Miratohet në parim skema e ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në parim projektvendimin për përcaktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009. Por me kërkesë të përfaqësueseve ligjorë të partive politike KQZ-së në mënyrë unanime që të shtyjë për të enjten shqyrtimin në tërësi të këtij projektvendimi, pasi sipas tyre, nuk janë ende gati listat paraprake të shtetasve. Përfaqësuesi ligjor i PS, në KQZ, Genci Gjonçaj, kërkoi që “t’i jepet kohë më e madhe diskutimi këtij projektvendimi, për arsye se nuk janë gati listat paraprake të shtetasve”, duke gjetur edhe mbështetjen e anëtarit të KQZ, Klement Zguri, i propozuar nga Partia Republikane, i cili kërkoi një transparencë me të madhe nga KQZ në vendimet që do të marrë. Pasi të miratohet nga KQZ, numri i mandateve të deputetëve për secilën zonë zgjedhore do t'i paraqitet Kuvendit, i cili, në bazë të Kodit Zgjedhor, i miraton me procedurë të përshpejtuar. “Po mundohemi të kapim kohën në mënyrën më urgjente. Nga ana tjetër për këtë akt jemi me vonesë, por për shkak të kësaj kërkese dhe të cilësisë së aktit mendoj ta kalojmë në votim në parim”, tha kryetari i KQZ, Arben Ristani, duke vendosur shtyrjen e miratimit nen për nen të këtij projektvendimi për ditën e enjte. Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjeve Civile Armand Teliti konfirmoi po dje se brenda pak ditësh KQZ-së do t’i dorëzohen listat e sakta. “Menjëherë sapo ky proces të mbarojë, që është çështje shumë pak kohe, KQZ do të ketë listat më të pastra që ka pasur ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Afati është sot, nesër; është çështje orësh tashmë, jo çështje ditësh”, deklaroi Teliti. Pasi të miratohet nga KQZ, numri i mandateve të deputetëve për secilën zonë zgjedhore do t’i paraqitet Kuvendit, i cili në bazë të Kodit Zgjedhor, i miraton me procedurë të përshpejtuar.
...