Kryeministri Berisha merr pjesë në hapjen e panairit të 4-t të prodhimeve turke, në Tiranë
- Kryeministri Berisha: “Në katër vjet, investimet turke kanë arritur në 800 milionë dollarë dhe dua të garantoj investitorët turq se do t’ia dalim që së shpejti këto investime t’i dyfishojmë. Shqipëria dhe Turqia projektojnë të ndërmarrin projekte të mëdha në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera”
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot pasdite, në ceremoninë e hapjes së panairit të 4-t të prodhimeve turke, i cili organizohet në Tiranë nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit dhe Dhoma e Tregtisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Stambollit, Dr. Murat Yalçintas, Ambasadori turk në Shqipëri, z. Suphan Erkula, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, zoti Ilir Zhilla, Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, z. Gjokë Uldedaj, sipërmarrës turq e shqiptar, etj.
Kryeministri Berisha vlerësoi organizimin e shkëlqyer të këtij aktiviteti, javës ekonomike turke në Shqipëri, e cila tha ai, mbi të gjitha simbolizon besimin e madh të ndërsjelltë që të dy kombet kanë tek njëri-tjetri dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Investimet turke, gjatë këtyre katër viteve, theksoi Kryeministri, kanë njohur një rritje shumë të madhe, nga rreth 130 milionë dollarë, kanë arritur në 800 milionë dollarë. “Dua të garantoj investitorët turq se, në bashkëpunim me Kryeministrin Erdogan, do t’ia dalim që së shpejti këto investime t’i dyfishojmë. Shqipëria dhe Turqia projektojnë të ndërmarrin projekte të mëdha në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera”, tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Turqisë Dr. Murat Yalçintas, u shpreh gjatë kësaj ceremonie se marrëdhëniet shumë të mira politike dhe lidhjet e hershme kulturore mes dy vendeve duhet të zhvillohen më tej edhe në aspektin tregtar. Sot Turqia është partneri i katër për Shqipërinë, tha ai, duke nënvizuar se qeveria turke do të vazhdojë të nxisë ardhjen e mëtejshme të investitorëve turq në Shqipëri, falë klimës së favorshme për investimet në vend, të krijuar nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Berisha.
Edhe ambasadori turk në Tiranë, zoti Suphan Erkula, u shpreh se interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është gjithmonë në rritje. Vëllimi tregtar mes dy vendeve është rritur më shumë se 2 herë gjatë 5 viteve të fundit, duke arritur në 342 milionë dollar në vitin e kaluar, ndërkohë që investimet turke, nga 100 milionë dollar që kanë qenë para 5 vjetësh, sot janë mbi 800 milionë dollarë.
Gjatë kësaj ceremonie u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit midis Dhomës së Tregtisë së Stambollit de Dhomës së Tregtisë së Tiranës, nga homologët përkatës.
Në panairin e 4-t të panairit turk në Tiranë, marrin pjesë rreth 70 firma turke nga më prestigjozet që operojnë në fusha të ndryshme. Në Shqipëri janë prezentë mbi 40 kompani turke që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar dhe që kanë investuar në fushat kryesore të ekonomisë si; në sistemin bankar, industrinë metalurgjike, telekomunikacion, transport, ndërtim, miniera, sektori I energjetikës, shëndetësi, etj.
Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Dua t’ju falënderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje për organizimin e shkëlqyer të këtij aktiviteti, javës ekonomike turke në Shqipëri, e cila, mbi të gjitha simbolizon besimin e madh të ndërsjellët që të dy kombet dhe vendet tona kanë tek njëri-tjetri, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Të dy kombet dhe vendet tona kanë një histori të gjatë shekullore miqësie dhe bashkëpunimi. Turqit dhe shqiptarët, për shekuj, pothuajse bashkëqeverisën në njërën nga perandoritë më të mëdha të kohërave, u ndanë si miq të vërtetë dhe sot vazhdojnë rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët të shkëlqyer.
Sot Parlamenti shqiptar votoi aktin më madhor në historinë e këtij kombi, pas shpalljes së pavarësisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Republika e Turqisë i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të gjithanshme politike, ekonomike dhe ushtarake, për ta arritur këtë ditë.
Marrëdhëniet tona tradicionale kanë qenë të shkëlqyera, por vetëm pak vite me parë këtyre marrëdhënieve u mungonte një nga komponentët më të rëndësishëm të tyre, marrëdhëniet e fuqishme ekonomike. Katër vite më parë, në takimin tim me Kryeministrin e Republikës së Turqisë, mikun tim Erdogan, kemi diskutuar gjerësisht së bashku se si t’i inkurajojmë këto marrëdhënie. Në të gjitha takimet e mia bilaterale, në axhendën time të bisedimeve, marrëdhëniet ekonomike kanë qenë ndër më kryesoret. Këto përpjekje, jam i sigurt se kanë qenë një inkurajim i madh në nxitjen e tyre.
Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe po e zbatojnë atë. Në vitin 2007, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve ishin 2 herë më të larta se sa në vitin 2004, eksportet e Shqipërisë në Turqi u rritën me 2 herë, importet nga Turqia u rritën me 1.6 herë. Kjo ishte një tendencë shumë pozitive dhe që shkon edhe në traditën turke, e cila thotë; “merrni nga shqiptarët, por kujdes kur ju jepni atyre”.
Investimet turke, gjatë këtyre katër viteve, kanë njohur një rritje shumë të madhe. Vetëm pak ditë më parë ne festuam së bashku 1 vjetorin e kompanisë celulare Eagle Mobile. Realisht festuam një sukses spektakolar në fushën e telekomunikacionit në këtë vend. Në 14 mars, së bashku me ambasadorin dhe presidentin e Kompanisë Kurum, ne inauguruam një investim shumë të madh në Elbasan, me të cilin kjo kompani e madhe rriste prodhimin e çelikut nga 50 mijë në 900 mijë tonë dhe instalojnë filtra ndër më të sigurtët për mbrojtjen e mjedisit. Kështu, në katër vjet, investimet turke, nga 120-130 milionë dollarë kanë arritur në 800 milionë dollarë.
Unë dua të garantoj investitorët turq se, në bashkëpunim me Kryeministrin Erdogan, do t’ia dalim që së shpejti këto investime t’i dyfishojmë. Shqipëria dhe Turqia projektojnë të ndërmarrin projekte të mëdha në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera.
Edhe njëherë, ju përshëndes dhe ju përgëzoj për organizimin e shkëlqyer të këtij aktiviteti.
Faleminderit”.
26/03/2009