Kryeministri Prodi: Investimet mund ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë
Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, Kryeministri Prodi u shpreh se investimet mund ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë.
“Në një ditë jo shumë të largët, - u shpreh Kryeministri Prodi - Shqipëria do të mund të shndërrohet në një vend prodhues dhe eksportues i energjisë. Për këtë, ne do të impenjohemi në mënyrë që nga projektet në këtë fushë të përfitojë si tregu shqiptar, ashtu edhe ai italian. Ne kemi interes të diversifikojmë edhe tregun tonë energjetik dhe i shohim me shumë përparësi investimet në fushën energjetike në Shqipëri.”
Kryeministri Prodi nënvizoi se Italia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta në fushën energjetike. Dy kryeministrat vlerësuan se Memorandumi i Mirëkuptimit midis ENEL-it dhe Ministrisë së Ekonomisë për ndërtimin e një TEC-i prej 700 deri në 1600 megavat është një nga hapat drejt realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën energjetike.
Gjatë takimit u diskutua edhe rreth investimeve të mëdha italiane në fushën e hidroenergjisë, në të cilën kompania TGK ka projekte konkrete me vlerë prej 600-700 milion euro, ndërkohë që kompani të tjera si “Begetti Group” po studiojnë projekte të tjera në këtë fushë.