E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e grupit parlamentar të PD-së

Sot, kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në takimin javor të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Kryeministri informoi deputetët mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së fundit në vend, duke veçuar vizitën e suksesshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Sheffer. "Vizita e Zotit Sheffer ishte shumë e suksesshme. Ai solli mesazhin e vlerësimit më të madh për reformat nga 26 vendet anëtare të NATO-s. Secili prej jush dhe të gjithë punonjësit e administratës kanë meritën e tyre të madhe, sepse u kalua nga reforma në letër në jetësimin e tyre. Kjo bëri të mundur që Shqipëria të meritojë vlerësimin njëzëri të 26 vendeve si shumë e favorshme, për rrugën e reformave që ajo ka zgjedhur".

Kryeministri theksoi se në një vit reformat kanë dhënë rezultate të rëndësishme. "Sot, 40 mijë arsimtarë shqiptarë paguhen 28 për qind më shumë, 14 mijë punonjës të shëndetësisë paguhen 20-25 për qind më shumë, të gjithë pensionistët e fshatit paguhen 20 për qind më shumë, të gjithë punonjësit buxhetorë me pagë të ulët paguhen 20 për qind më shumë, ndërsa qindra mijëra familje që jetojnë me bizneset e tyre kanë përfituar nga ulja e çmimit të energjisë dhe taksat", u shpreh kryeministri.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në procesin e legalizimit, si një nga reformat më të rëndësishme, kryeministri theksoi rëndësinë e angazhimit maksimal të deputetëve për t'u bërë promotorë të kësaj reforme. "Në zonat tuaja ju keni me qindra familje, për të cilat ju keni konceptuar qendrimin më të favorshëm për ta. U bëj thirrje atyre të reagojnë në të njëjtën mënyrë. Ky proces ka një interes të jashtëzakonshëm për vendin.Çlirohen jo më pak se 3 miliard euro pasuri e bllokuar, por, mbi të gjitha, çlirohen miliarda të tjera siguri, qetësi, potencial kolateral për kredi, si dhe vendoset ligji në territorin e vendit. Në një pjesë të kohës suaj, ju, që miratuat ligjin, të kontribuoni dhe të angazhoheni direkt në përshpejtimin e këtij procesi historik për vendin", nënvizoi kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›