E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR BULQIZË-URA-ÇERENECIT

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR BULQIZË-URA-ÇERENECIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.12.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave                                  

V E N D O S I:

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive së paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Bulqizë-Ura-Çerenecit.
  1. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 39 260 (tridhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) m2, tokë arë, të vlerësuar me 7 067 992 (shtatë milionë e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy) lekë, për sipërfaqen 108 (njëqind e tetë) m2, tokë truall, me një vlerë shpronësimi 47 196 (dyzet e shtatë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
  1. Shpenzimet procedurale, në shumën 1 645 000 (një milion e gjashtëqind e dyzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 7 115 188 (shtatë milionë e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti shtesë i vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
  1. Shpronësimi të fillojë më 15.9.2008 dhe të përfundojë më 30.11.2008.
  1. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënim “Plotësim dokumentacioni”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
  1. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të verifikojë përputhshmërinë e sipërfaqeve, të cilat preken, me numrat e pasurive, në pronësi të pronarëve që shpronësohen.
  1. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›