E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e mbërritjes së anijes së Rojës bregdetare "Iliria”

-Kryeministri Berisha: "Ne jemi të vendosur të ndahemi nga teknologjitë e vjetra dhe të bëjmë çdo përpjekje për të sjellë mjete moderne si për Forcat Detare, për këmbësorinë, por edhe për Forcat Ajrore të vendit"

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e mbërritjes së anijes  së Rojës bregdetare "Iliria", në portin e Durrësit.  Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se mbërritja e anijes është një tregues i fillimit të një përpjekje të madhe për modernizimin e Forcave Detare dhe forcave ushtarake shqiptare në përgjithësi.

Kryeministri siguroi Forcat Detare dhe në tërësi Forcat e Armatosura të Shqipërisë se qeveria është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për modernizimin e tyre.
Duke vlerësuar rolin dhe misionin e tyre tepër të rëndësishëm, Kryeministri nënvizoi se “teknologjitë e vjetra do të lihen mbrapa pasi ato jo vetëm që nuk shërbejnë, por ndëshkojnë ata që i përdorin ato. Ne jemi të vendosur të ndahemi prej tyre dhe të bëjmë çdo përpjekje për të sjellë mjete moderne si për Forcat Detare, për këmbësorinë, por edhe për Forcat Ajrore të vendit”.

Në ceremoninë e organizuar në kalatën 5, të portit detar të Durrësit, Kryeministri Berisha i dorëzoi komandantit të anijes "Iliria", Lejtnant Blerim Hoxha flamurin e anijes, i cili u ngrit nën tingujt e himnit tonë kombëtar. Më pas, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë “Damen Shipyard”, ministri i Mbrojtjes z. Gazmend Oketa, ministri i Brendshëm z. Bujar Nishani, Ministri i Punëve të Jashtme z. Lulzim Basha, diplomatë të pranishëm në këtë ceremoni, etj.. vizituan ambientet e anijes “Iliria” dhe përshkuan me të një distancë të shkurtër në det.

Anija “Iliria” është anija e parë e klasit “Iliria”, në kuadër të Programit të Modernizimit për pajisjen e Forcës Detare. Ajo do të pasohet nga tre anije të tjera të të njëjtit tip, të cilat do të quhen Orik, Lisus dhe Butrinti. 

Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh:

“Jemi mbledhur sot të festojmë së bashku një ngjarje shumë të rëndësishme dhe të shënuar për Forcat Detare, forcat ushtarake, por edhe për vendin në tërësi. Ne inaugurojmë sot së bashku fillimin e lundrimit të anijes së Rojës Bregdetare “Iliria”, e cila shënon njëkohësisht dhe fillimin e një përpjekje të madhe të pandërprerë për modernizimin e forcave tona detare dhe ushtrisë shqiptare në tërësi.

Shqipëria është një vend me një vijë të gjatë bregdetare dhe Roja bregdetare moderne është një kusht i domosdoshëm për sigurinë e ujërave tona, për luftën kundër trafiqeve kriminale, për misionet e kërkim-shpëtimit, për bashkëpunimin me forcat dhe Rojat bregdetare të vendeve mike. 
Anija e Rojës bregdetare “Iliria” u ndërtua në kantierin e ndërtimit të njërës prej kompanive më të fuqishme dhe më të mëdha të botës, në  “Damen Shipyard”, në Holandë. Ai është produkt i një bashkëpunimi të shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy qeverive tona. Me këtë rast, unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë holandeze, ambasadës Holandeze në Tiranë, përfaqësuesve dhe drejtuese të kompanisë “Damen Shipyard” për kurorëzimin me sukses të këtij bashkëpunimi.
Pothuajse një shekull më parë ushtria shqiptare u themelua nga një kolonel holandez, i cili punoi me dashuri dhe përkushtim të madh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi fuqitë e mëdha të asaj kohë kishin realizuar padrejtësinë më të madhe historike në Evropë ndaj tyre. Kujtimi dhe kontributi i Kolonel Tomson është i njohur dhe i respektuar jo vetëm në Forcat e Armatosura, por nga mbarë kombi shqiptar. Ky bashkëpunim i ri është vazhdim i një traditë dhe pasqyrimi i saj.

Drejtori ekzekutiv i “Damen Shipyard” shprehu keqardhje që nuk i adresohej dot në shqip audiencës së këtushme, por unë mendoj se kjo është krejtësisht e parëndësishme sepse anija që solli është fluente në shqip. Prandaj dua t’ju falënderoj Ju zoti drejtor dhe rojën bregdetare të vendit tuaj për këtë produkt të mrekullueshëm që ju sollët sot në brigjet tona. Me këtë rast dua të siguroj edhe një herë forcat detare dhe forcat e armatosura të Shqipërisë se qeveria është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për modernizimin e tyre. Për këtë qëllim qeveria shqiptare rriti buxhetin mbi 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ju, dhe unë mendoj se ky duhet të jetë një qëndrim afatgjatë i qeverive shqiptare.

Ju keni një rol jetik dhe një mision të madh për të përmbushur, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të sigurimit të vendit. Teknologjitë e vjetra do të lihen mbrapa. Ato jo vetëm që nuk shërbejnë, por ndëshkojnë ata që i përdorin ato. Ne jemi të vendosur të ndahemi prej tyre dhe të bëjmë çdo përpjekje për të sjellë mjete moderne si për forcat detare, për këmbësorinë, por edhe për forcat ajrore të vendit. Brenda afateve të caktuara ne do të realizojmë kalimin në një ushtri të plotë profesionale. Unë shoh sot, me vlerësimin dhe nderimin më të madh, rezultatet e shkëlqyera që ju keni arritur në reformat e mëdha që keni ndërmarrë, për t’u shndërruar në një ushtri të denjë për anëtarësimin e vendit në NATO.

Ne përcollëm dje trupat tona ushtarake për në Irak. Pak javë më parë nisem të tjera trupa për në Çad dhe Afganistan. Sot po inaugurojmë një anije moderne siç është anija “Iliria” e Rojës bregdetare. Të gjitha këto dëshmojnë se ushtria shqiptare ka ndryshuar dhe se është një ushtri që i shërben misionit të saj të madh që ka.
Dhe një herë dua t’i uroj gëzuar këtë ditë ekipit të anijes “Iliria”, të gjithë forcave detare dhe forcave të armatosura shqiptare.
Dëshiroj t’ju uroj suksese gjithnjë e më të mëdha dhe t’ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë në përpjekjet tuaja për modernizimin, reformimin dhe kthimin në një ushtri të një vendi anëtar të NATO-s.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›