Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit
- Marrëveshja e dytë Prag e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit , me një vlerë prej 15.7 milionë dollarësh, pason suksesin e projektit aktual të fokusuar në uljen e korrupsionit
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e zhvilluar në hotel Sheraton.
Kjo marrëveshje, me një vlerë prej 15.7 milionë dollarësh, pason suksesin e projektit aktual të fokusuar në uljen e korrupsionit në prokurimet publike, në administrimin e tatimeve, si dhe në regjistrimin e biznesit. Faza e dytë synon të përmirësojë aftësinë e sistemit gjyqësor për trajtimin e mosmarrëveshjeve administrative, të zvogëlojë korrupsionin dhe inefiçencën në administratën tatimore, të ndërtojë një qendër kombëtare “one stop shop” për licencat e bizneseve, të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të formojë Njësi të Përbashkëta Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit.
Duke falënderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj Presidentit Bush, qeverisë amerikane dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për ndihmën e dhënë, Kryeministri Berisha theksoi se me anë të këtyre projekteve të realizuara Shqipëria ka ndryshuar thellësisht. “Tre vjet më parë së bashku me autoritetet e Shteteve të Bashkuara, ambasadën Amerikane në Tiranë dhe përfaqësuesit e Sfidës së Mijëvjeçarit ramë dakord që fondin prej rreth 15 milionë dollarësh t’ia përkushtojmë tërësisht projekteve, të cilat do të bënin të mundur modernizimin e disa sektorëve jetikë në vend, por me synim kryesor luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha përmendi arritjet e qeverisë gjatë fazës së parë të kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se këto arritje kanë përmirësuar në mënyrë domethënëse pozicionin e Shqipërisë në renditjen botërore në bërjen e biznesit dhe në perceptimet për korrupsionin.
Kryeministri kërkoi nga donatorët dhe institucionet ndërkombëtare që me anë të projekteve dhe ndihmave të tilla të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit. “Në këtë betejë ne ia dolëm që nga të grupuar me 24 vendet më të korruptuara të planetit, arritëm të lëmë pas 95 vende. Por, ju garantoj se kjo është vetëm një frymëmarrje. Ambicia ime është të renditemi në 20 vendet e para për indeksin e korrupsionit. Kjo është një ambicie shumë e vështirë për t’u realizuar. Unë jam i bindur që kjo nuk arrihet në dy apo tre vjet, por jam i bindur që kjo mund të arrihet. Ndaj, ju garantoj se do të bëj çdo përpjekje që çdo vit të kapim një stacion të ri në këtë betejë me këtë kancer, i cili në rast se nuk luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj merr zhvillim të pandërprerë”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë ceremoni përshëndeti dhe ambasadori amerikan në Tiranë John L.Withers, i cili u shpreh se partneriteti midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë nën programin Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ka arritur reforma të dukshme. Ambasadori Withers shtoi që në fazën e dytë të programit Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmojnë Shqipërinë të arrijë suksese të luftën kundër korrupsionit, sepse kjo është ajo që kërkojnë shqiptarët.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ministri i Financave z.Ridvan Bode dhe drejtorja e Misionit të USAID-it znj. Roberta Mahoney, Kryeministri Berisha, ambasadori Withers dhe Zv/presidentja e Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit znj. Sherri Kraham, vizituan një ekspozitë të arritjeve të Programit Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit në fazën e parë.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Ndjehem shumë i lumtur që përshëndes në këtë ceremoni, me të cilën ne kremtojmë përfundimin e fazës së parë të Programit të Pragut të Korporatës së Mijëvjeçarit. Me këtë rast unë dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet më të përzemërta Presidentit Bush dhe qeverisë së tij, Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, USAID-it dhe kompanisë që zbatoi me sukses të plotë projektet e Pragut të Mijëvjeçarit në Shqipëri, gjatë këtyre viteve.
Dëshiroj të theksoj se për një vend të lirë asgjë nuk është më ndëshkuese, asgjë nuk dhunon liritë dhe të drejtat e qytetarëve të këtij vendi, asgjë nuk varfëron qytetarët e këtij vendi, asgjë nuk prek shëndetin dhe moralin e tyre më shumë sesa fenomeni i korrupsionit. Në këtë kontekst tre vjet më parë së bashku me autoritetet e Shteteve të Bashkuara, ambasadën Amerikane në Tiranë dhe përfaqësuesit e Sfidës së Mijëvjeçarit ramë dakord që fondin prej 15 milionë dollarësh t’ia përkushtojmë tërësisht projekteve, të cilat bënin të mundur modernizimin e disa sektorëve jetikë në vend, por me synim kryesor luftën kundër korrupsionit.
Zoti ambasador, zonja Kraham,
Unë e di se ligjvënësit tuaj, në mënyrë shumë legjitime gjithnjë mbajnë një vështrim mbi efiçencën dhe mënyrën e përdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë në vendet ku ata i adresojnë. Unë ndihem i lehtësuar, ndihem i kënaqur dhe i gëzuar se ju zonja Kraham mund t’i raportoni atyre dhe ata mund të vinë dhe të vizitojnë Shqipërinë, për të parë sesa e madhe ka qenë efiçenca e atyre parave që ata kanë votuar dhe miratuar për të ndihmuar popullin dhe vendin mik, në një betejë që është e një rëndësie jetike vendimtare.
Sot, dua të theksoj se me anë të projekteve që janë zbatuar Shqipëria ka ndryshuar thelbësisht. Nuk ka mirëseardhje më të ngrohtë, më të përzemërt për ata qindra dhe mijëra qytetarë të huaj që vendosin të zhvillojnë projektet dhe ëndrrat e tyre në vendin tonë, sesa Qendra Kombëtare e regjistrimit të Biznesit, ku ata regjistrojnë biznese në një kohë rekord të shkurtër dhe pa ndonjë mundim të veçantë.
Nuk ka garanci më të madhe për transparencë për biznesmenin shqiptar dhe të huaj sesa taksat on-line. Ai e di se do të bëjë deklarimin dhe nuk ka nevojë të bëjë marrëveshje me agjentin e autoriteteve tatimore. Përveç kësaj sistemi i taksave online është një lehtësim i jashtëzakonshëm në kohë për biznesmenët dhe investitorët. Për të gjithë koha është flori, ndërsa për bizneset është platin. Prokurimet publike dhe konçensionet janë një veprimtari themelore e çdo qeverie, që ka të bëjë direkt me paratë dhe asetet publike.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një proces transparent në të gjithë përdorimin dhe trajtimin e tyre.
Sot, në sajë të këtij programi vendi ka një ligj të ri. Sot, në sajë të këtij programi ka një praktike krejtësisht tjetër, tepër moderne, elektronike, e cila siguron një transparencë të pakrahasueshme në të gjitha metodat e derisotme.
Të nderuar miq,
Qeveria është tërësisht e angazhuar që këto projekte të njohin konsolidimin më të shpejtë dhe më të mirë. Në këtë kontekst ne kemi vendosur që më 1 janar të vitit 2009, të mos ketë më asnjë prokurim tjetër përveç se elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë. Instituti i trajnimit të Administratës Publike së bashku me USAID-in ka ndërmarrë një nga kurset më të rëndësishme për vendin, për të trajnuar përfaqësuesit e të gjitha autoriteteve kontraktuese të vendit që të aplikojnë me prokurim elektronik dhe kjo është e domosdoshme. Ndryshimi sot është vërtetë shumë i madh.
Duke bërë një analizë të Prokurimeve Publike rezulton se në rast se tani nuk ka më asnjë prokurim të drejtpërdrejtë, tre vjet më parë mbi 40 përqind e prokurimeve, jo vetëm që ishin drejtpërdrejtë, por nuk publikoheshin fare në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Nëse bëjmë një tjetër krahasim të këtyre dy viteve, rezulton se është 40 përqind më i lartë kursimi me prokurimin elektronik sesa me prokurimin e hapur që mund ta quajmë manual.
Autoritetet kontraktuese duhet të bëjnë një punë akoma më të madhe, jo vetëm në zbatimin e Prokurimit Elektronik. Grupe të tëra po punojnë dhe do të punojnë që preferencat të jenë të atilla, që të mund të mos kenë asnjë lloj ndikimi. Në këtë mënyrë këtij vendi të varfër, akoma të varfër, t’i japim mundësi të ketë në dispozicion fonde shumë më të mëdha.
Regjistrimi i biznesit është një ndryshim rrënjësor. Nga 42 ditë dhe një kosto prej më shumë se tre mijë euro, sot regjistrohet në rreth 30 minuta dhe me një kosto mijëra euro më pak. Por, janë akoma më të mëdha potencialet e kësaj praktike që janë instaluar dhe ju garantoj se ne do t’i zhvillojmë ato tërësisht dhe plotësisht.
Aplikimi on-line dhe disa plotësime të tjera, transparenca më e madhe e kompanive në të gjithë komponentët e veprimtarisë së tyre, duhet të jenë disponibël si në tatime, ashtu dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Në do të punojmë për këtë, por rezultatet e mëdha janë arritur në fushën e taksave. Një raport i Bankës Botërore për vitin 2004, thekson se në këtë vend 1.4 miliardë dollarë nga taksat dhe tatimet e qytetarëve shqiptarë përfundojnë në kontot e kontrabandistëve, evazorëve dhe zyrtarëve të korruptuar.
Unë do të dëshiroja që ata, të cilët votojnë dhe firmosin në vendin tuaj për të ndihmuar Shqipërinë në kuadrin e Korporatës së Mijëvjeçarit, të dinë se Shqipëria me përpjekjet e qeverisë, me reformat e ndërmarra dhe me këto projekte i’a ka dalë që në këto tre vjet të ketë 3.2 miliardë dollarë më shumë të ardhura në tatime dhe taksa, në krahasim me tre vjet më parë.
Në rast se do të shtonim këtu sëpaku gjysmë miliardë dollarë kursime në Prokurimet Publike duke ndaluar formën direkte dhe duke kaluar më pas në formë të hapur e më pas në atë elektronike. Në rast se do të shtonim këtu rreth 1 % të GDP-së shpenzime operative të administratës më pak, këto arrijnë një vlerë rreth 4 miliardë dollarë.
Imagjinoni sikur tre vjet më parë donatorët të mblidheshin në një konferencë dhe të shpallnin se Shqipërisë do t’i akordonin një shumë prej 4 miliardë dollarë, mendoni se çfarë ushëtime do të kishte në mbarë botën.
Në të vërtetë Shqipëria në tre vjet ka pasur 4 miliardë dollarë më shumë dhe donatorët kanë luajtur një rol parësor me projektet dhe ndihmat që kanë mbështetur vendin tonë të ketë një performancë të tillë. Këtu është një mirënjohje shumë e thellë dhe një apel imi ndaj donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare; ndihmojeni vendin tim, para së gjithash dhe mbi të gjitha në luftën kundër korrupsionit.
Në këtë betejë ne ia dolëm që nga të grupuar me 24 vendet më të korruptuara të planetit, arritëm të lëmë pas 95 vende. Por, ju garantoj se kjo është vetëm një frymëmarrje. Ambicia ime është të renditemi në 20 vendet e para për indeksin e korrupsionit. Kjo është një ambicie shumë e vështirë për t’u realizuar. Unë jam i bindur që kjo nuk arrihet në dy apo tre vjet, por jam i bindur që kjo mund të arrihet. Ndaj, ju garantoj se do të bëj çdo përpjekje që çdo vit të kapim një stacion të ri në këtë betejë me këtë kancer, i cili në rast se nuk luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj merr zhvillim të pandërprerë.
Ndaj, edhe projektet që vinë unë i shoh me optimizëm të madh zbatimin e tyre. Sërish ato drejtohen në këtë betejë. Krijimin e ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat. Qeveria ime ka hequr 2/3 e lejeve dhe licencave, të cilat shërbenin si çerdhe të korrupsionit. Por, nuk mund t’i heqim të gjitha sepse çdo vend në botë i ka të detyruara të ketë disa. Por këto që mbetën do t’i grupojmë në One Stop Shop që do të ngremë tani, në kuadër të projektit të fazës së dytë të Pragut të Mijëvjeçarit. Unë kam besim në suksesin e tyre. Unë do t’ju garantoj ju se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për ti realizuar me sukses ato.
Një tjetër fushë e rëndësishme është drejtësia. Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur e imja dhe e qeverisë time se rrënues kryesor i pavarësisë së tyre është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këtë institucione është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik.
Por, askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën duke mos parë në kopshtin e tij është në mendjen dhe mençurinë më të lartë të këtij kombi.
Ky apel ka një progres të pamohueshëm dhe një progres që ka bërë të mundur sukseset e deritanishme të luftës kundër korrupsionit. Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm duke kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë.
Natyrisht, të gjithë ata gjykatës apo prokurorë në 10 apo 12 vite nuk është përballur me ligjin, pavarësisht veprës që ka kryer. Kjo çështje mbetet për t’u zgjidhur dhe do të zgjidhet nëpërmjet reformave.
Çdo ndihmë e vendeve mike, dhe jam i kënaqur se dy projektet e mëdha të Pragut të Mijëvjeçarit adresohen në këtë drejtim, çdo ndihmë e institucioneve ndërkombëtare ka një rëndësi shumë të madhe për vendin tim, i cili është vendi më kohëhumbur i këtij kontinenti dhe nuk duhet të humbë më asnjë sekondë, por të kapë të ardhmen.
Edhe një herë, duke u falënderuar me shumë mirënjohje të gjithëve, qeverinë tuaj, Ambasadën, Korporatën e Mijëvjeçarit, USAID-in dhe duke falënderuar donatorë të tjerë si Bankën Botërore, institucione të tjera financiare të vendeve mike dhe institucione ndërkombëtare, ju garantoj se qeveria është e vendosur të marrë çdo masë, çdo vendim, çdo ligj për implementimin sa më serioze të projekteve tuaja në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë.
Ju faleminderit!"
17/10/2008