Kryeministri njihet me propozimin e kompanisë japoneze “Maruben” dhe kompanisë “Kurum” për investime në burimet minerale të kromit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëspresidentin e Kompanisë japoneze Maruben, zotin Shinji Kawai dhe Presidentin e Kompanisë Kurum. Drejtuesit e dy kompanive i paraqitën Kryeministrit propozimin për investime në shfrytëzimin e burimeve minerale të kromit në zonën veriore të vendit, të shoqëruara me investime dhe prodhimin e pavarur të energjisë elektrike, si nga burime termike, ashtu edhe nga ato hidrike.
Kryeministri vlerësoi interesat e një konsorciumi të tillë serioz dhe garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për investimet e huaja në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se interesat e tyre do të shqyrtohen me seriozitet e transparencë nga institucionet shqiptare.