Qeveria miraton shpërblimin financiar për lojtarët e ekipit kombëtar të futbollit
Qeveria miratoi sot vendimin për shpërblimin financiar të ekipit kombëtar të futbollit, pas fitores që ai arriti në ndeshjen e fundit me ekipin e Bjellorusisë, për turin eliminator për kampionatin europian të futbollit. Kështu, lojtarët e ekipit kombëtar shpërblehen me 10 mijë euro, ndërsa kapiteni i ekipit, golashënuesi dhe trajneri i tij me 15 mijë euro.
Vendimi u bë i ditur nga Kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi përballjen e fundit të ekipit kombëtar të futbollit ndër lojërat më të bukura të zhvilluara dhe shpërblimin të merituar. Kryeministri tha gjithashtu se ky shpërblim jepet edhe në respekt të qindra të rinjve, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në mbështetjen morale të ekipit tonë kombëtar.
Duke prezantuar këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot miratojmë vendimin për shpërblimin me 10 mijë euro secilin lojtar të ekipit kombëtar dhe me 15 mijë euro kapitenin e saj të shkëlqyer Lorik Cana dhe trajnerin, mjeshtër i vërtetë i futbollit, zotin Kuzhe dhe golashënuesin, zotin Hamdi Salihi. Me drejtshkrim e kuptoni vetë si del. Këtë vendim, qeveria e merr, sepse kombëtarja shqiptare në këtë sezon ka shënuar arritjet më të mëdha, në tërë historinë e ekzistencës së futbollit shqiptar. Kjo kombëtare ka realizuar lojëra të mëdha. Të memorizuara në historinë e saj janë barazimi me ekipin më të fuqishëm të kohës, ekipin e Bekenbauerit, që e lëndoi jo pak me atë barazim. E pashlyer mbetet në analet e historisë së futbollit edhe dita, kur Greqia mike erdhi mbretëreshë në fushën e stadiumit tonë dhe la kurorën, u largua princeshë. Por duhet të pohoj se ndeshja më e bukur ishte ndeshja me Bjellorusinë. Një fitore e merituar, me një gol që, në fakt nuk mund të mos e them, ishte ogur i bardhë i kësaj pranvere, i këtij sezoni dhe i kësaj gare. Ndaj këtë shpërblim, ata e kanë plotësisht të merituar. Por ky shpërblim është gjithashtu një respekt i madh, i veçantë për ata qindra e mijëra djem e vajza të rinj, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në një mbështetje të jashtëzakonshme morale e ekipit tonë kombëtar në stadiumin kombëtar, por edhe në fushat e Europës. Në fakt, edhe ata janë një faktor i rëndësishëm i kësaj performance, i këtij suksesit. Kjo është ngjitja më e madhe e ekipit tonë kombëtare dhe t’i urojmë atij suksese gjithnjë e më të mëdha.”
31/03/2011