Kryeministri Berisha u takua me Presidentin e Republikës së Turqisë, zotin Ahmet Sezer
Në vazhdim të vizitës në Turqi, kryeministri Berisha, zhvilloi sot pasdite, në Ankara, një takim me Presidentin e Turqisë, zotin Ahmet Sezer. Gjatë takimit të dy personalitetet ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Turqisë dhe Shqipërisë në sferën politike, ekonomike, ushtarake, etj, si dhe mbi mundësitë zgjerimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të tilla si ekonomi, arsim, shëndetsi, etj. Zoti Berisha e njohu presidentin turk me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për krijimin e një klime të përshtatshme për biznesin, në mënyrë që Shqipëria të jetë një vend tërheqës për investitorët e huaj.
Kryeministri Berisha i shprehu presidentit Sezer, falenderimet për mbështetjen pa rezerva, që Turqia i ka dhënë dhe do të vazhdojë ti japë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Gjithashtu kryeministri Berisha falenderoi presidentin turk Sezer, për ndihmën e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha.