Kryeministri Berisha me të rinjtë e JAA: Energjia, shpirti dhe imagjinata e të rinjve forcë kryesore e zhvillimit

Kryeministri Berisha u bë sot pjesë e iniciativës së programit Junior Achievement of Albania (JAA) “Drejtues për një ditë”. Pas takimit paradite me përfaqësues të të rinjve të rrjetit JAA, pasdite, Kryeministri Berisha përshëndeti pasdite një takim të gjerë të të rinjve të këtij rrjeti, ku vlerësoi se nuk ka gjë më të rëndësishme për vendin, se “angazhimi i energjisë, mendjes dhe vizionit të të rinjve si forcë pune në sipërmarrjen e lirë”, ndërsa e konsideroi këtë iniciativë një mekanizëm shumë të fuqishëm për orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.
Kjo iniciativë shërben si një platformë për të ndërlidhur të rinjtë e rrjetit JA me drejtues dhe lider në sektorin publik dhe privat në Shqipëri. Kjo iniciativë ka rezultuar shumë e suksesshme në vende të ndryshme dhe në kuadër të saj, çdo vit, drejtues të politikës dhe të biznesit shërbejnë si mentorë për mijëra nxënës dhe të rinj të rrjetit JA. Në vitin akademik 2012-2013, ky program u lançua në 53 shkolla të mesme të vendit.
“Lider nuk do të thotë të drejtosh, por të të tregosh rrugën. Por të tregosh rrugën nuk është e thjeshtë. Nuk duhet të mendosh kurrë se ti e vetëm ti je udhërrëfyesi. Ti mund të jesh një udhërrëfyes shumë i mirë, me një kusht që të punosh në ekip, të pranosh punën në ekip,” iu drejtua Kryeministri të rinjve, duke inkurajuar të rinjtë të shfrytëzojnë energjinë, pasionin dhe imagjinatën e moshës së tyre për të shpalosur talentin dhe për të arritur hapësira të reja.
Kryeministri Berisha tha se në të ardhmen, qeveria do ta shtrijë këtë program në të gjitha shkollat e vendit. “Njohuritë tuaja për tregun, për iniciativën e lirë, kjo kurrikul shumë e rëndësishme që është futur në shkollat tona do t’ju mundësojë juve përzgjedhjet më të mira, do t’ju mundësojë të ndiqni imagjinatën tuaj”, u shpreh Kyreministri, duke garantuar se qeveria do të bëjë gjithçka për të garantuar ritmet më të larta të punësimit të të rinjve.
Junior Achievement (JA) është organizata më e madhe në botë, dedikuar edukimit të të rinjve për gatishmëri dhe aftësim pune, si dhe për sipërmarrjen dhe njohuri financiare me anë të të nxënit praktik. Themeluar në vitin 1919 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrjeti JA është zgjeruar në të gjithë botën, duke përfshirë 122 shtete dhe 10.6 milionë nxënës dhe studentë çdo vit.
Organizata JA në Shqipëri u themelua në prill të vitit 2012. Partneri kryesor në Shqipëri është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe vepron përmes partneritetit zyrtar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes në emër të qeverisë të rejat e të rinjtë e shkollave të mesme të vendit, të anëtarësuar në rrjetin Junior Achievement. Ju i dhuruat vendit, në një kohë të shkurtër, një risi të madhe. Ndaj unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje Fondin Shqiptari-Amerikan të Zhvillimit, Presidentin e tij Michael Granoff, Bordin e këtij Fondi dhe përfaqësuesin e tyre në Tiranë, të cilët janë iniciatorët kryesorë të implementimit të kësaj praktike amerikane e botërore në Shqipëri. Falenderoj edhe Ministrinë e Arsimit për angazhimin e saj.
Sot, në Këshillin e Ministrave, unë kam pritur në kuadër të “Një ditë lider”, dy anëtarë të rrjetit tuaj që ju kanë përfaqësuar me dinjitet shumë të madh shumë. Njëri është Lili Salsa, nxënës i gjimnazit të Kuçovës dhe nxënësja tjetër, Nereida Xhangolli, maturante në shkollën “Raqi Qirinxhi”. Në atë takim të shkurtër, me entuziazmin e shpirtin e tyre çiltër, ata linin të kuptohej se jo vetëm ndjeheshin lider, por meritonin plotësisht besimin për t’i pasur lider.
Lider në tërësi dhe në iniciativën e lirë në veçanti do të thotë para së gjithash, guximtar. Pa guxim nuk ka lidership, por pa guxim nuk as ka iniciativë të lirë. Nëse ne do të jepnim një sinonim tjetër për iniciativën e lirë, do të ishte shumë i përshtatshëm guximi i njeriut të lirë. Ndaj në këtë rrjet të arritjes rinore, ju duhet të guxoni. Ju keni shumë arsye për të qenë të guximshëm. Guximi juaj do t’ju shtyjë drejt hapësirave të reja, drejt arritjeve të reja. Guximi është besim i merituar tek vetvetja. Natyrisht, në lidership guximi është kusht themelor, pa të cilin nuk frymëzoni dot njeri. Misioni i liderit, detyra e tij kryesore është të frymëzojë ekipin tij, të frymëzojë anturazhin e tij. Por lideri udhëheq me shembullin personal. Guximi është njëra anë, përkushtimi është gjithashtu i domosdoshëm. Anëtarët e ekipit tuaj duhet të shohin gjithnjë tek ju, drejtuesen apo drejtuesin me përkushtimin më të madh. Lider nuk do të thotë të drejtosh, por të të tregosh rrugën. Por të tregosh rrugën nuk është e thjeshtë. Nuk duhet të mendosh kurrë se ti e vetëm ti je udhërrëfyesi. Ti mund të jesh një udhërrëfyes shumë i mirë, me një kusht që të punosh në ekip, të pranosh punën në ekip. Rëndom ndodh që anëtarët e ekipit të japin mendime më të avancuara se të tuat, pra, të të drejtojnë edhe ty. Duke pranuar që në ekip, nga anëtarët që ti drejton, me shpirtin më liberal, të pretendosh prej tyre atë çka ata kanë për talent dhe dhunti më të zhvilluar e të mos kërkosh prej tyre gjëra, për të cilat nuk kanë asnjë pasion. Përkundrazi, duke i kërkuar gjëra që nuk i kanë pasion, ti i mundon, i topit.
Ju keni të gjithë mundësitë për të qenë lider të shkëlqyer. Kjo iniciativë është një iniciativë shumë e madhe, sepse ju shkëput nga librat e bankat dhe ju sjell pranë sektorit publik e privat, tek tregu, i cili përbën forcën më magjike të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, të zhvillimit të qytetërimit. I gjithë gjenialiteti krijues i njeriut qëndron në iniciativën e tij të lirë. Shkolla është e një rëndësie të jashtëzakonshme, universitetet kanë rëndësi kapitale, por rëndësi më kryesore ka iniciativa e lirë e individit. Tre të rinj, pak më shumë se mosha tuaj, kanë ndryshuar më shumë se të gjithë akademikët të marrë sëbashku kohën tonë: Bill Gates, Stive Jobs, Marl Zuckerberg. Këta tre gjeni u bënë të tillë nga besimi i jashtëzakonshëm tek vetja e tyre, nga vizioni që ata kishin dhe ia dolën. Ndokush mund të thotë se ata ishin qytetarë të vendit më të pasur në botë. Po, kjo është e vërtetë, por Stive Jobs punoi një vit të garazh për Apple 2; Bill Gates jetoi në një hotel të dorës së katërt dhe bëri studimet më të mëdha e me radhë. Të gjitha këto jua thashë për t’ju bërë të ditur se njohuritë tuaja për tregun, për iniciativën e lirë, kjo kurrikul shumë e rëndësishme që është futur në shkollat tona do t’ju mundësojë juve përzgjedhjet më të mira, do t’ju mundësojë të ndiqni imagjinatën tuaj. Ju keni imagjinatën më të zhvilluar se të gjithë paraardhësit tuaj. Ju jeni mosha e imagjinatës së pakufishme, mbi bazën e së cilës mund të ndërtoni projekte të mrekullueshme.
Nga ana tjetër, kjo iniciativë përbën një mekanizëm shumë të fuqishëm për orientimin drejt tregut të punës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një vend, sesa angazhimi i energjisë, mendjes dhe vizionit të të rinjve si forcë pune në sipërmarrjen e lirë. Qeveria do të bëjë gjithçka në këtë aspekt, për të garantuar ritmet më të larta të punësimit të të rinjve. Ne do të vendosim me ligj këto ditë, të heqim çdo taksë e tarifë, për tre vjet, për çdo të ri të punësuar, për trajnimin e tyre. Kjo është një masë sigurisht lehtësuese, por më shumë se çdo gjë tjetër lehtëson shpalosja nga ju e potencialit të madh, energjisë, entuziazmit, pasionit dhe përkushtimit tuaj për tregun e punës. Ndaj le ta vazhdojmë sëbashku këtë nismë. Vitin e ardhshëm nuk do të jenë më 7100 anëtarë të rrjetit tuaj. Ne do ta shtrijmë këtë kurrikul në 150 shkolla, do të jeni mbi 11 mijë dhe me radhë do të shkojmë duke e shtrirë këtë kurrikul të çmuar në të gjitha shkollat e vendit. Edhe një herë ju uroj shumë suksese dhe t’ju përgëzoj ju të gjithëve këtu lider në një ditë. Ju jeni lider plotësisht të merituar.”
20/03/2013