Kryeministri Berisha lançon fillimin e zbatimit të projektit për rrugët rajonale, në takimin me kryetarët e qarqeve të vendit
Sot në mesdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim pune me pjesëmarrjen e 12 Kryetarëve të qarqeve te vendit, Ministrit të Puneve Publike, Transportit dhe Telekominikacionit Olldashi, Ministrit të Brendshëm Nishani, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si dhe drejtorin e ALUIZN-it, në kuadrin e zhvillimit rajonal të vendit.
Në ketë takim, Kryeministri Berisha lancoi fillimin e zbatimit të projektit për rrugët rajonale të mbështetur nga Banka Botërore, sipas të cilit çdo qark do të përfitojë ndërtimin e rrugëve, nëpërmjet konkurrencës të prioriteteve rajonale.
Kryeministri Berisha theksoi që nëpërmjet këtij projekti, i cili për këtë vit shënon vetëm fillimin e një pune të gjate, do të mundësohet përmirësimi i infrastrukturës rrugore për t'i ardhur në ndihmë në këtë mënyrë banorëve të këtyre zonave, si dhe qendrave të zhvillimit turistik dhe arkeologjik të vendit.
Kryeministri kërkoi nga kryetarët e pranishëm dhe përfaqësuesit e dikastereve përkatëse që të bashkërendojnë punën mes tyre për standardizimin teknik të rrugëve, të rivlerësimit të kërkesave të përpunimit, si dhe të evidentimit dhe seleksionimit të kapaciteteve të firmave shqiptare të ndërtimit.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha evidentoi si një problem madhor përpunimin e mbetjeve urbane. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi të bëhen studimet e hollësishme për trajtimin e mbeturinave të ngurta, duke u bazuar në modelet europiane, si dhe të merren gjitha masat sensibilizuese për krijimin e një kulture mjedisore në të gjitha shtresat e komunitetit.
Për sa i përket vazhdimit të thellimit të procesit të legalizimeve, Kryeministri kërkoi prej autoritetit përkates përshpejtimin e veprimeve në harmoni me ligjin, në mënyrë që të kalohet në fazën e fundit të legalizimit.