Kryeministri Berisha merr pjesë në debatin televiziv në CNBC dhe intervistohet nga mediat prestigjoze ndërkombëtare
Kryeministri Berisha: Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme.
Një Martin Luther i ri për financat, pra, një politikë reformatore në fushën e financave, do të ishte përgjigjja e duhur për krizën.
Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, mori pjesë sot në debatin e transmetuar direkt në televizionin CNBC, një debat ky i përvitshëm në këtë Forum. Debati i këtij viti, me temë “Jo kthim mbrapa”, u fokusua në sinjalet që lëshoi kriza ekonomike botërore jo vetëm për botën e financës dhe ekonomisë, por edhe atë politike. Folësit në debat diskutuan për përthithjen e këtyre sinjaleve nga ekonomia dhe politika dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes së tyre.
Gjatë debatit u theksua se çdo krizë ekonomike, përveç problemeve të mëdha me të cilat shoqërohet, sjell edhe mundësinë për të marrë vendime thelbësore ekonomike dhe politike, që duhet të jenë largpamëse. Debati u fokusua edhe në sfidat që solli kjo krizë për ekonominë botërore, rrugëdaljet dhe zgjedhjet që duhet të ndërmarrin fuqitë e mëdha ekonomike për t’i dhënë zgjidhje asaj.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha në debatin e CNBC ngjalli interesin mediave prestigjioze ndërkombëtare. Para fillimit të debatit, Kryeministri Berisha u intervistua nga Televizioni Bloomberg, Agjencia e lajmeve Associated Press, gazeta Wall Street Journal dhe Radio Swiss në lidhje me reagimin që ka pasur e do të ketë ekonomia shqiptare kundrejt krizës ekonomike botërore, duke qenë se Shqipëria është ndër vendet e pakta që vazhdon të ketë rritje ekonomike, si dhe për politikat që duhet të ndërmarrin ekonomitë botërore. Kryeministri Berisha u shpreh se ekonomia shqiptare po ecën mjaft mirë, me një rritje ekonomike 9.9 për qind, por që, sigurisht, do të pasqyrojë krizën ekonomike në një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të ardhurave nga emigrantët, por, duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme.
I pyetur se në një rast si ky, i krizës ekonomike botërore, a do të ishte proteksionizmi politika e duhur që duhej të ndërmerrej në tregjet financiare, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk mendonte se proteksionizmi do të ishte rruga e duhur, por një Martin Luther i ri për financat, pra, një politikë reformatore në fushën e financave, do të ishte përgjigjja e duhur.
Kryeministri Berisha po ndjek Forumin Ekonomik Botëror në Davos (Zvicër), gjatë të cilit do të marrë pjesë në disa nga panelet e këtij Forumi, si dhe do të takohet me personalitete të larta politike dhe të fushës së financës dhe ekonomisë, pjesëmarrës në Forum.
...