Kryeministri Berisha merr pjesë në prezantimin e kompanisë Zumax
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në prezantimin e planeve për zhvillimin dhe ndërtimin e një terminali të madh konteinerësh dhe një zone të lirë industriale në Vlorë, projekt i konsorciumit anglo-zviceran Zumax.
Kryeministri pasi përgëzoi drejtuesit e kompanisë për kurorëzimin me sukses të propozimit të mëparshëm, u shpreh se zbatimi i këtij projekti do ta shndërrojë Vlorën në një nga qendrat më të fuqishme detare të Mesdheut, por dhe zonën e lirë në një nga gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Shqipërisë.
Mund të them,- vijoi Kryeministri,- se Vlora për pozicionin e saj gjeografik, ujërat e saj të thella njerëzit e saj punëtorë, e meriton këtë projekt me bindjen më të thellë se kjo do të jetë një histori e madhe suksesi.
Duke garantuar drejtuesit e kompanisë për lehtësimin e punës së tyre, Kryeministri tha se ata kanë zgjedhur drejt jo vetëm vendin, por edhe kohën për realizimin e këtij projekti. Në këtë kontekst Kryeministri tha se kompania ka vendosur të bëjë këtë investim të madh në një kohë kur vendet e këtij rajoni janë angazhuar thellësisht në një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm, kanë krijuar një hapësirë të tregtisë së lirë që shtrihet nga Kroacia në Moldavi, punojnë së bashku për projektin e integrimit europian.
Kryeministri theksoi se vendet e këtij rajoni, pak vite më parë konfliktual, janë sot vende që eksportojnë siguri. Më tej Kryeministri vlerësoi se përzgjedhja e Shqipërisë për realizimin e këtij projekti është një zgjedhje e mençur nga ana e kompanisë, pasi Shqipëria pavarësisht se një vend i vogël në hartë paraqet potenciale të mëdha për investime në rezervat hidrike ato minerare dhe në turizëm.
Kryeministri e cilësoi investimin me vlerë 1.2 miliardë eurosh që parashikon projekti, si një besim të jashtëzakonshëm që kompania dëshmon tek Shqipëria.
Projekti parashikon ndërtimin e një terminali me kapacitet prej më shumë se 3 milionë konteinerë në vit. Ai do të shërbejë si një port tranzit dhe import-eksport për rajonin, duke ofruar gjithashtu hyrje efikase për në det për komunitetin lokal. Zona e lirë do të ofrojë lehtësira dhe shërbime për të mbështetur zhvillimin e industrisë së lehtë në Vlorë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha gjatë prezantimit të projektit të kompanisë Zumax:
Dëshiroj që me kënaqësi të veçantë t`ju përshëndes, t`ju falënderoj dhe t`ju përgëzoj për kurorëzimin me sukses të propozimit të mëparshëm për ndërtimin e një porti të ri konteinerësh dhe një zone të lirë industriale për konteinerë në Vlorë dhe të paraqisni sot projektin më të madh që vendi im ka njohur ndonjëherë. Ju ekspozuat këtu projektin e ndërtimit të një porti të madh terminal konteneirësh që do të mundësojë tranzitimin nga anija në anije, do të zhvillojë një zonë të lirë, do të shndërrojë Vlorën në këtë mënyrë në një nga qendrat më të fuqishme detare të Mesdheut, por dhe zonën e lirë në një nga gjeneratorët më të mëdhenj të zhvillimit të Shqipërisë. Mund të them se Vlora për pozicionin e saj gjeografik, ujërat e saj të thella dhe njerëzit e saj punëtorë e meriton këtë projekt me bindjen më të thellë se kjo do të jetë një histori e madhe suksesi.
Ju zoti Lloyd jeni një mik i hershëm i Shqipërisë, keni ardhur shumë herë këtu dhe me këtë projekt i bëni Shqipërisë dhe shqiptarëve, nderimin më të madh, dhuratën më të madhe dhe unë garantoj ekipin tuaj se qeveria do të marrë çdo vendim dhe do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar dhe për të mundësuar suksesin tuaj të plotë, sikundër mendoj se nuk keni zgjedhur drejt vetëm vendin, por keni zgjedhur dhe kohën. Ju keni vendosur të bëni këtë investim të madh në një kohë kur vendet e këtij rajoni janë angazhuar thellësisht në një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm, kanë krijuar një hapësirë të tregtisë së lirë që shtrihet nga Kroacia në Moldavi, punojnë së bashku për projektin e integrimit europian. Vendet e këtij rajoni, pak vite më parë rajon konfliktual, janë sot vende që eksportojnë siguri. Shqipëria dhe Kroacia kanë marrë ftesën për në NATO dhe janë me shumë shpresa për anëtarësim në kohën më të shpejtë të mundshme, gjë që i bën jo vetëm ato, por edhe rajonin më të sigurtë, paqen dhe stabilitetin në këtë rajon më të sigurtë.
Dua t`ju informoj ju dhe të pranishmit se përzgjedhja e Shqipërisë në këtë kohë është një vendim shumë i mençur nga ana juaj dhe e ekipit tuaj. Ky vend është i vogël në hartë, por është vend me potenciale shumë të mëdha. Është njëri nga vendet me pasuri ujore për t`u shfrytëzuar ndër më të mëdhatë. Është njëri nga vendet me rezerva minerale të përmasave të një rëndësie më të madhe se sa rajonale, të përmasave botërore. Është njëri nga vendet me potencial shumë të madh turistik.
Sërish dua të theksoj këtu se të tre këto potenciale të mëdha që unë përmenda nuk janë ende në nivelin ku ato do të jenë. Industria minerare shqiptare akoma nuk ka peshën e saj që meriton në ekonominë e vendit. Rezervat e mëdha ujore, energjetike janë në një fillim të madh shfrytëzimi. Kemi patur një bum turistik të paprecedent, por kjo nuk do të thotë se kemi akoma një industri turistike që është e domosdoshme. Megjithatë ky vend ia ka dalë në tre vjet në politikën e drejtë të uljes së taksave, luftës kundër informalitetit, evazionit, kontrabandës të ketë si të ardhura më shumë se ç`janë mbledhur në 6 vite para këtyre tre viteve. Kjo është një histori e vërtetë suksesi. Histori suksesi në sensin që dëshmon potencialin e madh të lirisë. Zgjerimi i hapësirave të saj, liberalizimi i ekonomisë kanë qenë faktorët kryesorë që kanë bërë të mundur këto arritje.
Unë nuk mund të them se në tre vite ekonomia shqiptare u dyfishua, por mund të them me saktësi se në tre vjet të ardhurat kombëtare u dyfishuan, pavarësisht reduktimit më shumë se përgjysmim i taksave. Mund t`ju them se në këto tre vjet po bëhet përpjekja më e madhe për një infrastrukturë moderne në Shqipëri. Ju keni vendosur të ndërtoni portin, por ne brenda një afati të shkurtër sjellim në Vlorë autostradën me katër korsi, e domosdoshme dhe unë ju garantoj ju se qeveria ime do të marrë të gjitha masat në funksion të portit dhe zonës suaj të lirë, të përshtasë të gjithë infrastrukturën hekurudhore, rrugore për të lehtësuar sa më shumë transportin.
Ju theksuat me shumë të drejtë Korridorin VIII, i cili në një mënyrë ose në një tjetër po ndërtohet dhe do të ndërtohet. Por porti që ju ndërtoni është i një rëndësie edhe jashtë hapësirave të këtij korridori. Autostrada Durrës-Prishtinë-Merdare-Nish dhe më tutje do të lidhë Vlorën me Korridorin X dhe me vende të tjera të rajonit dhe Europës. Në këtë kontekst edhe njëherë dua t`ju falënderoj për këtë besim të jashtëzakonshëm që keni dëshmuar tek Shqipëria dhe ky besim është i vlefshëm sa vetë shuma e madhe, 1.2 miliardë euro që ju keni vendosur të investoni në projektin tuaj të madh dhe t`u siguroj se qeveria ime do t`ju mbështesë ju fuqimisht.
Pak vite më parë një gazetar britanik më pyeti a do të bëhet Shqipëria “Tajvani” i Europës. Përgjigja ishte jo. Shqipëria do të bëhet shqiponja e Europës, së bashku do t`ia arrijmë.