E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nisjes së Kontingjentit të 12-të paqeruajtës në Irak

-          Kryeministri Berisha u shpreh se kontingjentet paqeruajtëse janë shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm e cilësor në realizimin e njërit prej 2 projekteve më të mëdha të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin e vendit në NATO.

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në mesditë, në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit të 12-të të trupave “Komando” në misionin “Liria e Irakut”, si dhe një kontingjenti shtesë me mision paqeruajtës në Bagdat.   

Në ceremoninë e zhvilluar në Komandën e Forcës së Bashkuar, në Zall Herr, ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa,  Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Stive Kristina, drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, përfaqësues ushtarakë të vendeve partnere si ODC, CUBIC, si dhe Atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, familjarë të komandove, etj.

Kryeministri Berisha vlerësoi se përmes këtij misioni të ri, konsolidohet tradita më e shkëlqyer e ushtrisë shqiptare, ajo e kontributit për paqen dhe stabilitetin në Evropë dhe në botë.

Shqipëria, - theksoi Kryeministri, -  ndihet krenare me paqeruajtësit e saj, si dhe ndihet krenare për bashkëpunimin e shkëlqyer me SHBA dhe ushtrinë amerikane. Kryeministri i shprehu mirënjohjen më të thellë, Presidentit  Bush dhe qeverisë së tij për ndihmën e jashtëzakonshme dhe të çmuar.

Duke falënderuar familjarët për mbështetjen e dhënë bijve të tyre në marrjen e këtij misioni, Kryeministri theksoi se “me këtë vendim bijtë tuaj kanë dhënë një kontribut shumë të madh për vendin, janë shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm e cilësor, në realizimin e njërit prej 2 projekteve më të mëdha të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin e vendit në NATO”.

Ndërsa Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Stive Kristina, vlerësoi se forcat e shqiptare kanë treguar se dinë të shërbejnë me trimëri dhe profesionalizëm përgjatë gjithë misioneve të nisura drejt Irakut. “Shërbimi juaj ka fituar gjithmonë respektin  dhe vlerësimin e atyre që kanë shërbyer përkrah jush. Ju jeni fytyra e ushtrisë profesioniste shqiptare dhe vendi juaj duhet të ndihet krenar për këtë gjë. Gatishmëria e Shqipërisë për të kontribuar në misionet paqeruajtës demonstron përkushtimin e saj për anëtarësimin në NATO dhe integrimin euroatlantik”, tha zoti Kristina.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes zoti Gazmend Oketa, inkurajoi ushtarakët shqiptarë për një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në misionin e lirisë së Irakut, si vazhdimësi e kontributit shumë të vlerësuar të 11 kontingjenteve paraardhëse në këtë vend.  

Pas ceremonisë, Kryeministri u takua me familjarët e trupave paqeruajtës dhe u shprehu atyre mirënjohjen më të thellë për vendimin e shkëlqyer të bijve të tyre. Më pas, Kryeministri bëri edhe një foto familjare me të gjithë njësinë paqeruajtëse.    

Kontingjenti i 12-të “Komando” që niset me mision në Irak ka në përbërjen e tij 120 ushtarakë profesionistë. Deri tani kanë kontribuar me mjaft sukses për paqen dhe sigurinë në Irak rreth 1124 komando. Ndërsa kontingjenti shtesë përbëhet nga 95 ushtarakë dhe ai do të vendosen në zemër të kryeqytetit iraken, Bagdatit.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha gjatë ceremonisë:

“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht për misionin që ndërmerrni në ruajtjen dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Irak. Ju sot merrni një mision të ri, me të cilin konsolidoni traditën më të shkëlqyer të regjimentit tuaj dhe të ushtrisë shqiptare, atë të kontributit në Evropë dhe në botë për paqen dhe stabilitetin. Së bashku me ne, sot këtu juve ju përcjellin edhe nënat, baballarët, bashkëshortet, vëllezërit dhe motrat tuaja. Ata dhe të gjithë ne së bashku ndihemi krenarë, pasi ju niseni në një mision për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e nënave, baballarëve, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave të një kombi i cili përjetoi, njësoj si kombi ynë, një diktaturë shumë të egër dhe i cili, me ndihmën e vendeve të lira, po  ndërton lirinë, me një përballje të rëndë me terrorizmin, armikun numër 1 të lirisë së kombeve.  

Prej 5 vitesh, nga ky shesh dhe  nga vendndodhje të tjera, ushtarakët shqiptarë janë nisur në misionet e paqes, por dita e sotme është e veçantë në këtë traditë, sepse në nisjen tuaj, trupat shqiptare jashtë vendit arrijnë në numrin më të madh, në mbi 400 anëtarë të Forcave tona të Armatosura. Kjo ditë është shumë e rëndësishme dhe shumë e veçantë sepse, krahas misionit që ju keni në Mosul, merrni një mision të ri në Bagdat, një mision shumë të rëndësishëm dhe shumë delikat. Unë kam besim të plotë se ju do ta përmbushni me dinjitet, profesionalizëm dhe guxim këtë mision të ri.

Ne jemi shumë krenarë me ju, jemi krenar me bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi me SHBA dhe ushtrinë amerikane. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen më të thellë, Presidentit  Bush dhe qeverisë së tij për ndihmën e jashtëzakonshme dhe të çmuar.

Qeveria ka vendosur të dërgojë kontingjent shtesë në Irak. Ndërkohë, vendet që kanë marrë këtë vendim nuk janë të shumta. Dua të siguroj Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane se, Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë me ta në të gjitha përpjekjet e tyre për zhvillimin dhe konsolidimin e lirisë dhe sa herë që ta kërkojë nevoja. Ne e bëjmë këtë me vetëdije të thellë, të bindur se njerëzit e lirë duhet të kontribuojnë për lirinë dhe vlerat universale që ato të shndërrohen në realitet për qytetarët kudo në botë. Por gjithashtu, ne e bëjmë këtë me vetëdije të thellë se çfarë do që të bëjmë ne për lirinë e të tjerave, nuk do të arrijmë të bëjmë dot atë që SHBA kanë bërë për lirinë e shqiptarëve dhe lirinë e kombeve të tjera. Ndaj ne jemi shumë krenarë që kemi këtë shanc e këtë mundësi që të japim ndihmesën tonë modeste në paqen dhe lirinë e vendeve të tjera, krah për krah  me ushtrinë më të shpëlqyer të planetit, ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe ushtrive të tjera të vendeve të lira.

Të dashur prindër, familjarë, nëna, baballarë, fëmijë, motra të ushtarëve që nisen sot. Dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje, në emër të të gjithë shqiptarëve, për mbështetjen që u keni dhënë bijve tuaj për të ndërmarrë këtë mision sa të vështirë aq dhe të rëndësishëm e dinjitoz. Dua t’ju siguroj se, më këtë vendim, bijtë tuaj kanë dhënë një kontribut shumë të madh për vendin, janë shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm cilësor, në realizimin e njërit prej 2 projekteve më të mëdha të shqiptarëve për këtë shekull, anëtarësimin e vendit në NATO.

Dua t’ju  siguroj, të nderuar familjarë, se qeveria do të jetë pranë jush për të gjitha problemet, sikundër do të ndodhet  pranë bijve tuaj që ne përcjellim sot.

Edhe njëherë, ju uroj sukses në këtë mision të madh dhe fisnik.

Kthehuni me faqe të bardhë!.

Faleminderit”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›