Kryeministri Berisha merr pjesë në një takim me gratë demokrate
Kryeministri Berisha mori sot pjesë në një takim me gratë demokrate, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, ku e ftuar nderi ishte zonja Doris Pack. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashura nëna, motra, zonja dhe zonjusha,
Ju shpreh përshëndetjet më të përzemërta. Ju sjell vazhdën e fitores nga Saranda, Kolonja, Peshkopia, Gjirokastra, Kruja, Fushë Kruja dhe mbarë Shqipëria.
Ju përshëndes vëllazërisht ju të gjithave për kontributin e madh, kontributin e jashtëzakonshëm që ju dhatë në fitoren tonë europiane, fitore për Tiranën europiane, për Shqipërinë¸ europiane.
Dhe pak ditë, na ndan dhe një javë, na ndajnë nga 28 qershori. Askush nuk e ka më në dorë se ju, që fitoren e datës 28 ta shndërrojmë në fitoren e mbarë shqiptarëve.
Ju bëj thirrje ju, që këto ditë, çdo shok¸ çdo të njohur, çdo mikeshë të të gjitha bindjeve politike, t’i ftoni ata të bashkohen me ne në fitore. Të bashkohen me ne në projektin më të bukur, ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari: Shqipërinë europiane. Të bashkohen me ne, sepse ne që shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste, ne që këto katër vjet, dhjetëra here, e bëmë të pamundshmen të mundshme, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë europiane.
Ne duam që këtë ëndërr ta ndajmë me të gjithë shqiptarët. Ne duam që këtë projekt ta zbatojmë së bashku, ne duam që në 28 të votojmë të gjithë 10-n. 10-a është çdo vajzë, çdo grua shqiptare; 10-a është¸ çdo fëmijë shqiptar; 10-a është Tirana europiane; Shqipëria europiane; 10-a është e ardhmja jonë; 10-a është¸ Europa blu, e cila po pret sot këtu me padurim.
Edhe njëherë, në emrin tuaj dua të përshëndes mikeshën e madhe të kombit shqiptar, Doris Pack. Ta uroj për fitoren e shkëlqyer që pati dhe ta siguroj se Tirana dhe Shqipëria do të votojnë blu, si Gjermania, si Franca, si Italia, si mbarë Europa.
Fitore!”
21/06/2009