Kryeministri Berisha përshëndet ratifikimin e MSA-së nga Parlamenti Europian
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha përshëndeti vendimin e djeshëm të Parlamentit Europian për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij Kryeministri, ndër të tjera, bëri këto komente:
"Është rasti që në emër të qeverisë të falënderoj shumë përzemërsisht Parlamentin Europian për votën e tij historike, ditën e djeshme, për Shqipërinë.
Tempulli i demokracisë dhe vlerave të Europës votëbesoi dje në seancë plenare Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë, dëshmi kjo e dyerve të hapura të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë, dëshmi e vlerësimit të reformave të thella dhe të gjithanshme dhe konkretizimit të këtyre reformave nga qeveria jonë.
Fillimi i sesionit të dytë parlamentar, vjeshtor, në Parlamentin Europian me votimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Shqipërinë është një detyrim madhor për ne që të procedojmë me reforma, të zbatojmë reformat, të zbatojmë ligjet. Kjo është rruga më e sigurtë që këtë marrëveshje, e cila përbën një kontratë reale midis nesh dhe Bashkimit Europian, ta shndërrojmë në infrastrukturën ligjore të integrimit të vendit, ta shndërrojmë në standarde, në norma, në praktika europiane për qytetarët shqiptarë dhe për Shqipërinë.
Komisioneri Olli Rehn shprehet se qeveria ka vullnet të fuqishëm për të proceduar me reforma në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se kjo është kohë e artë.
Unë dua të siguroj Komisionin Europian, Parlamentin Europian, se kjo qeveri do të shfrytëzojë çdo minutë të kësaj kohe të artë për të ecur përpara me reformat.
Edhe njëherë falënderoj të gjithë ata që kontribuan në nënshkrimin dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, me ritëm të shpejtuar.
Ne do të ndërmarrim një përpjekje të re në vendet anëtare për ratifikimin e saj. Por përpjekja më e madhe e jona është zbatimi i neneve të kësaj marrëveshjeje, ndaj secili nga ju dhe çdo institucion shqiptar që është i interesuar për integrimin e vendit, duhet ta ketë atë në tavolinën e punës, duhet që çdo ditë të mendojë për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja".