar krahasimi, por është fakt se gripi spanjoll i vitit 1918 ka qenë grip i llojit H1N1 siç është edhe ky i fundit: te dyja gripet kanë lidhje me derrat, pra nga këndvështrimi shkencor është e vështirë t'i shmangesh këtij krahasimi. Prandaj duke e parë nga ky vështrim është mjaft shqetësues, sidomos fakti se ai kalon shumë lehtë nga një njeri te tjetri.
Më kujtohet të kemi biseduar me ju para një kohe rreth kërcënimit nga një epidemi e gripit të shpendëve dhe më kujtohet se ju keni thënë se një gjë e tillë të mban zgjuar gjatë natës - a mendon se ky mund të jetë realizimi i ankthit tuaj?
Nuk besoj, por mendoj se do të kemi një epidemi, por nuk besoj se do të ketë shumë vdekje, por do të shkaktojë një numër të konsiderueshëm vdekjesh. Nëse e analizojmë atë se çfarë ka ndodhur në Meksikë, si dhe mundësinë se çfarë mund të bëjë në vende të pazhvilluara, atëherë kjo mund të jetë shumë serioze.
BBC