E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ky është 100 vjetori i besimit, i zotimit, i vizionit tonë Europian, i vizionit tonë të bashkimit kombëtar për të bërë realitet ëndrrën e martirëve të këtij kombi

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha, vizitoi sot Shkupin, me ftesë të Këshillit Organizativ të shqiptarëve në Maqedoni, për të marrë pjesë në kremtimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 

I pritur nga qytetarë të shumtë dhe me një atmosferë të jashtëzakonshme, Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryetari i BDI Ali Ahmeti zhvilluan homazhe dhe vendosën një kurore me lule tek monumenti i Hasan Prishtinës, në nderim të rolit e kontributit të madh të kësaj figure madhore të historisë kombëtare.

Më pas, Kryeministri Berisha, bashke me Kryeministrin Thaçi, Zëvendëskryeministrat Hajredin Kuci dhe Behgjet Pacolli dhe atë të Maqedonisë Musa Xhaferri, Kryetarin e BDI, Ahmeti  etj ndoqën ceremoninë festive që u zhvillua në Pallatin e Sportit “Boris Trajkovski”. Një festim madhështor ku Shkupi ndezi flakadanin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë për t'ia kaluar më pas dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe për tu përmbyllur në Tiranë.

Kryeministri Berisha, mbajti një fjalë përshëndetëse ku u shpreh:

"Të dashur qytetarë dhe qytetare, shqiptarë  të Shkupit, trevave shqiptare në Maqedoni

Shqiptarë dhe shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Preshevë,  Mal të Zi, diasporë, emigracion kudo që jeni sonte,  gëzuar festën e madhe,  gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë

I dashur  zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

I dashur udhëheqës i Bashkimit Demokratik për Integrimin, Ali Ahmeti.

I dashur zëvendëskryeministër, Musa Xhaferri.

I nderuar vëlla i heroit legjendar të kombit shqiptar Adem Jashari.

Sonte jemi këtu me Kryeministrin e Kosovës, të ftuar nga z. Ali Ahmeti,  për të festuar sëbashku  100 vjetorin e Pavarësisë, por festa e Kombit nuk mund të fillonte askund më parë se këtu në Shkup, në mendjet dhe zemrat tuaja.

Përulem para jush me nderimin më të madh, para qytetarëve të këtij qyteti, që në shekuj rrezatuan dritë për kombin në të gjitha trojet etnike. Shkupi në shekuj ishte jo vetëm epiqendra e Dardanisë, por edhe  epiqendra e kombit dhe lëvizjeve të tij, ndaj dhe sot shqiptarët kudo që janë shprehin mirënjohjen më të thellë, për baballarët e paraardhësit tuaj.

Vëllezër dhe motra,

Në këtë 100 vjetor, nderi i parë i takon flamurit të Skënderbeut, flamurit kombëtar, flamurit që frymëzoi  qindra e mijëra shqiptarë të flijojnë jetën e tyre për liri, dinjitet kombëtar, flamurin që në çdo qelizë të tij mban shpirtrat, zemrat e martirëve të kombit tonë.

Nderi  i madh sonte i takon Ismail Qemalit, burrit të madh vizionar të kombit, u takon Mehmet Terallës,  Zydih  Ohrit, Nuri Sojlit,  Myrteza Strugës, burrave të trojeve shqiptare të Maqedonisë, që me dorën e tyre të artë firmosën Aktin e Pavarësisë, në emër tuaj, në emër  të të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.

Nderi sonte i takon arkitektit të madh, arkitektit gjenial të Shqipërisë etnike, arkitektit të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës  dhe atdhetarëve  të tjerë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, që tronditët Europën dhe botën dhe bënë që shqiptarët të mund të shpallin pavarësinë.

Vëllezër dhe motra

Shekulli që lamë ne prapa, ishte shekulli i një kalvari  për ne shqiptarët.  Ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, ata shpallën pavarësinë e Shqipërisë  jetike.  2/3 e trojeve shqiptare u ndanë u copëtuan në padrejtësinë më të madhe  të shekullit që shkoi.

Shqipëria përjetoi pushtimet dhe diktaturat më të egra, klonet,  telat me gjemba ndanë shqiptarët me njëri-tjetrin në mënyrën më të pamerituar. Por sot lavdi Zotit, lavdi armëve tona, lavdi miqve tanë, mblidhemi këtu  të lirë si kurrë ndonjëherë në historinë tonë, mblidhemi të bashkuar dhe festojmë të bashkuar dhe të sigurtë të ardhmen tonë.

Sot në këtë 100 vjetor pavarësisht se çfarë përjetuam, por kemi motive të mëdha për të qenë krenar me njëri-tjetrin, për të qenë krenar me trojet shqiptare, për të qene krenar me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja jonë.

Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësisë që na u imponuan, ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me matjen e lirisë nga të tjerët dhe shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe me një rezistencë legjendare Ushtria Clirimtare e Kosovës, Ushtria Kombëtare e Maqedonisë  do të zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Europë, do të çlironin kombin shqiptar do të bënin Ballkanin më të lirë, Europën më të lirë dhe më të drejtë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politik të saj.

Vëllezër dhe motra

Ky 100 vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë për të bërë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan gjatë një shekulli për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo ëndërr në të vërtetë 1000 herë po ta lexosh, është ëndrra e bashkimit  kombëtar të shqiptarëve.

Këtu nga Shkupi dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve. Të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre.  U bëj thirrje fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve do të bëheni më të lirë, më të drejtë dhe shqiptarët janë të gatshme për një bashkëpunim miqësor, afatgjatë, shekullor. Shqiptarët e lirë do të jenë forcë kryesore zhvillimi për veten e tyre dhe rajonin. Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Europës, është nacionalizëm i bashkuar në kulturën  ndër më të vjetrat  e kontinentit, në gjuhën ndër më të bukurat e Europës, nacionalizëm i bazuar në respektin e palëkundur të bindjeve dhe besimeve fetare të njëri-tjetrit.

Të rinj dhe të reja të Shkupit dhe mbarë Shqipërisë

Duhet të jeni krenarë me qytetarinë  e kombit tuaj, edhe njëherë dua t’ju përsëris këtu, nuk ka mbi tokë mysliman më të mirë, se ata që respektojnë besimin e tjetrit dhe të tillë janë shqiptarët. Nuk ka mbi tokë katolik më të mirë, se ata që respektojnë besimin e tjetrit  dhe të tillë janë katolikët shqiptarë. Nuk ka mbi tokë ortodoks  më të mirë, se ata që respektojnë besimin e njëri- tjetrit, të tillë jemi ne, të tillë janë ortodoksit shqiptarë.

Ndaj dhe askush të mos druhet, të mos irritohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar, se kjo synon përqendrimin, shpalosjen e energjive të tyre të pafundme, për të ndërtuar atë që u mungoi.  Askush nuk duhet të harrojë se, shqiptarët u takuan me shekullin e ri, të lirë, por si një komb që kishte mbijetuar si një komb që padrejtësitë e mëdha nuk e kishin lejuar të ndërtojë të ardhmen.  Ndërtimi i të ardhmes së shqiptarëve është zhvillimi  më pozitiv, më paqësor, më i rëndësishëm për të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

I dashur zoti kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi

I dashur zoti, Ali Ahmeti

Shqiptarët presin nga ne që në projektin tonë europian si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre, të realizojnë njëkohësisht projektin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ndaj dhe nën moton të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën le të përqendrojmë ne të gjithë energjitë tona.

Të dashur qytetar dhe qytetare të Shkupit

Festa nga Shkupi shkon në Kosovë. Shkon në Kosovë me një mirënjohje të pakufishme,  sepse pa Kosovën e lirë, pa gjakun e luftëtarëve të saj, shqiptarët në mbarë botën nuk do të ishin të lirë. Liria kombëtare është një dhe e pandarë, ndaj dhe ne përulemi me nderimin më të madh para luftëtarëve të lirisë, që ranë për tu bërë të pavdekshëm në fush betejat e Kosovës në malet e  Sharrit dhe kudo që ranë. Nga Kosova kështu siç jemi  kthehemi në Tiranë dhe në Vlorë. 

Ky është 100 vjetori i besimit tonë, i zotimit tonë, i vizionit tonë Europian, i vizionit tonë të bashkimit kombëtar për të bëre realitet ëndrrën e martirëve të këtij kombi

Zoti i bekoftë shqiptarë kudo që janë

Zoti e bekoftë flamurin tonë kombëtar

Zoti e bekoftë lirinë e Shqiptarëve

Gëzuar."


25/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›