E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha mbledh Task-Forcen per Shendetesine

Kryeministri Berisha deklaroi gjatë mbledhjes së Task-Forcës për Shëndetësinë se arritjet e deritanishme në këtë sektor janë frymëzuese për përsosjen e shërbimit në të gjitha hallkat e tij. Në vlerësimin e tij, me rëndësi të jashtëzakonshme është zbatimi i një sistemi eficent financimi. Kryeministri përmendi ecurinë e kënaqshme në drejtim të protokolleve të praktikës klinike apo kostifikimit të shërbimeve shëndetësore, procese që duhet të finalizohen dhe të përsosen më tej.

“Duhet që së bashku të ndalemi në mekanizmin financiar, në studimin e tij, në kostifikimin , në konsolidimin e praktikave të bazuara mbi kostifikimin. Mekanizmin financiar ne duhet ta kemi mekanizëm tregu, përndryshe do të vazhdojmë të mbetemi me mekanizmin , i cili është faktuar katërcipërisht pa të ardhme”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.

Gjithashtu, shefi i qeverisë vlerësoi si investime tejet të rëndësishme ato në fushën e tekonologjisë dhe dixhitalizimit në shëndetësi, por kjo kërkon në vijim funksionimin e eficent të tyre.

“Është bërë një  investim serioz në drejtim të teknologjisë, por kjo kërkon garantimin e funksionimit të saj. U inaugurua telemjekësia, por kjo kërkon shfrytëzimin maksimal të saj dhe ne vetvete vetë shfrytëzimi i potencialeve të saj përbën një sfidë për mjekun kudo që ndodhet. Përgatitje janë bërë për të ndërmarrë procesin më të plotë të dixhitalizimit. 15 milion euro është projekti më kushtueshëm. Projekti i dixhitalizimit të sistemit shëndetësor është projekti më i kushtueshëm që ne kemi si qeveri edhe më i kushtueshëm se edhe vete sistemi tatimor , etj, por ne kemi vendosur dhe do të bëjmë dixhitalizimin më të plotë”, u shpreh Berisha.  

Sipas tij, çdo investim vjen si pëprpjekje për të pasur një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit,  ndonëse situata në këtë drejtim është përmirësuar ndjeshëm. Ka studime që flasin për përgjysmim të korrupsionit në shëndetësi.

“Studime të besueshme të opinioneve faktojnë se ka më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit, por u shpreh kryeministri, ne duhet të arrimë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin, në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë”, deklaroi Berisha.  

Edhe një herë Kryeministri vlerësoi si një ndër mekanizmat efikas antikorrupsion, dixhitalizimin e radhës së qytetarëve që kërkojnë shërbimin mjekësor, në të njëjtin model me projektin që do të zbatohet për regjistrimin e pronave.

“Ky program, pa trajtuar personin e parë nuk shkonte tek i dyti, asnjëherë. Çdo lloj përpjekje që bëhej për të vazhduar me të dytin ishte  e dështuar.  Të parit detyroheshe ti ktheje përgjigje. Mua më shkoi mendja tek zbatimi i këtij mekanizmi tek operacionet, tek procedurat mjekësore, sepse kjo na zgjidh  një problem të debatueshëm, ndaj dhe në të gjithë përpjekjen tonë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të qenë transparent në çdo veprim tonin”, nënvizoi Berisha, gjatë fjalës së tij. 

Task-Forca për Shëndetësinë u mblodh ndërsa studimet ndërkombatare në këtë sektor e rendisin Shqipërinë në Grupin e vendeve të zhvilluara. Kjo bazuar në treguesit që flasin për vdekshmëri foshnjore një shifrore, vdekshmëri amtare në një nga nivelet më të ulëta. Shqipëria qëndron në krye të të gjithë vendeve ish komuniste për vdekshmërinë e të rriturve më të ulët.

Gjatë mbledhjes dhe diskutimeve me grupin e Task-Forcës një vend të veçantë Kryeministri i dha zhvillimit dhe forcimit të shërbimit të Kardiokirurgjisë së fëmijëve, për rolin e madh që ka ky shërbim në trajtimin e hershëm të defekteve të zemrës te fëmijët. Duke vlerësuar arritjet e përparimet në fushën e Kardiopediatrisë e Kardiokirurgjisë së fëmijëve, kreu i qeverisë shprehu  mbështetjen maksimale të qeverisë që këto sherbime të zhvillohen e forcohen më tej. 

Duke vënë theksin në rolin e rëndësishëm që ka shërbimi i hemodinamikës për fëmijë dhe të rritur, Kryeministri  kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme që të zgjerohen, si dhe të rriten kapacitetet diagnostikuese dhe ndërhyrëse gjatë 24 orëve.

Kryeministri vuri theks të veçantë që duhet rritur numri i pacientëve që përfitojnë nga transplanti i veshkave këtu në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›