Senati Amerikan zhvillon seancë dëgjimore mbi ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Më 10 shtator 2008, në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua një seancë dëgjimore mbi zgjerimin e NATO-s dhe mbi ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Në seancën dëgjimore, përpara Komitetit ishin ftuar për të relatuar ndihmës sekretari i shtetit Z. Daniel Frid, dhe zëvendës ndihmës sekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Z. Dan Fata.
Kryesuesi i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, Senatori Riçard Lugar, e filloi fjalën e hapjes se seancës, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për vendimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë të bëhen anëtare të plota të NATO-s.
Më tej, Senatori Lugar, ndër të tjera, theksoi se qeveria shqiptare dhe ajo kroate kanë bërë përpjekje te mëdha gjate gjithë këtyre viteve, për të përgatitur këto vende për anëtarësim në NATO, duke ndërmarrë reforma të gjithanshme për konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut te lire.
Senatori Lugar vlerësoi se Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur një progres të madh në transformimin e forcave të armatosura dhe kontrollit civil të tyre, si dhe ne arritjen e standardeve të ushtrive të NATO-s, për sa i përket aftësisë operuese dhe bashkëvepruese. Senatori tërhoqi vëmendjen se Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në misionin e ISAF në Afganistan dhe në ndihmën që po i jepet qeverisë afgane për të luftuar terrorizmin, për vendosjen e rendit dhe demokracisë në vend.
Sipas Senatorit Lugar, Shqipëria dhe Kroacia kanë demonstruar arritje të mëdha për sa i përket konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj, respektimit të të drejtave të njeriut, konsolidimit të ekonomisë së tregut të lirë si dhe kanë ruajtur dhe promovuar marrëdhënie të mira bashkëpunimi me vendet e rajonit. Gjithashtu Senatori Lugar vlerësoi pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane, si një hap të rëndësishëm që i jep fund një të shkuare tragjike të Ballkanit.
Senatori theksoi se stabiliteti dhe siguria e qëndrueshme në Europën Juglindore kërkon që vendet e këtij rajoni të bëhen anëtare të plota të strukturave të mbrojtjes, si dhe atyre ekomomike dhe politike të Europës. Në këtë pikë, Senatori Lugar vlerësoi se Shqipëria dhe Kroacia kanë një rëndësi të madhe gjeostrategjike, dhe se anëtarësimi i plotë në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë, do të zgjerojë zonën e paqes dhe sigurisë në këtë rajon, ku luftërat dhe konfliktet kane shkaktuar humbje të mëdha njerëzore, në të shkuarën. Sikundër, anëtarësimi në NATO do të ndihmojë këto dy vende të arrijnë progres të mëtejshëm në konsolidimin demokracisë, shtetit të së drejtës, dhe një shoqërie të hapur perëndimore.
Duke vlerësuar rëndësinë e zgjerimeve të mëparshme të NATO-s dhe kontributin e tyre për forcimin e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore, Senatori u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vihen në krye të fushatës promovuese për kurorëzimin e aspiratës për anëtarësim të plotë në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë, duke nxitur edhe aleatët e tjerë, të ratifikojnë sa më shpejt Protokollet e Anëtarësimit. Senatori Lugar e mbylli fjalën e tij duke pohuar edhe një herë se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, do të rrisë sigurinë dhe efektivitetin e NATO-s, për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë, si dhe do t’i shërbejë interesave të sigurisë të vendeve anëtare të Aleancës.
Ne seance ndërhyri edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Daniel Frid, si përfaqësues i departamentit amerikan te shtetit.
Në prezantimin e tij përpara Komitetit, ndihmës sekretari Daniel Frid ndër të tjera theksoi se politika e zgjerimit të NATO-s ka qenë një nga sukseset më të mëdha pas rënies së Murit të Berlinit. Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në Ballkan, së bashku me zgjerimin e Bashkimit Europian, do të japin të njëjtat rezultate pozitive që dhanë edhe zgjerimet e mëparshme në Europën Qendrore.
Shqipëria dhe Kroacia, vlerësoi Ndihmës Sekretari Frid, kanë ndërmarrë dhe realizuar një sërë reformash të rëndësishme e te suksesshme, duke përmbushur dëshirën e qytetarëve te këtyre vendeve, që vendi i tyre të jetë anëtar i NATO-s. Përmes anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO, paqja dhe siguria në rajonin e Ballkanit do të konsolidohen edhe më tej, shtoi ai. Për sa i përket Shqipërisë, ndihmës sekretari Frid vlerësoi se Shqipëria ka bërë një progres të madh në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të tregut të lirë. Dëshira për t’u bërë anëtar i aleancës më të suksesshme ka qenë një shtysë e fuqishme dhe motivacioni për të arritur këtë progres. Shqipëria është kthyer tashmë në një partnere të fuqishme e të besueshme të NATO-s, dhe e ka treguar këtë me pjesëmarrjen e saj në misione në Afganistan, Irak, etj.
Më tej, ndihmës sekretari Frid vlerësoi progresin e madh, që ka arritur qeveria shqiptare për sa u përket reformave për demokratizimin e mëtejshëm të vendit, por theksoi se është e rëndësishme që të përfundojë reforma elektorale dhe ajo në sistemin e drejtësisë. Politika e suksesshme e qeverisë shqiptare me zero tolerancë kundër krimit e korrupsionit në fushën e prokurimeve publike, taksave, liberalizimit të licencave, apo shërbimeve të tjera, duhet të shoqërohet edhe nga një përgjigje sistematike e organeve të investigimit dhe akuzës, tha z. Frid.
Në përfundim te fjalës se tij, Ndihmës Sekretari Frid, kërkoi ratifikimin e shpejte te protokolleve për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë ne NATO, duke e quajtur këtë vlerësimin më te mirë për progresin e jashtëzakonshëm, që Shqipëria ka arritur gjatë këtyre viteve të fundit, si dhe një nxitje te fuqishme, për të vijuar më tej rrugën e reformave.