Kryeministri përshëndet dekretin e Presidentit Bush për mbështetjen e Shqipërisë drejt NATO-s dhe marrëveshjen me KE-në për liberalizimin e vizave
Kryeministri Berisha ia kushtoi hapjen e mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave dy zhvillimeve të rëndësishme për Shqipërinë: firmosjen nga Presidenti i SHBA-ve George W Bush të ligjit, të miratuar nga Kongresi amerikan, për mbështetjen e Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, si dhe parafimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Duke përshëndetur këto dy ngjarje të rëndësishme, Kryeministri shprehu mirënjohjen për Presidentin Bush dhe Kongresin e SHBA-ve, Bashkimin Evropian dhe vendet e tij anëtare për mbështetjen që vazhdojnë t'i japin Shqipërisë në rrugën e saj të progresit dhe integrimit. Këto dy zhvillime shumë pozitive, - vlerësoi Kryeministri, - vijnë si rezultat i vlerësimit nga qeveria e SHBA-ve dhe nga Komisioni Evropian të reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe. Kryeministri siguroi se qeveria është e përkushtuar të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur standardet e domosdoshme në proceset e integrimit dhe është e vendosur të vazhdojë në rrugën e saj të reformave.
Më tej, duke folur për këto dy evenimente, Kryeministri bëri këto vlerësime:
"Dje ka pasur dy evenimente shumë të rëndësishme. Presidenti Bush ka firmosur ligjin, me të cilin qeveria e SHBA-ve autorizohet të ndihmojë edhe financiarisht Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën në përpjekjet e tyre për anëtarësim në NATO. Kjo nismë e Kongresit të SHBA-vë dhe senatorit Lugar, pas vizitës së tij të suksesshme në Shqipëri, u kurorëzua dje me firmën e Presidentit dhe kjo përbën një inkurajim shumë të madhe në përpjekjet tona për të arritur standardet dhe plotësuar kriteret e domosdoshme për të merituar ftesën në samitin e Bukureshtit, që do të jetë edhe samiti në të cilin do të vendoset zgjerimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në emër të qeverisë dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për Presidentin Bush, qeverinë e SHBA-ve, senatorin Lugar dhe Kongresin e SHBA-ve për këtë ligj shumë të rëndësishëm për Shqipërisë dhe t'i siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje për të përmbushur kriteret dhe detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në NATO. Dua t'ju informoj se vetëm pak ditë më parë kemi shqyrtuar, së bashku me ministrat dhe drejtuesit e agjencive respektive, të gjitha konkluzionet që delegacioni i lartë i NATO-s, i kryesuar nga asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ka lënë në Shqipëri. Mund t'u them se janë marrë të gjitha masat që këto konkluzione dhe detyrime të shndërrohen në realitet, në mënyrë që të shkojmë sa më afër në procesin anëtarësimit.
Po dje në Bruksel midis përfaqësuesve tanë dhe Komisionit Evropian është parafuar marrëveshja e liberalizimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian, marrëveshje e cila do të firmoset së shpejti midis Shqipërisë dhe BE-së dhe do të ratifikohet më pas edhe nga Parlamenti Evropian. Kjo marrëveshje përbën një hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit, pasi një nga gjërat më të prekshme për qytetarët shqiptarë në këtë proces është lëvizja e lirë. Unë jam i bindur se shqiptarët e kanë të qartë se anëtarësimi i plotë për ta nuk do të thotë mirëqenie e plotë e menjëhershme, por ajo është rruga drejt mirëqenies. Një nga faktorët kryesorë që i bën ata më mbështetës për procesin e integrimit është lëvizja e lirë, për të cilën shqiptarët, për disa specifika, kanë më shumë nevojë sesa kombet e tjera. Marrëveshja ofron procedura të përshpejtuara në marrjen e vizave, një taksë të ndryshuar për vizat, reduktimin e dokumenteve që duhet të paraqiten, si dhe viza afatgjata me shumë hyrje dhe dalje. Ajo që është specifike dhe shumë pozitive është se marrëveshja përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare që nga familjarët që kanë fëmijët e tyre emigrantë, me banim të ligjshëm në vendet anëtare të BE-së, studentët që duan të studiojnë apo janë me studime në universitetet e këtyre vendeve, gazetarët që rendin pas një hapësire më të gjerë informative, biznesmenët të cilët janë në krye të përpjekjes së vendit për integrim. Rikujtoj se 70 për qind e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë zhvillohen me vendet e BE-së dhe kjo marrëveshje ju mundëson biznesmenëve shqiptarë të kryejnë më me lehtësi detyrimet e tyre. Marrëveshja përfshin organizatat jo qeveritare, punonjësit e administratës, botën akademike të vendit, është një nga marrëveshjet më të gjera që Komisioni nënshkruan në këtë stad me një vend. Gjithashtu ka edhe disa përpjekje pozitive nga disa vende anëtare në këtë drejtim.
Si dekretimi i ligjit të ndihmës financiare për qëllimet e progresit drejt anëtarësimit në NATO nga Presidenti Bush në Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe parafimi i marrëveshjes së liberalizimit të vizave midis Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare përbëjnë dy zhvillime shumë pozitive, të cilat vijnë si rezultat i vlerësimit nga qeveria e SHBA-ve, nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ndaj dhe ne mbetemi të përkushtuar dhe të vendosur si ditën e inaugurimit tonë, në shtator të vitit 2005, të procedojmë me reformat. Për ne, alfa dhe omega e veprimtarisë sonë kanë qenë, janë e do të mbeten reformat, të cilat në mënyrë të padiskutueshme, pavarësisht nga pakënaqësitë e përkohshme që krijojnë, pavarësisht edhe nga dhimbjet që krijojnë në grupe të caktuara apo nga kundërshtinë normale që zgjojnë në një shoqëri të lirë, kanë për rezultat final lehtësimin jo vetëm të pasojave imediate që sjellin, por një lehtësim të madh të të gjitha proceseve normale në shoqërinë shqiptare.
Duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë për Presidentin Bush për ligjin që dekretoi, për Komisionin Evropian për marrëveshjen që parafuan, vendet anëtare të tij, të vazhdojmë në këtë kurs të thellë reformash të cilat çdo ditë po japin ndryshime të rëndësishme. Dy ditë më parë, një statistikë që vjen nga një qendër prestigjioze në Londër, fakton se në vitin 2006 investimet direkte të huaja në Shqipëri u rritën me 130 dollarë për frymë nga vetëm mesatarisht 28 dollarë për frymë që ato kanë qenë në 2000-2004, një rritje rreth 3-4 herë më shumë. Natyrisht ne do të donim e do të përpiqemi që ato të jenë jo 130, por 1300, sepse ky vend ka uri të jashtëzakonshme për investime. Sot Ministri i Arsimit më informoi për një rritje të ndjeshme substanciale të nxënësve në shkollat e mesme. Ne vërtet liberalizuam universitetet, por për një komb e shoqëri treguesi parësor është përqindja e qytetarëve me shkollë të mesme. Politika e nisur për të inkurajuar në mënyra të ndryshme vazhdimin e shkollës së mesme nga nxënësit, zgjerimi i sektorit të arsimit profesional po jep fruta të ndjeshme, derisa të arrijmë në nivelet më të larta dhe unë jam shumë optimist me këtë. E ritheksoj se reformat janë të gjithanshme dhe do të vazhdojnë".