E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në homazhet dhe ceremoninë e varrimit të 4 anëtarëve të Policisë së Shtetit, “Dëshmorë të Atdheut”

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e homazheve për katër anëtarët e vrarë të Policisë së Shtetit, mbajtur në Pallatin e Kongreseve. Më pas, në prani të krerëve më të lartë të shtetit, si dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha mori pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të drejtues Fatos Haqir Xhani, dhe kryeinspektorëve Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari, Altin Idriz Dizdari.
Në përfundimit të homazheve, pasi ngushëlloi familjarët e katër “Dëshmorëve të Adheut”, të rënë në krye të detyrës, Kryeministri Berisha u shpreh:

 “Eshtë një dite zie e thellë, sepse përcjellim sot, katër bijë të shquar të kombit, të cilët ranë në krye të detyrës për të bërë jetën më të sigurtë të qytetarëve shqiptarë. Fatosi, Kastrioti, Sajmiri dhe Altini nuk janë më. Ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm të Shqipërisë, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh me rrjetet kriminale që drejtonte brenda dhe jashtë vendit, përbënte një kërcënim permanent për rendin dhe sigurinë. Rënia e tyre, humbja e jetës së tyre, është jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi i tyre, trimëria e tyre, sakrifica e tyre, është dëshmi e një vullneti të hekurt të Policisë së Shtetit për të shtypur me çdo çmim, me çdo sakrificë krimin e organizuar dhe për të bërë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurtë. Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cënojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit, për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri më sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe. Edhe një herë, unë dua të shpreh ngushëllimin tim më të thellë, fëmijëve, familjarëve, bashkëshorteve, prindërve, shokëve, kolegëve dhe miqve të Fatosit, Saimirit, Kastriotit dhe Altinit, t’u shpreh mbështetjen më të plotë, forcave të rendit për të gjithë vendosmërinë e tyre për të shtypur krimin e organizuar me zero tolerancë. Dua gjithashtu të lutem së bashku me mbarë kombin shqiptar, që shpirtrat e “Dëshmorëve të Atdhetut”, e këtyre heronjve, të prehen në paqen e amshuar. Ata sot mbeten të përjetshëm në altarin e lirisë së këtij kombi.


08/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›