E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Forumin e Biznesit turko-shqiptar, në Stamboll

Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin e Biznesit turko-shqiptar, në Stamboll. Në takim ishin të pranishëm rreth 250 biznesmenë dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha turke si dhe përfaqësues të biznesit shqiptar.

Kryeministri vlerësoi se Shqipëria dhe Turqia janë të lidhur mes tyre nga marrëdhënie të hershme, ku ndjenjat e miqësisë, respektit dhe bashkëpunimit, mund të shërbejnë si premisë për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.

Kryeministri bëri një prezantim të hapave të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për reformën ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe synimit për ta bërë Shqipërinë vendin më atraktiv për investitorët e huaj. Një theks të veçantë, nënvizoi Kryeministri, i kemi kushtuar luftës ndaj trafiqeve ilegale dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, janë vënë në zbatim një numër programesh që synojnë të rrisin transparencën e prokurimeve publike, që luftojnë korrupsionin në sistemin e administratës fiskale dhe në ofrimin e shërbimeve ndaj popullatës dhe biznesit.

Një vend të veçantë në fjalën e Kryeministrit, iu kushtua prezantimit të nismës "Shqipëria, një euro", e cila u mirëprit nga biznesmenët turq. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishme rolin e investimeve të huaja në ekonomi dhe për këtë arsye, qeveria po ndërmerr një program të gjerë reformash lehtësuese dhe liberalizuese që do të nxisin dhe më shumë interesin e investitorëve.

Programi i reformave ekonomike, u shpreh Kryeministri, ka përfshirë reduktimin e kostove të biznesit dhe barrierave administrative, që krijojnë kushte të një konkurencë të ndershme dhe të barabartë në treg dhe rrisin konkurueshmërinë e ekonomisë, lehtësimin e procedurave dhe reduktimin e kostove të krijimit të biznesve të reja dhe lehtësimin e sistemit të licensave, duke synuar që të shkojmë drejt një takse të sheshtë. Pas përgjysmimit të taksave mbi biznesin e vogël, uljes së tatimit mbi fitimin, ndërmorëm edhe një sërë lehtësisht të tjera fiskale për biznesin, si reduktimi i normave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, heqja e tarifave doganore mbi importet e makinerive e pajisjeve për investimet etj.

Kryeministri theksoi, ndër të tjera, se qeveria shqiptare është angazhuar edhe në një program të rëndësishëm investimesh publike, me synim modernizimin e infrastrukturës që mbështet zhvillimin e sipërmarrjes private dhe përmirëson cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›