Kryeministri Berisha merr pjesë në festimin e fitores, organizuar nga dega e PD-së në Durrës
“Shqipëria e prapambetjes shekullore do të jetë thjesht një kujtesë jo e afërt në memorien tonë”
Dega e Partisë Demokratike në Durrës, ka festuar fitoren në këtë qark të koalicionit, Aleanca për Ndryshim në zgjedhjet e 28 qershorit. Një festë mori pjesë dhe kryeministri, njëkohësisht kryetar i PD, Sali Berisha, i cili gjeti rastin të falënderojë për besimin të gjithë banorët e këtij qarku. Kreu i qeverisë theksoi se ky besim do të shndërrohet në një mandat me angazhime të mëdha në gjithë historinë e vendit. Në këtë drejtim, shefi i ekzekutivit u shpreh se do të vihen në funksion të plotë të gjithë potencialet që disponon vendi duke garantuar zhvillim. “Mandati që ne nisim është mandati i mundësive më të mëdha në tërë historinë e vendit, është mandati, në të cilin ne do të shndërrojmë në realitet ambiciet tona më të mëdha pozitive, është mandati, në të cilin ne do t’ia dalim ta ndryshojmë tërësisht këtë vend nga Konispoli në Vermosh, është mandat, në të cilin ne do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë industriale, Shqipërinë turistike, Shqipërinë moderne, është mandati, në të cilin, pas katër vitesh, Shqipëria e prapambetjes shekullore do të jetë thjesht një kujtesë jo e afërt në memorien tonë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë bëri një retrospektivë me qeverisjen e nisur katër vite më parë, Berisha tha se “ne erdhëm në pushtet dhe duhet të përballeshim me bandat më të egra në Evropë, duhet të shembnim sistemin e kleptokracisë, të përballeshim me një sistem arsimor dhe shëndetësor në degradim të vërtetë, me një infrastrukturë thuajse të rrënuar, me mungesa të madhe projektesh”.
Ndërsa në krahasim me katër vite, kreu i qeverisë vlerësoi se qeveria e re e nis punën, absolutisht, me një dallim të atillë që ekziston midis territ dhe errësirës. “Ndërsa sot, ne nisim këtë mandat si një vend anëtar i NATO-s. Ne e nisim këtë mandat, pasi jemi bërë të famshëm në Evropë dhe më gjerë për klimën e biznesit. Ne e nisim këtë mandat, pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe mbarë botës se nuk ka projekt që ne nuk mund ta zbatojmë në këtë vend, në interesin publik të shqiptarëve. Ne, që ndërtuam korridorin e kombit me një shpejtësi të paparë, vetëm në dy vjet, korridori Rrëshen-Kalimash filloi nga puna në shkurt tё vitit 2007 dhe përfundoi në mesin e vitit 2009, vepër, e cila vetëm në segmentin e saj Rrëshen-Kalimash tejkalon mbi dy herë e gjysmë të gjithë kaskadën e Drinit, vijmë në pushtet më të fuqishëm, më të kthjellet dhe më të vendosur se kurrë për t’ia ndryshuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, faqen këtij vendi”, deklaroi Berisha.
Kryeministri tha se për Durrësin edhe në këtë mandat të ri do të zbatohen projekte të mëdha. Këtu ai kujtoi disa prej vendimeve më të rëndësishme të mbledhjes më të fundit të KRTRSH ku u vendos ndërtimi i katër resorteve turistike në Gjirin e Lalzit.
“Ndërkohë i pesti, që është edhe projekti më i madh i të gjithë këtyre të katërve që kem i firmosur, do të jetë edhe i pari që fillon nga puna. Vetëm në një segment të shkurtër të detit, nga Shёn Pjetri do të investohen miliarda euro, do të ndërtohen resortet më të bukura turistike. Por një rëndësi të jashtëzakonshme ka parku industrial. Pozicioni gjeografik, vendosja e atij rajoni midis portit, aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, hekurudha, autostrada që po ndërtojmë, të gjithë këto e bëjnë parkun industrial të Durrësit ndoshta një nga më të lakmueshmit në Evropë. Krahas tij, është parku energjetik. Me këtë rast, dua t’i garantoj qytetarët e Durrësit se qeveria ime është e vendosur t’i përmbahet me seriozitetin më maksimal standardeve evropiane të mjedisit. E vendosur në një nga pozicionet më të lakmuara në Evropë për sa i përket mjedisit, ne synojmë që ta përmirësojmë atë. Jemi ne, ata që ndaluam qarkullimin e naftës D2 në masën 80 për qind dhe nga 1 janari i vitit që vjen nuk do të lejojmë asnjë litër naftë D2. Jemi ne, ata, tё cilët do vendosim që asnjë makinë, asnjë vepër industrial, sado e rëndësishme të jetë ajo, të mos tejkalojë me asgjë standardet e vendeve anëtare të BE-së. Në këtë kontekst, Durrësi do të ketë parkun e tij të fuqishëm industrial dhe atë energjetik. Nuk janë antiglobalistët ata që kujdesen për mjedisin. Ata kanë thjesht dhe strikt interesa mafioze. Ata janë një lloj përfaqësie e re e nomeklaturës së kuqe, e tëra e transformuar në mafie”, theksoi në vijim Kryeministri.
Fjalimin tij shefi i ekzekutivit e përfundoi me një falënderim të posaçëm për të rinjtë shqiptarë duke ua dedikuar atyre fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit.
“Shumë nga ne, këtu, ndjejmë një kënaqësi të madhe kur shohim një gjeneratë të re të lindur në liri. Kjo gjeneratë e re që ka lindur në liri jeton në çdo familje shqiptare. Këto janë djemtë e vajzat tona, të cilët janë një psikologji tërësisht e re, pasi ata nuk kanë njohur trysninë e diktaturës, nuk kanë njohur varfërinë dhe mjerimin e saj, nuk kanë njohur izolimin e tmerrshëm të saj dhe absolutisht, ata janë një shtyllë e fuqishme e maturitetit, e pjekurisë së demokracisë shqiptare. Ndaj le t’i përshëndesim të gjithë të rinjtë shqiptarë, pasi ata bënë të mundur këtë fitore”, vlerësoi kryeministri Berisha.
...