Papa uron ne shqip Per shume vjet gezuar Pashket
Papa Benedikti i 16-të bëri thirrje për paqe, ndërsa uroi Pashkët në 65 gjuhë të botës. Papa bëri thirrje në mesazhin e tij për paqe e harmoni në botë, ndër të cilat edhe në gjuhën shqipe. “Për shumë vjet gëzuar Pashkët!”, u shpreh Papa teksa fliste nga ballkoni i Bazilikës. Në festën e Pashkëve Papa Benedikti i 16-të ka tërhequr vërejtjen se njerëzimi po ecën nëpër errësisë, duke mos qenë i aftë ta dallojë të mirën nga e keqja.
“Jeta është më e fortë se vdekja. E mira është më e fortë se e keqja. Dashuria është më e fortë se urrejta. E vërteta është më e fortë se gënjeshtra” u shpreh Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara mijëra besimtarëve. Në mesazhin e tij, "Urbi et Orbi", Papa u lut ndër të tjera, që "potenca e shpëtimit e ringjalljes së Krishtit, të prekë të gjithë njerëzimin, për të patur një të ardhme me dashuri e vërtetësi, dhe ku çdo jetë njerëzore, duhet respektuar”.
Benedikti i 16-të mbajti dhe një meshë mëngjesin e së dielës, ku shprehu frikën se njerëzimi është duke dalë gjithmonë e më shumë nga rruga e Zotit.
"Zoti bekoftë, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në veçanti të sëmurët e ata që vuajnë në trup e në shpirt”- tha Papa.