Kryeministri Berisha përshëndet ratifikimin e MSA-së nga Parlamenti Evropian
Kryeministri Berisha përshëndet votimin e sotëm të Parlamentit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kryeministri e cilëson këtë votim si një ngjarje historike për përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për të realizuar ëndrrën e tyre të integrimit, si projektin më të mirë për Shekullin XXI – projektin e Shqipërisë evropiane.
"Ky votim, që çel siparin e ratifikimeve të MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare, shton detyrimin ndaj institucioneve shqiptare, forcave politike dhe gjithë shoqërisë shqiptare për të zbatuar me vendosmëri të gjitha pikat e kësaj kontrate të shqiptarëve me Evropën" u shpreh Kryeministri.