E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e ekspozitës “Figurat kombëtare shqiptare në veprat e artistëve evropianë”

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në çeljen e ekspozitës “Figurat kombëtare shqiptare në veprat e artistëve evropianë”, e autorit Eqerem Zenelaj. Në këtë ekspozitë, e organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, paraqiten 210 eksponate të nxjerra nga 17 arkiva të huaja evropiane, nëpërmjet të cilave portretet e shqiptarëve më të shquar të kohërave vijnë në penelin e piktorëve dhe artistëve të mëdhenj evropianë.

Duke shprehur vlerësimet e tij për këtë ekspozitë, Kryeministri Berisha theksoi se ky 100 vjetor ka qenë një leksion i madh për shqiptarët, për historinë e tyre, për të njohur më mirë vlerat e saj dhe gabimet e së shkuarës.

Prof. Eqerem Zenelaj i ka përmbledhur punimet e kësaj ekspozite në një album, një kopje të të cilit ia dhuroi Kryeministrit Berisha.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Dëshiroj të shpreh falënderimin, mirënjohjen dhe respektin tim më të madh për punën e shkëlqyer që Prof. Eqerem Zenelaj ka bërë për shumë vite në arkivat e huaja më të lidhura me jetën shqiptare dhe ia ka dalë të mbledhë këtu, të na paraqesë sot, në një moment kulmor të kombit shqiptar, siç është 100 vjetori i pavarësisë së vendit, portretet e shqiptarëve më të shquar të kohërave, nga koha e Skënderbeut e deri më sot, në penelin e piktorëve dhe artistëve të mëdhenj të vendeve të ndryshme.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo është një galeri e krenarisë kombëtare, është galeria e kontributit të këtij kombi në historinë e madhe të Evropës, në historinë e madhe të njerëzimit. Ky kontribut daton në kohëra ndër më të hershmet, fillon tek Ilirët, të cilët në periudhën e Perandorisë Romake, i dhanë Perandorisë dhe botës perandorin më të shquar të të gjitha kohërave, themeluesin, pas Jezu Krishtit, të krishterimit në Evropë dhe në botë, perandorin Kostandin. Por, shqiptarët e arritën kulmin e tyre si komb me Skënderbeun, veprat e tij të pavdekshme, beteja të cilat u shtuan në mbarë botën e qytetëruar.

Në këtë muze, dy kate më lart, qytetarët shqiptarë kanë rastin të vizitojnë, të shohin, armët e prijësit tonë legjendar. Këtu kanë rastin të shohin portretet e tij nga piktorë ndër më të mëdhenjtë e kohërave. Galeria është e mbushur me rreth 210 portrete, është e mbushur me personalitete të tjera të mëdha shqiptare, si Aleksandër Moisiu dhe, natyrisht, gruaja më e shquar e kohërave, Nënë Tereza. Numri i shqiptarëve të shquar është shumë i madh. Gjenia e tyre krijuese është një shpresë e madhe për këtë komb, i cili në qindra e mijëra vitet që vijnë do të ketë përsëri ‘Skënderbejtë’ e vetë, do të ketë ‘Moisitë’, do të ketë gra të shquara në mbarë botën. Pra galeria është një frymëzim, është një moment shprese për këtë komb në 100 vjetorin.

Profesor Eqerem Zenelaj, ju falënderoj me shumë mirënjohje për këtë dhuratë të shkëlqyer që ju i bëni sot Muzeut tonë Kombëtar, duke e pasuruar atë me vepra të një rëndësie historike të veçantë. Ju falënderoj miqësisht për albumin që më dhuruat. Ju uroj shumë suksese në punën tuaj të ardhshme. Pak ditë më parë do të më sillte në zyrë dokumentin e shpalljes së pavarësisë në Durrës. Historianë të traditës hoxhiste, pa menduar, automatikisht u shprehën se nuk ekziston, në një kohë kur dokumenti ekzistonte më të gjitha vulat dhe firmat e atyre që shpallën në Durrës pavarësinë. Por, përsëri, ky 100 vjetor ka qenë një leksion i madh për shqiptarët, për historinë e tyre, për të njohur më mirë vlerat e saj, për të njohur më mirë gabimet e së shkuarës.

Edhe një herë faleminderit për punën e shkëlqyer që keni bërë!”


26/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›