Kryeministri Berisha merr pjesë në koncertin kushtuar tribunit të lirisë Azem Hajdari, në Teatrin e Operës dhe Baletit
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ndoqi sot pasdite koncertin kushtuar tribunit të lirisë Azem Hajdari, në 10 vjetorin e vrasjes së tij, dhënë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Të pranishëm në këtë koncert ishin Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Zëvendës/kryeministri Genc Pollo, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, personalitete të komunitetit fetar në vend, si dhe përfaqësues të artit e kulturës.
Në përshëndetjen e mbajtur në nisje të koncertit, Kryeministri Berisha tha se sot, pas 10 vitesh, Azem Hajdari nuk ndodhet fizikisht mes nesh, por sot dhe për shumë e shumë kohë në vazhdim, për aq kohë që shqiptarët i besojnë lirisë, Azemi jeton dhe do të jetojë thellë në shpirtin, mendjen dhe ndjenjat liridashëse të shqiptarëve.
“Sot ne nderojmë kujtimin e tij, të bindur se kombi kërkon drejtësi për Azem Hajdarin, se ai është dhe do të mbetet i lënduar derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën e këtij akti makabër, e këtij krimi monstruoz në historinë tonë kombëtare. Sot, pas 10 vitesh, ngushëllimi ynë më i madh është se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë realizimit të idealeve të këtij tribuni liberator, pasi integrimi në Bashkimin Europian dhe NATO ishin ëndrrat e tij”, u shpreh Kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar me këtë koncert, në 10 vjetorin e vrasjes së tij, tribunin legjendar të lirisë, njeriun që me guximin dhe trimërinë e tij, u solli shqiptarëve lirinë, vlerat e saj, lirinë që ata kishin pritur për gjysmë shekulli. "Azem ti je gjallë!”.
Prej dhjetë vitesh Azem Hajdari nuk ndodhet fizikisht pranë nesh, por sot dhe për shumë e shumë kohë, për sa kohë që shqiptarët i besojnë lirisë, Azemi jeton dhe do të jetojë thellë në shpirtin, mendjen, ndjenjat liridashëse të qytetarëve të vendit tonë. Azem Hajdari u shfaq në jetën e shoqërisë shqiptare në një moment kur për vendet ish komuniste të Europës po ndaheshin epokat, kur këto vende kishin nisur rrugëtimin e lirisë. Ndërsa ne shqiptarët kishim mbetur këtu, buzë Adriatikut, si një vend i eksodit, vend i mjerimit ekstrem, një vend në të cilin një pjesë e madhe e popullsisë jetonte në burgje e persekutime, por edhe pjesa tjetër jetonte pa dinjitet. Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetonte në skllavëri të vërtetë, një skllavëri e cila mbahej nga terrori i një regjimi barbar, i cili kishte arritur të nguliste frikën në çdo qelizë të jetës së këtij kombi.
Në këto rrethana, për shumë nga ne që jemi dëshmitar të atyre viteve, Azemi u shfaq në horizontin tonë, së bashku me një grup studentësh që ai udhëhiqte dhe do të përballej në rrugët e Tiranës në një betejë që në ato kohë të paktë ishin ata që mund ta imagjinonin, në një betejë pafundësisht të pa barabartë, në të cilën Azem Hajdari, më shumë se kushdo tjetër, do t'i ndihmonte shqiptarët të çliroheshin nga frika. Ky i ri, ky student, ky lider, u shndërrua në një pishtar të zjarrtë që do të qarkonte Shqipërinë nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, do të ngrinte qytetarët e shtypur shqiptarë e do t’i nxiste ata të dilnin në sheshe e rrugë, në qytetet e fshatrat e tyre, do t'i nxirrte ata, nga mbretëria e frikës në të cilën kishin jetuar, në mbretërinë e lirisë dhe besimit.
Ai do të bëhej themeluesi kryesor i Partisë Demokratike, së bashku me grupin e studentëve që udhëhoqi, do të bëhej shtyllë kryesore e lëvizjes mbarë popullore që një vit me radhë, nëpërmjet aksionit të fuqishëm politik, qytetar, ia dolën të shembnin me votën e lirë të qytetarëve diktaturën më të egër që Shqipëria dhe Evropa kishin njohur ndonjëherë.
Azem Hajdari erdhi në arenën politike të këtij vendi kur Tirana zyrtare, për të mbijetuar, po bashkërendonte të gjitha veprimet me kasapët e Ballkanit të Sllobodan Millosheviçit, kur ishte e gatshme të bënte çdo lëshim, çdo sakrificë në kurriz të 2 milionë shqiptarëve që jetonin si koloni e fundit në Europë.
Por tjetër ishte Shqipëria që përfaqësonte Azem Hajdari, tjetër ishin qytetarët shqiptarë, për të cilët interesi kombëtar ishte interesi i parë i tyre, çështja kombëtare ishte çështje e parë e tyre. Për Azem Hajdarin dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij, njeriu është një univers interesash, por në këtë univers interesi i parë është ai kombëtar. Asnjë interes tjetër nuk mund të realizohej në rast se nuk i përmbahej këtij parimi. Ndaj, me shfaqjen e tij në skenën politike shqiptare, jo vetëm u themelua pluralizmi në Shqipëri, pa të cilin liria nuk ekziston, por mori një kthesë vendimtare qëndrimi i Shqipërisë ndaj çështjes madhore të Kosovës, ndaj çështjes kombëtare. Ylli ynë polar, do të deklaronte në atë periudhë ai, është çështja kombëtare.
Ky njeri trim, i mençur, me instinkte të rralla politike të lindura, Azem Hajdari, do të angazhohej në jetën parlamentare të vendit, do t'i jepte asaj gjallëri, do ta pasuronte këtë jetë parlamentare sa askush tjetër. 10 vjet më parë, hakmarrja më primitive e këtij kombi, gjithnjë hakmarrje shtetërore, do ta ekzekutonte në natën e 12 shtatorit, para selisë së Partisë Demokratike. do të ekzekutonin njeriun, i cili - në kuptimin më real të fjalës, sikur të ishte një dragua - , vrau frikën në të katër anët e këtij vendi dhe këtë e bëri me sensin më qytetar të pajtimit kombëtar, të mirëkuptimit kombëtar, të besimit te e ardhmja. Ata që e ekzekutuan Azem Hajdarin, për të fshehur kthetrat e krimit, ekzekutuan më pas njëri pas tjetrit, pothuajse të gjithë ekzekutorët e tij dhe këtë ata e bënë vetëm e vetëm se i tmerronte pesha e madhe e krimit, e vrasjes së shekullit që kryen.
Sot ne nderojmë kujtimin e tij, të bindur se kombi kërkon drejtësi për Azem Hajdarin, se ai është dhe do të mbetet i lënduar derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën e këtij akti makabër, e këtij krimi monstruoz në historinë tonë kombëtare. Sot, pas 10 vitesh, ngushëllimi ynë më i madh është se Shqipëria ndodhet më afër se kurrë realizimit të idealeve të këtij tribuni liberator. Integrimi në Bashkimin Europian dhe NATO ishin ëndrrat e tij. Sot Shqipëria është në prag të anëtarësimit të plotë në NATO dhe ecën e sigurt dhe me dinjitet në procesin e integrimit europian. Sot Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe në tërësi, sot gjithë shqiptarët janë të lirë. Askujt tjetër nuk ia detyrojmë më shumë këtë liri, sesa tribuni liberator që ne nderojmë sot; "Azem ti je gjallë".