Miratohet marrëveshja me Bankën Islamike për Zhvillim për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan
Kryeministri Berisha: Me tunelet e Elbasanit, të Qafë Murrizit dhe Kalimashit, ne i sjellim fizikisht shqiptarët më afër njëri-tjetrit se kurrë
Qeveria miratoi sot marrëveshjen me bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Kryeministri Berisha ritheksoi vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar me përparësi këtë rrugë dhe tunelin e Kërrabës, si një vepër që jo vetëm do të shkurtojë distancën midis dy qyteteve, por do t’i integroi ato pothuaj në një treg të vetëm.
Kryeministri tha se qeveria mbetet gjithashtu e angazhuar edhe për fillimin e ndërtimit të një tjetër vepre të rëndësishme infrastrukturore, tunelin e Qafë Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit, projekti i të cilit është në përfundim e sipër.
Lidhur me këto dy projekte, Kryeministri u shpreh:
“Në rendin e ditës, kemi edhe një seri marrëveshjesh të tjera, por unë do të veçoja marrëveshjen që firmoset me Bankën Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, tunelit të Kërrabës. Një vepër kjo që shndërron distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këto dy qytete të shndërrohen pothuaj në një treg të vetëm. Kostoja totale e projektit është rreth 407 milion dollarë, por gara e projektit që u bë ka dhënë një kursim të ndjeshëm dhe ne shpresojmë që edhe segmente të tjera do të shoqërohen me kursim. Në çdo rrethanë, qeveria është e vendosur të financojë këtë projekt me përparësi absolute, qindarkë për qindarkë.
Sikundër po pret me padurim përfundimin e projektit të Qafë Murrizit, tunelin e rrugës së Arbrit që kërkon një certifikim më të plotë, pasi projekti i parë që u bë në një kuotë prej 715 metra për fat të keq doli se nuk mund të ndërtohej në atë kuotë, për shkak të strukturës gjeologjike. Projekti i dytë është lartësuar në një kuotë prej 830 metra, por aty po bëhen verifikimet e fundit të shtresave të përbërjes gjeologjike, në mënyrë që të merret vistoja përfundimtare për tenderimin e të tij.
Në këtë mënyrë, me tre tunelet, tunelin e Elbasanit, tunelin e Qafë Murrizit dhe tunelin e Kalimashit, ne i sjellim fizikisht shqiptarët më afër njëri-tjetrit se kurrë, pasi shpirtërisht ata janë.”
31/03/2011