Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për rrugën Kardhiq-Delvinë
- Qeveria jep bonuse, nëse shkurtohen afatet e perfundimit të veprave publike
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për rrugën Kardhiq-Delvinë. Rruga, me gjatësi 37 kilometra dhe vlerë rreth 600 milionë lekë, është investim i buxhetit të shtetit. Kjo rrugë, e cila do të shkurtojë distancën me bregdetin me rreth 30 kilometra, nisi sot punimet për Lotin e parë, me një gjatësi prej 7.1 km, parashikohet të përfundojë në pranverë të vitit 2009.
Duke iu drejtuar banorëve të pranishëm, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndodhej mes tyre për ta nisur vitin e ri me përurimin e fillimit të punimeve për një rrugë kaq të rëndësishme. Kryeministri theksoi se rruga është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për banorët e fshatrave dhe të qyteteve përreth, por për të gjithë Shqipërinë. Kryeministri u shpreh se me ndërtimin e saj, Saranda do të afrohet më shumë me të gjitha skajet e vendit dhe veçanërisht me Kryeqytetin.
Kryeministri garantoi se qeveria disponon të gjitha fondet për ndërtimin e plotë të rrugës brenda një kohe të shkurtër. Në këtë kontekst, ai kërkoi prej firmave ndërtuese shkurtimin e afateve të përfundimit të veprës dhe garantoi se qeveria do të japë bonuse për këtë. “Miqësisht, ju bëj thirrje ta shkurtoni me katër muaj këtë afat dhe qeveria do të ketë bonuse për ju. Mos harroni se e gjithë Shqipëria pret me padurim të vijë në Sarandë me rrugën më të shkurtër të mundshme. Dua t'u siguroj se menjëherë do të tenderohen të gjitha lotet e tjera dhe financimi ekziston plotësisht për çdo kilometër të kësaj rruge.” tha Kryeministri
Ndërsa Kryetari i Komunës së Kardhiqit, në fjalën e tij, u shpreh se ndërtimi i rrugës do të ndihmojë në integrimin e kësaj Komune, e cila përfshin 16 fshatra dhe do të ndikoje në zhvillimin e gjithanshëm të saj.
Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë aktivitet nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, Kryetari i Bashkisë së Sarandës Edmond Gjoka, Kryetari i Komunës së Kardhiqit Dragush Logli, drejtues të tjere te pushtetit lokal, si dhe përfaqësues të kompanive të ndërtimit që do të marrin pjesë në ndërtimin e rrugës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Për mua sot është një gëzim i veçantë, një kënaqësi shume e madhe të urojmë së bashku njëri-tjetrin në këtë vit të ri, me inaugurimin e kësaj rruge, e cila ndonese është vetëm 37 km, është ndër më të rëndësishmet e vendit dhe kombit tonë. Kjo rrugë është e tille për banorët e këtyre fshatrave, për banorët e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, të cilët përfitojnë daljen e shpejtë në bregdet. Rruga është e një rëndësie të jashtëzakonshme edhe për mbarë vendin, pasi Saranda më e bukura e Shqipërisë afrohet me këtë rrugë, me të gjitha skajet e vendit. Saranda, perla e turizmit do të mund të arrihet në një kohë shumë më të shkurtër, jo vetëm nga rrethet, por edhe nga Tirana.
Dua të garantoj me këtë rast, të gjithë banorët dhe qeveritarët vendorë se qeveria disponon të gjithë fondin e ndërtimit të plotë të kësaj rruge, në kohën më të shkurtër. Në pranverën e vitit 2005, tek po zhvilloja një takim elektoral në Sarandë, një gazetar më pyet se a është e vërtetë që ju keni premtuar ndërtimin e rrugës së Kardhiqit. Unë iu përgjigja se po. Gazetari më thotë se edhe nëse nuk bëhet rruga, ke gjithë të mirat. Ndaj sot jam i gëzuar që inagurojmë së bashku fillimin e kësaj rruge.
Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Kryetarin e Komunës, sepse keni treguar sens qytetarie dhe përgjegjësie të lartë në detyrë. Keni realizuar në kohë rekord shpronësimet dhe keni kuptuar me mençurinë tuaj, se vërtetë mund të humbisni shtëpinë apo disa metra tokë, por me këtë rrugë shumëfishohet çmimi i çdo metri tokë, në të gjithë territorin e saj. Në këtë kontekst, ju jeni më të fituarit. Prandaj, i nderuar kryetar i komunës, përgëzojini të gjithë banorët për mirëkuptimin, sepse pa pjesëmarrjen e tyre dhe tuajën, inaugurimi i kësaj rruge në këtë ditë, do të ishte shtyrë edhe për shumë kohë të tjera.
Do të përgëzoja këtu kompanitë e ndërtimit, të cilat kanë eksperiencë në këtë fushë. Afati i përfundimit të rrugës (Loti I) është prilli i vitit 2009. Miqësisht ju bëj thirrje ta shkurtoni me katër muaj këtë afat dhe qeveria do të ketë bonuse për ju. Mos harroni se e gjithë Shqipëria pret me padurim të vijë në Sarandë, me rrugën më të shkurtër të mundshme, Dua t'u siguroj gjithashtu se menjëherë do të tenderohen të gjitha lot-et e tjera dhe financimi ekziston plotësisht për çdo kilometër të kësaj rruge. Ky është segmenti i parë boshtit qendror të Jugut, i cili nuk hiqet kurrë nga axhenda e kësaj qeverie.
Edhe një herë, gëzuar. Unë do të vij sërish për të ndjekur punimet. Rrugë të tjera do të inagurojmë gjatë javëve që vijnë. Ju siguroj me bindje se kjo rrugë është për mua dhe qeverinë njëra prej më të rëndësishmeve.
Ju siguroj se shqetësimet tuaja legjitime, zoti Kryetar i Komunës së Kardhiqit, janë objekt i një politike konstante të kësaj qeverie, për të zhvilluar infrastrukturën, duke ndërtuar rrugë, shkolla të reja dhe nxitur turizmin duke shfrytëzuar pasuritë e këtij vendi, duke nxitur punësimin e shqiptarëve gjithnjë e më shumë. Emigracioni përben realisht një dhimbje për ju, për Jugun dhe të gjithë Shqipërinë, por nga ana tjetër, duhet të ndërtojmë rrugë, të krijojmë vende të reja pune, në mënyrë që shqiptarët të mos largohen më nga Shqipëria. Ky mbetet drejtimi kryesor i qeverisë që unë kryesoj.