E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane

- “Serbia të përshtatë qëndrimet e veta me perspektivën europiane të integrimit.”

Kryeministri Berisha mori pjesë mbrëmë në Bruksel në Samitin e Partive Popullore Europiane (PPE), në të cilin merrnin pjesë presidentë, kryeministra dhe kryetarë të Partive të Qendrës së Djathtë të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve me marrëdhënie asociimi me të. Në këtë Samit, ishin të pranishëm, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso dhe Presidenti i Parlamentit Europian Hans Gert Poettering.

Çështjet kryesore në këtë Samit ishin çështja e Kosovës dhe zgjidhja e statusit të saj dhe komisioni i reflektimit për problemet e Europës.

Në Samit mori fjalën edhe Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti firmosjen e Traktatit të ri Europian të Lisbonës si një arritje të madhe për të gjithë Europën.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi si zhvillim të madh pozitiv unitetin e BE-së, që po arrihet në tërësi për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kryeministri theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia të marrë sinjalet e domosdoshme, të heqë dorë nga manipulimi i serbëve të Kosovës, nga mendimet për bllokadë apo embargo ndaj saj dhe të përshtatë qëndrimet e veta me perspektivën europiane të integrimit.

“Nuk mund të ecet drejt Europës me një psikologji koloniale. Kosova është rast krejt i veçantë, siç thekson edhe deklarata e Këshillit të Ministrave të BE-së, ndaj dhe si e tillë zgjidhja e vetme për të është pavarësia në përputhje me dispozitat e planit “Ahtisaari”,” u shpreh Kryeministri Berisha.

Në Samit morën fjalën edhe shumë nga të pranishmit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›