Kryeministri Berisha nderon kujtimin e ish kryetarit të Parlamentit, zotit Pjetër Arbnori
Gjatë takimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha nderoi kujtimin e ish kryetarit të parlamentit të parë pluralist në Shqipëri, Zotit Pjetër Arbnori.
Duke vlerësuar figurën dhe veprën e Zotit Arbnori si një trashëgimi e madhe për kombin, kryeministri Berisha ndër të tjera theksoi:
"Kryeparlamentari i lirisë Pjetër Arbnori ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Ne patëm fatin e madh të punojmë me të, por dhe nderin e madh pasi askush si ai nuk arriti për sëgjalli të shndërrohet në një martir të lirisë për 28 vjet. Pas daljes nga burgu, zoti Arbnori u shndërrua në një simbol dhe momument të vërtetë të vlerave për të cilat ai kishte sakrifikuar.
Ishte udhëheqës kryesor i PD-së, por përmasat e personalitetit të tij ishin kombëtare. Arbnori u përkiste të gjithë atyre që i besojnë lirisë dhe dinjitetit njerëzot.
Falenderoj me mirënjohje të gjithë ata që nderuan këtë burrë të shquar të kombit siç ai e meritonte, qytetarë, politikanë të të gjithë spektrit dhe bashkëatdhetarë. Sado ta nderojmë dhe çfarëdo që të bëjmë për nderimin e personalitetit dhe veprës së tij, ne mbetemi sërish kokëulur. Kombi përulet me nderim të madh para veprës së Pjetër Arbnorit për vlerat e mëdha të njeriut dhe kombit.
Kam vendosur t'i propozoj qeverisë që Qendra Ndërkombëtare e Kulturës të emërtohet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Arbnori. Pas një meditimi të gjatë, bëj këtë propozim, sepse emri i tij duhet të shndrrisë në atë qendër si përfaqësim jo vetëm i personalitetit të Arbnorit, por dhe i vuajtjes dhe sakrificës mbinjerëzore të qindra e mijëra shqiptarëve, i kombit në tërësi nën një regjim ndër më të egërit që ka njohur historia.
Duke vlerësuar gjithashtu propozimin e Kryetares së Kuvendit, mendoj se busti i Arbnorit duhet të vendoset para qendrës "Arbnori". Natyrisht parlamenti merr vendimet e tij, por gjykoj se kjo qendër duhet të përjetësohet me emrin e Pjetër Arbnorit".
Kryeministri ftoi deputetët të nderonin me një minutë heshtje kujtimin e ish kryetarit të Kuvendit, Zotit Pjetër Arbnori.