Kryeministri Berisha pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Skënder Hyseni
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Skënder Hyseni.
Kryeministri u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë të presë sot në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së pavarur të Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës, tha Kryeministri, ishte një arritje historike për kombin shqiptar. Rikonfigurimi UNMIK-ut dhe procesi i transferimit të kompetencave tek institucionet e Kosoves dhe misioni i EULEX është një arritje e rëndësishme.
Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila garanton një shtet të së drejtës, të lirë e demokratik dhe ekonominë e tregut, ishte një fitore e madhe.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën që po bëhet për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, e cila është njohur pothuajse nga e gjithë bota perëndimore. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë për të mbështetur të gjitha përpjekjet e qeverisë dhe diplomacisë së Kosovës për të shpejtuar procesin e njohjes së pavarësisë.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, pasi falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen theksoi se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme të takojë Kryeministrin Berisha dhe t`i shprehë atij falenderimet e tij dhe të popullit të Kosovës për përkushtimin dhe përkrahjen personale dhe institucionale që Kryeministri Berisha i ka dhënë pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës e informoi Kryeministrin Berisha për zhvillimet dhe punën që po bëhet për të ecur përpara në njohjen ndërkombëtare të Kosovës, duke vlerësuar se përkushtimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës falenderoi qeverinë dhe diplomacinë shqiptare për kushtet lehtësuese që misionet diplomatike shqiptare i kanë krijuar diplomacisë së Kosovës në të gjithë botën.
Të dy palët vlerësuan si shumë të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë edhe ne te ardhmen mes dy vendeve në mënyrë që procesi të ecë sa më shpejt përpara.