Nën kujdesin e kryeministrit Berisha, në Selinë e Këshillit të Ministrave çelet ekspozita e portreteve të 40 firmëtarëve të deklaratës së pavarësisë, të piktorit Arben Morina
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, në mjediset e Këshillit të Ministrave u hap sot në mbrëmje ekspozita e portreteve të 40 firmëtarëve të deklaratës së pavarësisë, të piktorit Arben Morina. Ekspozita, u organizua nën kujdesin e Kryeministri Sali Berisha, i cili nderoi familjarët e firmëtarëve dhe theksoi se ashtu si ata u bashkuan 100 vjet më parë për Shqipërinë e pavarur, ashtu duhet të bashkohemi të gjithë shqiptarët në Evropë. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për qytetarët deri më 30 nëntor 2012.
Në përshëndetjen e tij kryeministri u shpreh :
“Shkëlqesi Ambasadorë.
Të nderuar familjarë, pasardhës të etërve të Pavarësisë së Shqipërisë.
Miq e të ftuar.
Jemi mbledhur sot për t’i uruar mirëseardhjen në këtë ndërtesë Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 40 firmëtarëve të aktit themelor, përfaqësues këta të të gjitha trojeve etnike shqiptare, përfaqësues të diasporës shqiptare në të katër anët e planetit, burra që u mblodhën në Vlorë dhe nën udhëheqjen e prijësit të pavarësisë, në kohërat më të vështira për kombin shqiptar, vendosën firmën, jetën e tyre mbi aktin më madhor të këtij shteti. I dhanë jetë shtetit të ri shqiptar.
Këta firmëtarë dhe rreth 40 e ca të tjerë delegatë, të cilët nuk kanë firmat në Aktin e Pavarësisë, por që formuan sëbashku Senatin e parë të Shqipërisë, trupin legjislativ të qeverisë së Ismail Qemalit, u mblodhën në Vlorë në një periudhë kur një aleancë e fuqishme e shteteve përreth, nisi luftën e parë ballkanike, me qëllimin e vetëm ekstreminimin, fillimisht politik dhe më pas edhe fizik, të kombit shqiptar, kombit më të vjetër të Rajonit. Në këtë kontekst vepra e tyre nuk ishte vetëm Akt i Pavarësisë, por ishte edhe akt shpëtimtar i kombit shqiptar.
40 shenjtorët e pavarësisë, meritojnë plotësisht ti quajmë të tillë, bënë përpjekje të jashtëzakonshme për konsolidimin e shtetit shqiptar, por periudha më pas, do të ishte një kalvar i vërtetë për shumicën e tyre. Themeluesit e pavarësisë, burri i madh vizionar, me një kurajo mbinjerëzore, që në momentin më kritik kuptoi se Pavarësia ishte akti i vetëm që mund të shpëtonte kombin shqiptar nga katastrofa e madhe që po e priste. E syrgjynosën për faktin e vetëm se nuk po pajtohej kurrsesi me kufijtë që donin ti përcaktonin Shqipërisë. Të tjerët patën fat tragjik nga regjimi i kaluar. Disa prej tyre u ekzekutuan, të tjerë morën rrugët e mërgimit.
Firmat e tyre në një akt të shëmtuar të falsifikimit të historisë u fshinë nga deklarata e Pavarësisë, Akti Themeltar i ditëlindjes së Shqipërisë. Por historia mund të vonojë por e drejta nuk harron. Në këtë 100 vjetor nderi i parë, nderi më i madh u përket këtyre burrave, firmëtarë të pavarësisë, që u bashkuan me Ismail Qemalin, i cili solli në Vlorë dritën e këtij akti madhor historik.
Sot pas 100 vitesh, ëndrra e tyre për një komb shqiptar të lirë, është një realitet. Shqiptarët janë të lirë në të gjitha vendet ku ata jetojnë. Shqipëria është anëtare e NATO-s, po bën përpjekjet më serioze për të ecur drejt Bashkimit Europian, për të shndërruar në realitet ëndrrën Europiane të rilindasve tanë. Por sërish shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe natyrisht, ata që vendosën firmën mbi Aktin e Pavarësisë, për vërtetësi historike, çdo shqiptarë duhet ta ketë të qartë se ata e vendosën atë firmë në emër të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike. Ndaj dhe një detyrim madhor del para shqiptarëve sot, që në projektin e tyre Europian të bëjnë gjithçka për tu bashkuar njëri me tjetrin. Të bëjnë gjithçka, që siç janë bashkuar në momentet me kritike të ekzistencës së tyre, kjo të jetë një proces i cili duhet të arrihet me vendosmëri të madhe në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në interesin më të mirë, të një Ballkani Europian, në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit në Rajon. Ne shqiptarët kur kthejmë kokën prapa për shekullin që lëmë, gjejmë se ai ka pasur momente ndër më dramatiket dhe më të vështirat për ne. Ka pasur dekada kalvari të vërtetë dhe vuajtjesh të mëdha. Ne duhet të bëjmë gjithçka për një shekull paqeje, shekull lirie, shekull stabiliteti, shekull zhvillimi kudo që jetojmë.
Dhe njëherë ju falenderoj z. Morina për frymëzimin. Unë kam pasur fatin të njihem shumë vite më parë me krijimtarinë tuaj, po adhuroj dhe admiroj në radhë të parë frymëzimin tuaj, nga këta burra të mëdhenj të të gjitha besimeve të kombit shqiptar”.
24/11/2012