E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në darkën e shtruar në nder të pjesëmarrësve në takimin e tryezave të Paktit të Stabilitetit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në darkën e shtruar në nder të pjesëmarrësve në takimin e tryezave të Paktit të Stabilitetit, që ka nisur sot punimet në Tiranë.

Ky është takimi i fundit i zhvilluar në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Kjo  nismë do të shndërrohet në vijim në Këshillin Kordinativ Rajonal, i cili ka për synim organizimin e vet vendeve të rajonit, mbi bazën e përvojës dhe traditës shumë të mirë të krijuar nga Pakti i Stabilitetit.

I pranishëm në këtë darkë ishte  Kordinatori Special i Paktit të Stabilitetit , zoti Erhard Bussek, përfaqësues të vendeve anëtare të Paktit të Stabilitetit, si dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare, etj.

Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e Paktit të Stabilitetit në konsolidimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në funksion të zhvillimit dhe integrimit të tyre euroatlantik. Nisma e paktit të Stabilitetit, tha Kryeministri, nisi në një rajon konfliktesh dhe spastrimesh dhe e shndërroi atë në pjesë të Europës së integruar.

Kryeministri bëri gjithashtu një përmbledhje të arritjeve konkrete të qeverisë shqiptare në reformat të ndërmarra në vend, me synim integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit.  Kryeministri i njohu ambasadorët me zhvillimet në fushën politike, ekonomike, zhvillimet e brendshme dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.. Ai vuri në dukje përpjekjet e Shqipërisë në zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit në NATO. Gjithashtu, Kryeministri bëri një përmbledhje të hapave konkretë të hedhur në aspektin ekonomik si, lehtësimin e procedurave dhe barrës fiskale burokratike për biznesin, uljen e taksave, si dhe luftën me tolerance zero kundër korrupsionit. Kryeministri u ndal në nismat e ndërmarra për krijimin e një klime lehtësuese dhe thithjen e investimeve të huaja, rritjen e turizmit, aplikimin e taksës elektronike, prokurorimeve publike elektronike, ombudsman-it të prokurimeve publike, nismën “Shqipëria një euro”, “One Stop Shop”, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›